Nga Elona Bedalli
Për më shumë se një vit, projektligji i ri për turizmin “fle” në sirtarët e institucioneve që bëjnë politikën e këtij sektori. Miratimi i tij, në mos do të zgjidhte përfundimisht çështjen e klasifikimit të njësive akomoduese në Shqipëri, të paktën do të hapte një dritë të vogël jeshile. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Turizmit, projektligji do të shkojë shumë shpejt, ndoshta në fund të këtij muaji në komisionet kuvendore, por sipas ekspertëve dhe përfaqësuesve biznesit (që janë pjesë e diskutimit) kjo ka pak gjasa të ndodhë. Kjo është vetëm një prej çështjeve që mban “peng” kategorizimin e hoteleve. Arsye tjetër është se deri tani, pavarësisht shumë diskutimeve nuk është arritur në një qëndrim të unifikuar mes palëve të interesit, se cila do të jetë struktura që duhet të bëjë kategorizimin. Sipas ekspertëve që kanë asistuar në diskutimet për përgatitjen e ligjit të ri për turizmin, shteti duket se ka hequr dorë nga kjo e drejtë apo detyrim, duke ia lënë në dorë biznesit që të gjejë vetë rrugët dhe mundësitë. Nga ana tjetër biznesi ka shprehur kundërshti, pasi mendon se ky është një detyrim që i takon shtetit. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Klodian Pajuni, pranon se mungesa e sistemit të vlerësimit dhe inspektimit të njësive akomoduese, kryesisht hoteleve po penalizon turizmin shqiptar kundrejt konkurrencës. Ai thotë se në këto momente është e pamundur të bëhet një klasifikim. Ligji i ri do të ofrojë mundësinë për ta realizuar këtë.
“Ky klasifikim nuk duhet të vijë nga ministria. Institucioni mund të ndihmojë në gjetjen e mënyrave për ta bërë këtë. Duhet të jenë vetë operatorët që të kërkojnë klasifikimet. Roli i shtetit duhet të jetë rregullues dhe garantues. Ai ndërhyn nëse vihen re abuzime. Nëse dikush posedon një hotel me katër yje, por shërbimet që ofron nuk e justifikojnë këtë, atëherë shteti duhet të ndërhyjë”, thotë z. Pajuni. Sipas tij mund të bihet dakord me të gjitha palët për ngritjen e një komiteti apo strukture që do ta realizonte këtë klasifikim. “Një zgjidhje teknike mund të jetë që hotelet shqiptare t´i drejtohen Komunitetit Europian, i cili ka organizma që mund të bëjnë certifikimet e nevojshme. Nga një pjesë e drejtuesve të hoteleve, kjo nuk është pranuar për shkak të kostove (pagimit të një takse). Unë besoj se do të gjendet një zgjidhje me ngritjen e një komisioni ‘ad hoc´. Për sa i përket ligjit të ri të turizmit, po ecet me ritme të shpejta. Deri në fund të janarit do të përfundojë rishikimi i plotë i draftit për t´iu dërguar më pas komisioneve në Kuvend për miratim dhe besoj se edhe ky problem do të marrë zgjidhje”, thotë z. Pajuni.
Edhe përfaqësuesit e shoqatave të turizmit janë të paqartë në lidhje me mënyrën se si do të certifikohen hotelet shqiptare. Ata thonë se momentalisht këtë rol po e luan programi i markës së cilësisë “Authentic Albania”, që zbatohet në bashkëpunim me USAID (është një çmim që iu jepet njësive akomoduese që kanë plotësuar disa kritere cilësie). Sipas drejtuesve të Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), “odiseja” e kategorizimit nuk ka mbaruar ende dhe se mungesa e tij do të vazhdojë të gjenerojë abuzime me cilësinë e shërbimeve. Ndërsa sipas ekspertëve të organizmave të huaja që kanë asistuar në diskutimet për projektligjin e ri, probleme në identifikimin e plotë të njësive akomoduese (gjë që do të lehtësonte më pas inspektimin dhe vlerësimin e tyre) shkakton edhe fakti se ky biznes regjistrohet në QKL apo QKR pa u kategorizuar, pra bërë dallimin se i përket industrisë së turizmit. Ndaj, thonë ata, kjo çështje do të vazhdojë të mbetet e pazgjidhur edhe për shumë kohë.
Një pjesë e njësive akomoduese turistike, duke u ndodhur përballë një situate të tillë, kanë zgjedhur ta realizojnë vetë vlerësimin për të përcaktuar nivelin e akomodimit, për të orientuar klientët për standardet e hoteleve.
Hotelet, probleme në menaxhim
Në Shqipëri, hotelet janë njësitë pritëse më të zhvilluara. Një nga problemet kryesore që hasen në menaxhimin e tyre është mungesa e ndarjes së qartë mes specialistëve dhe pronarëve. Në fund të vitit të kaluar u krijua, për herë të parë, një bazë të dhënash për sipërmarrjet turistike në Shqipëri. Në studimin që u realizua nga Universiteti Europian për Turizmin dhe Zyra e Shërbimit Turistik u analizuan rreth 303 sipërmarrje turistike. Ky studim është pjesë e projektit europian IPA Adriatica – “TUR GRATE 2” për turizmin e qëndrueshëm, i cili përfshin disa vende të rajonit dhe financohet nga Bashkimi Europian. Sipas drejtuesve të Universitetit Europian të Turizmit, ky studim do të ndihmojë në identifikimin e problemeve që ka sektori akomodues në Shqipëri. Kjo bazë të dhënash për herë të parë identifikon ofertën turistike shqiptare. Si e tillë mund të shërbejë për rritjen e konkurrencës, për prodhimin dhe mbrojtjen e produkteve tipike shqiptare si: kulturat bujqësore, punimet artizanale dhe trashëgiminë kulturore.
Nga ky studim rezultoi se sektori më i zhvilluar është ai i hoteleve (96.4% e aftësive pritëse për turistët në vend janë hotele dhe 1.6% janë dhoma dhe ambiente me qira). Pjesa tjetër e akomodimit përfshin motele, shtëpi fundjave etj.
Në bazë të klasifikimit për hapësirat që ofrojnë hotelet, rreth 46% e dhomave të hoteleve në vend ofrojnë hapësira prej 14 metrash. Ndërsa 36% e hoteleve nuk kanë të gjitha hapësirat e nevojshme, sipas standardeve kombëtare, për sektorin sanitar. Ndërkohë që vetëm 63% e hoteleve, që janë pjesë e studimit, kanë në shërbimin e tyre dhe restorantin. Në bazë të studimit, kualifikimi i stafit për hotelet në vend është i ulët. Numri i punonjësve në një hotel që merren me pritjen e klientëve është dy. Numri i punonjësve që janë të kualifikuar, pra kanë kryer studime me profil turizmin, është i ulët. Një tjetër problem i nxjerrë nga studimi është pronësia dhe administrimi i hoteleve dhe ndërmarrjeve të tjera turistike. Sipas drejtuesve të Universitetit Europian të Turizmit, nuk ka ndarje të qartë mes specialistëve dhe pronarëve të sipërmarrjes. “Të jesh pronar nuk do të thotë se mund të bësh çdo gjë. Rreth 55% e hoteleve drejtohen dhe menaxhohen nga vetë pronarët. Ata nuk kanë burime njerëzore të specializuara. Edhe në disa raste kur në studim ka pasur administratorë dhe menaxherë, ka rezultuar që ai ishte një i afërm i pronarit. Këto gjëra ndikojnë në shërbim, sepse një pronar nuk mund të jetë një menaxher, sportelist, apo kuzhinier i mirë, vetëm sepse ka shëtitur në botë dhe ka bërë pushime”, thotë dr. Salvator Messina, njëherazi edhe rektor i këtij universiteti.
Një tjetër fakt i rëndësishëm që ndikon në turizmin në Shqipëri, thotë dr. Messina është dhe përqendrimi i tij vetëm kryesisht në një sezon, në stinën e verës. Sipas tij është e nevojshme që të merren masa dhe të hartohen projekte, që të vijnë turistë gjatë gjithë vitit dhe shpërndarja e tyre të mos jetë sporadike. Sipas studimit rreth 56% e turistëve vijnë vetëm në muajin gusht, ndërsa pjesa tjetër në periudhën maj-shtator. Profesor Salvator Messina thotë se institucionet që merren me marketimin e turizmit duhet që t´i programojnë aktivitetet përpara muajve të pikut, në mënyrë që të ketë më shumë mundësi për thithjen e informacionit. Në analizën e pyetësorit të bërë te turistët, studimi vëren se nëse do të arrihet që të shfrytëzohen burimet natyrore si pasuria natyre, objekte kulturore dhe të antikitetit, ushqimi dhe mikpritja do të ketë më shumë shanse për rritjen e konkurrencës.
Në Shqipëri, për turistët që e kanë vizituar të paktën një herë, problemi kryesor është infrastruktura. Nga 863 turistë të pyetur, rreth 57% e vizitonin Shqipërinë për herë të parë dhe mbi 60% vlerësonin si cilësi kryesore mikpritjen.
Si të marrësh një “yll”
Për të klasifikuar hotelet sipas kushteve dhe nivelit të shërbimit përdoret sistemi i yjeve, nga 2 deri në 5. Për të regjistruar e më pas klasifikuar këto njësi akomodimi, së pari, nga një komision vlerësimi, shihet nëse janë plotësuar standardet e detyrueshme e më pas kalohet te standarde të tjera, që edhe pse nuk janë të detyrueshme, shtojnë pikë në klasifikim. Kështu për shembull, dhomat duhet të kenë një hapësirë të domosdoshme duke nisur nga 12 m² e duke përfunduar tek 28 m², sipërfaqe e nevojshme për suitat e hoteleve me 5 yje. Ajo që është kategorike ka të bëjë me numrin e personave të lejueshëm në një dhomë dhe numri i shtretërve shtesë. Mesatarja lejon deri në 4 persona në një dhomë, por në rast se akomodohen më shumë se 6 persona, në të duhet të shtohet një tualet i dytë. Në rregulloren e klasifikimit përcaktohen me saktësi përmasat e shtretërve, ndriçimi natyral, ventilimi dhe perdet errësuese që duhet të jenë të detyrueshme për çdo hotel. Kërkohet që mobiliet e hoteleve të jenë në gjendje shumë të mirë, me tualete të rregullta dhe higjienë të përhershme. Hotelet që duan të klasifikohen në grupin me 5 yje kanë si kusht të domosdoshëm
një pishinë të hapur, si dhe disa kushte specifike për suitat. Këto të fundit duhet të kenë patjetër dritë natyrale, tavolinë për kafe, sipërfaqe të konsiderueshme për ndenjje, tavolinë me pasqyrë, dritë për lexim, sistem ngrohjeje, ajër i kondicionuar me komandë individuale, perde errësuese, si dhe telefon të brendshëm, ndërqytetës dhe ndërkombëtar.
Sa i përket sistemit elektrik të hoteleve, standardet kërkojnë që për ato me dy, tre apo katër yje të përdoret sistemi europian i prizave, ndërsa ashensori mbetet i detyrueshëm për të gjitha grupimet. I detyrueshëm mbetet edhe shërbimi 8-orarësh nga personeli. Hotelet që mund të klasifikohen me 4 apo me 5 yje duhet të shërbejnë mëngjesin sipas një mënyre së caktuar. Kjo do të thotë se gjatë mëngjesit, ushqimet duhet të kenë linjën e verdhë, të kuqe, kafe dhe jeshile, që e përkthyer në gjuhën e ushqimeve do të thotë bukë, gjalpë, reçel, mish, varietete veze si dhe sallatë frutash. Në restorant, i cili është i detyrueshëm për hotelet, duhet të shërbehen 10 lloje gatimi, të paktën 2 të jenë të nxehta. Nga ana tjetër menyja duhet të jetë në gjuhën angleze dhe shqipe, por njëkohësisht hotelet duhet të kenë marrë masa të rrepta për mbrojtjen nga zjarret dhe çdo emergjencë të mundshme. Një tabelë e dukshme për emergjencat dhe evakuimin, si “Mos përdorni ashensorin në rast rënie zjarri” apo tabela në zonat e rrezikshme “Ndalohet duhani”, janë të detyrueshme në hotelet shqiptare.
Pushuesit nuk besojnë në klasifikimin e hoteleve
Kur është fjala në zgjedhjen e një hoteli apo destinacioni, pjesa më e madhe e pushuesve sigurohen të marrin këshillat dhe rekomandimet më të mira mbi to.
Por një studim i fundit ka treguar se klasifikimet e hoteleve sipas yjeve dhe faqet e këshillimit të tilla si “TripAdvisor” apo të ngjashme me të nuk ndikojnë aq shumë tek udhëtarët sa mendohej. Studimi i kryer nga firma “Vision Critical”, ku morën pjesë anëtarët e faqes së internetit “jetsetter.co.uk” nxori në pah faktin se vetëm një në pesë pushues beson te klasifikimet e ndryshme të hoteleve. Sondazhi zbuloi se gati gjysma e të gjithë udhëtarëve ishin lënë në baltë dhe ishin zhgënjyer nga klasifikimi sipas yjeve i hoteleve, “klasifikime që nuk reflektohen në cilësinë e vërtetë të pushimeve të tyre”.
Hulumtimi, në të cilën morën pjesë 2000 anketues në moshë madhore, zbuloi gjithashtu se vetëm 19% e tyre i besonin komenteve të përdoruesve të faqeve mbi turizmin. Ankesat e zakonshme lidhen me anonimatin e shkruesve të komenteve. Rreth 13% të të anketuarve nuk besonin në autorësinë e komenteve. Këto përfundime janë domethënëse nëse kujtohet se vetëm vitin e kaluar, pronarët e hoteleve u kërcënuan nga klientë të tyre se, nëse nuk përfitonin ulje, do të shkruanin komente negative në “TripAdvisor”. Shumë biznesmenë janë akuzuar për fushata negative ndaj konkurrentëve të tyre në sajë të postimeve të rreme.
Shifra
96.4% e njësive pritëse për turistët në vend janë hotele
1.6% janë dhoma dhe ambiente me qira
63% e hoteleve që janë pjesë e studimit, kanë në shërbimin e tyre dhe restorantin
55% e hoteleve drejtohen dhe menaxhohen nga pronarët
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.