Rritja ekonomike e Bullgarisë do të vazhdojë të ngadalësohet në vitin 2023. Problemet strukturore në ekonominë e saj, vetëm sa do të përkeqësohen derisa të zgjidhet paqëndrueshmëria politike.
Bullgaria, një vend me 6.8 milionë banorë, ka shënuar rritje të madhe në eksporte dhe ekonomia i ka bërë ballë tkurrjes, përballë paqëndrueshmërisë politike të brendshme dhe luftës në Ukrainë.
Eksportet zyrtare të Bullgarisë në Ukrainë, u trefishuan në vitin 2022, me në krye eksportet e karburanteve të prodhuara nga nafta ruse dhe vendi kanalizoi në mënyrë të tërthortë deri në 1 miliard euro armatime në Kiev, përmes Polonisë dhe Rumanisë.
Si një prodhues i madh i energjisë elektrike dhe metaleve, Bullgaria është shtëpia e rezervave të linjitit, qymyrit, plumbit, zinkut dhe bakrit dhe vendndodhja e saj në Detin e Zi dhe në kufirin me Turqinë, e bën Bullgarinë një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm për tubacionet dhe rrugët e transportit detar.
Bullgaria gjithashtu ndërton një pjesë të madhe të makinerive që janë të rëndësishme për prodhimin dhe ndërtimin në mbarë botën.
Është gjithashtu një qendër për teknologjinë në Europën Juglindore. Në edicionin e fundit të Indeksit të Konkurrueshmërisë së Teknologjisë në Europën në zhvillim, Bullgaria u rendit e dhjeta nga 23 shtetet në rajon dhe e teta për infrastrukturën dhe talentin në fushën e teknologjisë.
Payhawk, një platformë financiare-teknologjike, u bë kompania e parë “unicorn” në Bullgari vitin e kaluar, më pak se katër vjet pas themelimit.
Ndërsa veprimtaria ekonomike u ngadalësua vitin e kaluar, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), tejkaloi pritshmëritë me 3.4% për vitin 2022. Kjo rritje u nxit kryesisht nga konsumi privat dhe publik dhe eksporti neto i shërbimeve, pasi turizmi u rimëkëmb nga pandemia.
Dr. Rumen Dobrinsky, bashkëpunëtor në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW), i cili është autor i parashikimit të prillit për Bullgarinë, thotë për Emerging Europe se “muajt e fundit dëshmuan ngadalësim të mëtejshëm ekonomik, të provokuar nga faktorët e jashtëm dhe ata të brendshëm.
Kjo është më e theksuar në prodhim dhe eksport, për shkak të dobësimit të kërkesës në Europën Perëndimore”.
Megjithatë, kërkesa për armë dhe karburant në Ukrainë ka mbetur e qëndrueshme dhe disa kompani bullgare kanë lajmëruar për zgjerime në kapacitetet prodhuese. Kërkesa ukrainase pritet të qëndrojë e fortë, të paktën për aq kohë sa të vazhdojë lufta.
“Në të njëjtën kohë”, thotë Dr. Dobrinsky, “normat e interesit vazhdojnë të rriten, gjë që ndrydh kërkesën për kredi. Si pasojë, konsumi privat, i cili ishte shtytësi kryesor i rritjes, po dobësohet gjithashtu”.
Çmimet e konsumit, të matura nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), pritet të ulen nga 13% në vitin 2022, në 10% këtë vit dhe 7% vitin e ardhshëm. Dr. Dobrinsky parashikon rritjen e PBB-së në vitin 2023 me 1.7%.
Prirjet demografike negative përfaqësojnë një sfidë strukturore afatgjatë për rritjen e vazhdueshme. “Forca e punës vazhdon të tkurret, që është një prirje e qëndrueshme, për shkak të plakjes së popullsisë”, thotë Dr. Dobrinsky. “Kjo shkakton mungesa kronike të fuqisë punëtore në shumë sektorë. Tregu i ngushtë i punës nxit rritjen e pagave dhe ato vazhdojnë të rriten më shpejt se produktiviteti i punës”.
Fundi i paqëndrueshmërisë politike?
Një sfidë tjetër strukturore është mosfunksionimi i plotë i politikës bullgare. Pesë zgjedhje parlamentare janë mbajtur që nga viti 2020, por asnjëra nuk i ka dhënë ndonjë partie një mandat përfundimtar për qeverisje.
Kjo paqëndrueshmëri politike ka ndalur përparimin me prioritetet kryesore të politikave, si anëtarësimi në Zonën Shengen, Eurozonë dhe Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Ajo gjithashtu rrezikon qasjen në fondet e Planit të Rimëkëmbjes së BE-së dhe ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes fiskale të Bullgarisë.
Ministria e Financave e Bullgarisë, vlerëson se pa masa korrigjuese urgjente, deficiti i parave të gatshme mund të arrijë në 6 – 7% të PBB-së në vitin 2023.
Shpenzimet publike në vitin 2023, vazhdojnë të jenë në nivele jashtëzakonisht të larta, sepse Parlamentit të Bullgarisë i ka munguar një qeveri e rregullt që nevojitet për të miratuar një buxhet për vitin aktual, duke bërë që shpenzimet publike të vazhdojnë të jenë në nivelet e përcaktuara në buxhetin e një viti më parë.
Trajtimi i çështjeve fiskale, do të kërkonte shkurtimin e shpenzimeve publike, ose rritjen e taksave, asnjëra prej të cilave nuk ka të ngjarë të jetë politikisht popullore dhe kështu që nuk ka gjasa të zbatohet derisa të rikthehet qëndrueshmëria politike.
Useful article, thank you. Top article, very helpful.