Disa nga lokalet e gastronomisë kanë vendosur që pas hapjes të ngrejnë çmimet e kafes në Kosovë. Për këtë çështje, ka dhënë vërejtje Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Shoqata e Gastronomëve është distancuar nga ky veprim. Ndërsa, Oda e Hotelerisë po kërkon që të hapen sallat e dasmave.
Kafenetë dhe lokalet e ndryshme në Kosovë tash e disa ditë kanë bërë marrëveshje që të ngrejnë çmimin e kafesë.
Ky veprim ka ngjallur reagime të shumta.
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka njoftuar se distancohen nga këto veprime të kundërligjshme të cilat bien ndesh me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës.
Sipas kësaj shoqate, rritja apo mosarritja e çmimit është vendim subjektiv i një biznesi e jo kolektiv.
“E kuptojmë që është bërë sfidë në vete arritja e likuidimit të shpenzimeve operative, kreditore, etj. mirëpo jo në mënyrë të tillë siç po raportohet. Rrjedhimisht, nëse ky fenomen është duke ndodhur, ju bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të këtyre veprimeve”, thuhet në njoftimin e shoqatës.
Shoqata e Gastronomëve ka treguar se deri tash brenda shoqatës nuk ka konfirmime se ku dhe si ka ndodhur ngritja e çmimit të kafesë.
“Shoqata e Gastronomëve të Kosovës përveç që përfaqëson interesat sektoriale, të sektorit të gastronomisë ajo i ka 420 anëtarë, dhe brenda këtyre anëtarëve nuk ka të raportuar që ka ngritje të çmimeve por sido që të jetë është evidente që po flitet edhe po raportohet që ka ngritje të çmimeve në disa komuna, të çmimit të kafes po flasim”.
Ndërkaq, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë se forma e ngritjes së çmimit të kafesë është e ndaluar.
Prestreshi ka paralajmëruar se do të iniciojë procedura hetimore.
“Gjithë ato ankesa, gjithë ato protesta, gjithë ai presion që u ushtrua nga sektori i gastronomisë, kundrejt masave të vendosura nga Qeveria për ta parandaluar infeksionin Covid 19, e që kishin të drejtë në disa raste, tani po të njëjtit gastronomë në disa qytete të Kosovës kanë vendosur që bashkërisht me marrëveshje t’i ngrejnë çmimet e kafeve dhe produkteve tjera. Kjo formë e ngritjes së çmimit është e ndaluar, andaj para se të inicoj procedura hetimore Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, si titullar i këtij institucioni fillimisht i bëjë thirrje Shoqatës së Gastronomëve, që ata të distancohen nga këto sjellje të gastronomëve dhe të bëjnë thirrje për ndalim të këtyre veprimeve. Në të kundërtën, derën e parë që do ta trokasim është dera e shoqatës së gastronomëve”, ka shkruar Prestreshi.
Të hapen sallat e dasmave, bizneset po falimentojnë
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit Hysen Sogojeva, ka treguar se ende nuk është takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ndonëse kishte marrë premtime për të diskutua për problemet e tyre.
Madje ai thotë se ende nuk ka përgjigje të qartë nga ana e ministrit Vitia lidhur me hapjen e sallave të dasmave.
“Prej takimit të fundit që e kemi pasur, si vendim për këto masa që i kemi marrë ende nuk kemi pasur, premtimet janë që menjëherë të ketë takim, por nuk na ka thirrur andaj dua të shfrytëzoj rastin që të lus ministrin Vitia që sa më herët të takohemi për me pas mundësi me dalë nga kjo situatë, sepse pa u liruar kjo pjesë, pra e sallave të dasmave ne si Odë e Hotelerisë nuk jemi të kënaqur”.
Sogojeva thotë që pakoja e paralajmëruar nga ana e Qeverisë nuk mjafton për këtë sektor, pasi që rreziku është që shumë nga bizneset të falimentojnë.
“Duhet Qeveria me intervenuar prapë me një pako, ekstra për këtë sektor, sepse nga ajo 220 milionëshi edhe ajo krejt nuk mjafton, por nga ajo duhet të ndahet një shumë veçmas për këtë veprimtari sepse këtu janë humbjet dhe këtu është dëmtuar më së shumti, prandaj edhe kërkoj nga qeveria që të ketë konsideratë për këtë veprimtari, sepse nëse nuk marrim masa për rimëkëmbjen e kësaj nga gjithë ato biznese, as 6 mijë nga to nuk do mund të mbijetojnë”, deklaroi ai.
Qeveria e Kosovës ditë me parë ka miratuar tri propozimet e ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati për subvencionimin e bizneseve, shtesat në paga të punëtorëve shëndetësor dhe policëve si dhe për skemat pensionale.
Murati në konferencën për medie, pas mbledhjes së Qeverisë theksoi se kjo pako arrin shifrën e afro 20 milionë eurove.
Ai njoftoi se pagat e punëtorëve të gastronomisë, qendrave tregtare të mbyllura, fitneseve e palestrave dhe operatorëve të trafikut ndërurban si dhe pagesat e qirave do të subvencionohen 50 për qind.
“Gjithsej tri vendime, një pako prej afërsisht 20 milionë euro. Një masë prej 6 milionë euro që do të ndahet për gastronominë, për qendrat tregtare të mbyllura, fitneset, palestrat dhe operatorët e trafikun ndërurban. Do të subvencionohet 50 për qind e qirave dhe të pagave”.
Në Kosovë rastet e para me COVID-19 janë paraqitur në mars të vitit 2020. Që nga ajo kohë dhe deri më 26 prill janë regjistruar 104.196 persona të infektuar me koronavirus, prej të cilëve 91.972 janë shëruar. Kurse, numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 2.140.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.