Nokia do të shkurtojë deri në 10 mijë vende pune në të gjithë botën

16/03/2021 4:48 PM 0 komente

Gjiganti finlandez i telekomunikacioneve, Nokia, do të shkurtojë nga 5 mijë deri në 10 mijë vende pune në të gjithë botën në dy vitet e ardhshme, për të reduktuar kostot.

 

Nuk është ende e qartë se ku do të ndodhë pjesa më e madhe e shkurtimeve, por Nokia tha se rreth 96 vende pune në Mbretërinë e Bashkuar janë në rrezik si pjesë e reduktimit të shpenzimeve prej 600 milionë eurosh (518 mln sterlina).

Nokia synon të rimëkëmbet me 5G dhe parashikon të investojë në cloud computing dhe në kërkimin mbi infrastrukturat dixhitale. Kompania ka aktualisht 90 mijë punonjës në mbarë botën dhe ka shkurtuar mijëra vende pune që nga viti 2015.

“Aktualisht presim që procesi i konsultimit në Mbretërinë e Bashkuar të mbulojë rreth 96 vende pune të vlerësuara – tha një zëdhënës i Nokia-s. – Megjithatë, në këtë fazë, këto janë vetëm vlerësime. Është shumë shpejt për të folur në detaje, pasi sapo kemi njoftuar komitetet lokale të punës dhe presim që proceset e këshillimit të nisin së shpejti, aty ky është e mundur”. Në vitin 2018, Nokia punësoi njerëz në 100 vende. Në Finlandë, selia e kompanisë, rreth 300 vende pune ka të ngjarë të mbyllen, kryesisht në selinë qendrore në Helsinki, tha një përfaqësues i sindikatës. Franca, ku kompania shkurtoi më shumë se 1 mijë vende pune vitin e kaluar, nuk do të përfshihet në këtë valë të fundit shkurtimesh.

CEO i kompanisë, Pekka Lundmark, tha: “Vendimet, që mund të kenë ndikim të fortë te punonjësit tanë, nuk merren kurrë lehtë. Përparësia ime është të siguroj që të gjithë punonjësit [që do të goditen] të mbështeten nëpërmjet këtij procesi”.

Pasi mori detyrën vitin e kaluar, z. Lundmark bëri ndryshime, pasi hapat e gabuar të produktit nën drejtimin e mëparshëm të kompanisë dëmtuan ambiciet e Nokia 5G. Ristrukturimi synon të rrisë performancën e Nokia ndaj rivalëve si Ericsson i Suedisë dhe Huawei i Kinës.

Burimi: BBC

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of