Eksportuesit prisnin me më shumë optimizëm gjysmën e dytë të këtij viti, pas një rënie të ndjeshme të eksporteve në fillim të vitit. Megjithatë, drita jeshile në tregjet e huaja nuk është ndezur ende.
Kontratat e fasonistëve nuk janë rimëkëmbur, ndërkohë që çmimi i mineralit të kromit nuk u rrit, siç pritej të ndodhte në muajin shtator. Ndërsa eksportuesit prisnin rritje prej 10%, çmimi i kromit dhe ferrokromit u zvogëlua po kaq. Kjo zbehu shpresën e tregtarëve të mineralit të kromit, për të përmirësuar bilancet deri në fund të vitit.
Drejtuesit e kompanisë eksportuese “Albanian Mining Crome”, tregojnë se shtatori ishte një muaj vendimtar për planet e eksporteve, pasi rritja e mundshme e çmimit do të “boshatiste” stoqet e krijuara në depozitat pranë portit. Megjithatë, sipas tyre, nuk është ulur sasia e dërguar krahasuar me muajt e mëparshëm. Aktualisht në tregjet ndërkombëtare, çmimi i kromit është rreth 250 dollarë/ton.
Duhet theksuar se eksportet e xeherorëve, të cilat patën probleme me çmimet në tregjet e huaja edhe vitin e kaluar, mbeten në vlera pozitive, duke u rritur në rreth 6% krahasuar me një vit më parë, ndërsa pritshmëria e sipërmarrjeve të angazhuara në këtë biznes ishte më e madhe.
Treg i suksesshëm për këtë vit vlerësohet të jetë ai i mineraleve të lëngshme, bitumit e naftës së papërpunuar. Kompania kryesore që operon në vend shtoi aktivitetin dhe kjo ndikoi ndjeshëm në rritjen e eksporteve të lëndës së djegshme dhe substancave bituminoze me rreth 45% në sasi dhe 34% në vlerë. Muajt e ardhshëm pritet të jenë pozitivë për eksportet e mineraleve të lëngshme, ndërsa nuk mund të themi të njëjtën gjë për atë të metaleve.
Viti filloi me vështirësi për kompaninë “Kurum”, e cila ndërpreu punën nga mungesa e furnizimit me energji. Por, sipas përfaqësuesve të kompanisë, edhe muajt në vijim nuk ishin aspak të favorshëm, pasi çmimi i hekurit në treg pësoi rënie.
Një vit më parë, hekuri dhe çeliku udhëhiqnin eksportet, ndërsa në periudhën janar-shtator, eksporti i tyre ra 15% në sasi dhe mbi 20% në vlerë.
Tashmë është zyrtare që viti nuk do të mbyllet mirë, për një nga sektorët ku operojnë një numër i madh kompanish dhe ku ka më shumë të punësuar. Gjatë nëntëmujorit, eksporti i veshje-këpucëve të përpunuara ra rreth 5%, duke shënuar një vlerë eksportesh prej 46.7 miliardë lekësh. Pesha e tyre u ul në 30% të totalit të eksporteve nga gati 34% që shënonte një vit më parë.
Drejtuesit e Shoqatës së Fasonistëve shpresojnë për një rimëkëmbje gjatë vitit të ardhshëm. Pasi nuk patën rritje për kontratat e porosive për këtë sezon, ata shpresojnë në ndonjë përmirësim të tyre për sezonin e ardhshëm të veshje-këpucëve. Kontratat për to lidhen në tre muajt e parë të vitit 2013.
INSTAT: Përmirësohet deficiti tregtar
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), bilanci i tregtisë për nëntëmujorin u përmirësua me rreth 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Si importet ashtu edhe eksportet ndikuan për këtë, pasi vlera e mallrave të eksportuara u rrit rreth 6.7%, ndërsa importet ishin 1.2% më pak se në janar-shtator 2011. Sipas INSTAT, importet zbritën në 389 miliardë lekë këto nëntë muaj, ndërkohë që vlera e eksporteve ishte 156.3 miliardë lekë. Ndonëse është përmirësuar krahasuar me vitin e kaluar, shkalla e mbulimit të eksporteve ndaj importeve është e ulët, duke treguar aftësitë ende të dobëta eksportuese të tregut tonë. Në tregtinë e zhvilluar këtë vit, eksportet mbuluan vetëm 40% të importeve në vlerë.
Sipas ekspertëve të tregtisë, mbetet shqetësues fakti që ecuria pozitive po vjen vetëm nga sektori i mineraleve dhe lëndëve djegëse. Sipas tyre, kjo e rrit shkallën e paqëndrueshmërisë së eksporteve tona, qoftë edhe me një ulje të lehtë të çmimeve të karburanteve në tregjet e huaja.
Sipas INSTAT-it, eksportet e grupmallit “minerale, lëndë djegëse dhe energji” u rritën me 28.7% me bazë vjetore duke arritur në rreth 55.4 miliardë lekë. Ky grup mallrash përbënte mbi 35% të totalit të eksporteve në fund të muajit shtator, duke kaluar në sektorin më të rëndësishëm të eksporteve shqiptare.
Për grupin e mallrave më të eksportuar për 2011-n, tekstile-këpucë, rënia u thelluar gjatë muajve të fundit të vitit 2012.
Eksportet e tekstile-këpucëve ranë me 4.9% me bazë vjetore në 46.7 miliardë lekë për periudhën janar-shtator. Edhe grupi tjetër i rëndësishëm i mallrave, ai i materialeve të ndërtimit e metaleve ra ndjeshëm, i ndikuar nga ndërprerja e eksporteve të çimentos drejt Kosovës për rreth dy muaj, dhe ndërprerja e eksportit të hekurit në muajt e parë të vitit. Sipas INSTAT-it, eksportet e këtij grupmalli ranë me 6.6% në krahasim me janar-shtator 2011.
Performancë më të mirë në tregun e huaj shënuan eksportet e produkteve ushqimore. Vlera e tyre arriti në gati 9 miliardë lekë, ose mbi 12% më shumë se një vit më parë.
Spanja, zbulimi i vitit
Pas një zhvendosje në gjeografinë e tregtisë, veçanërisht për importin e makinerive dhe pajisjeve, tregtarët po u rikthehen partnerëve tradicionalë. Sipas të dhënave të INSTAT, importet nga Gjermania u rritën me gati 23% deri në fund të muajit shtator të këtij viti, krahasuar me 9-mujorin 2011. Vlera e tyre ishte pak më shumë se 24 miliardë lekë, ose mbi 5% e totalit të importeve. Rritja e tyre erdhi njëkohësisht me tkurrjen e importeve nga tregu kinez me gati 15%, duke u paraqitur në vlera pothuajse të përafërta për importet tona. Prirja e tregtarëve për këto dy tregje nuk ndryshoi vetëm në importe.
Edhe eksportet ndoqën të njëjtën tendencë, pasi sipas të dhënave të INSTAT-it, eksportet drejt Gjermanisë u rritën 20%, falë rritjes së fasonit dhe bimëve mjekësore. Drejt tregut kinez, eksportet ranë 2.5%, me uljen e çmimit të xeherorëve. Sipas ekspertëve të tregtisë, forcimi i tregtisë me Gjermaninë është shenjë e rikthimit të marrëdhënieve tregtare me këtë vend në periudhën e parakrizës financiare. Ata shtojnë se kjo është më shumë meritë e tregut gjerman, i cili po ndjek politika të forta në forcimin e pozitës së tij eksportuese.
Tregtia me Greqinë shënoi rënie, por jo aq sa druheshin specialistët e tregtisë. Sipas INSTAT-it, rënia e importeve ishte 11% kurse ajo e eksporteve 1.5%.
Në importe, rritjen më të madhe e shënuan Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara me gati 50% më tepër se periudha janar-shtator e vitit 2011. Sipas të dhënave të tregtisë, importet nga përtej oqeanit ishin më të larta për shkak të sjelljes së barnave e pajisjeve mjekësore,
ndërsa importet nga tregu zviceran u rritën me shtimin e importit të energjisë elektrike.
Tregtarët shqiptarë patën mundësi më të mira për eksport në Spanjë dhe Kosovë. Eksportet drejt Spanjës u rritën gati 3 herë për shkak të disa kontratave të mira të lidhura me këtë vend për dërgimin e çimentos së prodhuar te ne. Në Kosovë, mallrat shqiptare e shtuan praninë me 25%, duke arritur në gati 13 miliardë lekë. Në to kryesojnë materialet e ndërtimit (hekur-çimento), pavarësisht pezullimit të eksportit të tyre për disa muaj.
Shqetësimi
Bien investimet në makineri
Ekspertët e tregtisë kanë kërkuar shpesh krijimin e politikave për të zbutur deficitin tregtar, duke rritur eksportet dhe njëkohësisht duke ulur importet aty ku është e mundur të zëvendësohen me prodhim vendas. Por, ndërsa importet në total ranë më pak se 2%, rënia e importit të makinerive e pajisjeve paralajmëron për dobësimin e ekonomisë së vendit dhe uljen e investimeve. Sipas INSTAT-it, importi i tyre ra 5% gjatë nëntëmujorit të këtij viti, ndërsa tendenca është përkeqësuar muajt e fundit. Në shtator, ato ishin 17% më pak se një muaj më parë.
Përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve tregojnë se investimet në këtë drejtim janë pakësuar për shkak të vështirësive financiare dhe aksesit të kufizuar në kreditim. Për specialistë të ekonomisë, më pak blerje pajisjesh dhe makineri do të thotë më pak investime në vend, duke rrezikuar të fusë në një zinxhir problematik aktivitetin e ndërmarrjeve, pasi mungesa e makinerive apo përdorimi i makinerive të vjetra sjellin kosto më të lartë prodhimi, çmim më të lartë në treg dhe rrjedhimisht, më pak shitje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.