Flet Oliver Petrovski, CEO i New Moment
Oliver Petrovski, CEO i Agjencisë publicitare “New Moment” pret që pranvera dhe vera të jenë emocionuese, si për klientët, edhe për ekipin tonë. Ai shton se bëhet fjalë për një ngjarje me audiencë të madhe televizive, që është një mundësi e madhe për të gjitha markat, jo vetëm ato që synojnë tifozët e sportit.
“Disa nga klientët tanë e kanë tashmë një ide të qartë se çfarë do të bëjmë rreth këtij kompeticioni të madh sportiv dhe ekipi pret me padurim që të fillojë çmenduria e Euro 2024”.
Cila është ecuria e tregut të marketingut në periudhën e fundit? A ka ndryshime në strategjitë e komunikimit dhe a reflektohen këto ndryshime në rialokimin e buxheteve të marketingut?
Me përjashtim të një viti, tregu i reklamave ka qenë në rritje të vazhdueshme vjetore në 7-8 vitet e fundit. Rritja ka ardhur kryesisht nga shtimi i investimeve në Digital, ndërkohë që mediat e tjera tradicionale si TV dhe reklamat jashtë dyerve (OOH) kanë shfaqur nivele pak a shumë të qëndrueshme në vitet e fundit.
Gjatë këtyre viteve, një pjesë e konsiderueshme e rritjes është gjeneruar edhe nga klientët më të vegjël dhe vendas, të nxitur nga “bileta hyrëse” më e lirë e reklamave dixhitale.
Lokomotivat tradicionale të tregut të reklamave – si telekomunikacionet dhe bankat, nuk kanë treguar rritje të konsiderueshme në investime, në krahasim me një dekadë më parë, për shembull.
Strategjitë e komunikimit kanë ndryshuar si pasojë e zhvendosjes së vëmendjes së konsumatorit dhe kohës së shpenzuar në media. Reklamimi dixhital, padyshim, ka një pjesë gjithnjë e më të madhe të buxheteve tona.
Për sa i përket televizionit (“linear TV”), trendi i fokusimit në televizionin live dhe ngjarjet e mëdha televizive është në rritje të vazhdueshme në dekadën e fundit, veçanërisht në vitet e fundit.
Si e shihni interesin për investimin e buxheteve të marketingut në aktivitete sportive? (A ka një tendencë në rritje…?)
Televizioni varet gjithnjë e më shumë nga ngjarjet e drejtpërdrejta televizive. Kjo është përmbajtje që njerëzit nuk duan ta shohin në ritransmetim, por Live. Transmetimet sportive janë një nga shembujt kryesorë. Ato tërheqin numrin më të madh të shikuesve televizivë.
Ato tërheqin buxhetet e markave, pasi njerëzit, veçanërisht në Shqipëri, parapëlqejnë të shohin sporte në ekranin e madh (TV). Transmetimi i sporteve në internet (tabletë, telefon, laptop, CTV) nuk është ende një tendencë e fortë.
Në tregjet perëndimore, investimi në reklama në transmetimet sportive po rritet me 15-20% në vit në disa nga tregjet më të mëdha. Inventari i reklamave të tyre shitet rregullisht 90-95%, ose shpesh plotësisht.
Pres që shpenzimet e reklamave në transmetimet sportive në Shqipëri të vazhdojnë të rriten gjatë viteve të ardhshme.
Çfarë i motivon subjektet tregtare që të ndajnë buxhetin e reklamave për ngjarjet sportive, veçanërisht për futbollin?
Futbolli është sporti më popullor në Shqipëri. Kampionati Europian që po afron do të jetë një mundësi e shkëlqyer për markat, për t’u ekspozuar para një publiku të madh dhe të vëmendshëm.
Një minus i vogël është zakoni vendas për të parë ndeshjet mes grupeve të mëdha të miqve në lokale, veçanërisht ndeshjen e dytë të ditës (ajo në orët e vona të mbrëmjes); ai stil i shikimit ul pak metrikën e vëmendjes në krahasim me shikimin në shtëpi.
Por gjithsesi, ne po flasim për një audiencë të madhe televizive dhe kjo ngjarje është një mundësi e mirë për të gjitha markat, jo vetëm ato që synojnë tifozët e sportit.
Si dhe sa e parashikoni si agjenci ngarkesën e punës në kuadër të një kampionati si UEFA Euro 2024? (shërbimet e agjencive për shportën tuaj, fushatat e komunikimit, përgatitja e materialeve kreative, blerja e mediave, etj.)
Do të jetë një pranverë dhe verë emocionuese, si për klientët, edhe për ekipin tonë. Kjo përfshin jo vetëm departamentin e medias, por të gjithë agjencinë, pasi aktivizimet rreth UEFA Euro 2024 do të përfshijnë shumë aktivitete krijuese dhe të eksperiencës.
Ne jemi duke punuar që tani, disa nga klientët tanë e kanë tashmë një ide të qartë se çfarë do të bëjmë rreth kësaj gare të madhe sportive dhe ekipi pret me padurim që të fillojë çmenduria e Euro 2024.
LEXONI EDHE:
Të gjithë sytë tek Europiani, pritet audiencë rekord
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.