One do të vazhdojë të udhëheqë zhvillimin teknologjik në vend
ULTRA UNLIMITED nga ONE, risi në tregun shqiptar
Të dhënat statistikore të AKEP për tremujorin e dytë të këtij viti treguan se ONE ka shënuar një rritje me 18% të numrit të përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare, ndërsa tashmë zotëron 39% të tregut sipas këtij treguesi. Cila eshte arsyeja qe shtyn gjithmone e më shumë përdorues te zgjedhin kompaninë tuaj për të komunikuar? Ku mbështetet rritja e pjesës suaj të tregut?
Ne erdhëm në treg me vizionin për të investuar, në mënyrë që t’i ofrojmë abonentëve përvojën më të mirë celulare. Ditë pas dite, po e dëshmojmë që vizioni ynë ishte i duhuri. Pas investimeve të mëdha që kryem në modernizimin e krejt rrjetit, dëgjuam nevojat e abonentëve dhe sollëm paketa dhe produkte të përshtatura për nevojat e tyre. Në një vjetorin e markës ONE Telecommunications, ne shënojmë një seri arritjesh.
Rrjeti ynë është certifikuar me pëvojën më të mirë të klientit nga Umlaut, një kompani ndërkombëtare e specializuar në matjet e cilësisë së rrjetit. Me konsulencë nga kompani prestigjioze ndërkombëtare, rimodeluam dyqanet dhe i kthyem në pika shërbimi ku çdo klient gjen atë që kërkon, në mënyrë komode. Ri-themeluam standartet e shërbimit të klientit, duke i dhënë prioritet zgjidhjes në kohë në shpejtë dhe me profesionalizëm të çdo çështjeje të abonentëve. Zgjodhëm Ericsson si partnerin tonë teknologjik, duke garantuar cilësi dhe siguri në rrjet. Iu bashkuam inisiativës së Departamentit Amerikan të Shtetit “Rrjet i Pastër”, si i vetmi operator në Rajon që kemi një rrjet të sigurt. Sollëm në treg mundësinë e blerjes së telefonave të mençur me pagesa të ulta mujore, një praktikë mjaft e përhapur në tregun evropian. Ishim të parët që nxorëm paketat pa limit dhe tashmë vijmë përsëri me një risi në treg, me paketat ULTRA UNLIMITED, me kontratë. Paketa ULTRA UNLIMITED është një produkt i jashtëzakonshëm pasi shkon një hap përtej: jo vetëm interneti është pa limit, por edhe shpejtësi e pa reduktuar.
Të gjitha këto janë arritje që abonentët i kanë ndjerë gjatë përvojës së tyre dhe kanë filluar të zgjedhin ONE çdo ditë e më shumë. Kjo konfirmohet edhe nga rezultatet e fundit të ndarjes së tregut.
Edhe tremujori i dytë i vitit tregoi rritje me ritme të larta të volumit të të dhënave (trafikut të internetit) nga rrjetet celulare. Çfarë rëndësie konkurruese ka sot cilësia e shërbimit të internetit dhe si është e pozicionuar ONE në këtë shërbim?
Që prej vitit të kaluar, koncepti që ka udhëhequr në produktet tona ka qenë “pa limit”. Çdo ditë e më shumë, interneti po merr rëndësi shumë të madhe për qytetarët. Nuk është më vetëm vëllimi i internetit ajo çfarë kërkon klienti, por edhe ta aksesojnë nga kudo, me shpejtësi të lartë dhe pa asnjë shkëputje. 75% e trafikut të internetit përdoret për video, ndaj kërkohet që cilësia e internetit të jetë superiore. Duke u nisur nga studimet e tregut, interneti po fiton avantazh kundrejt thirrjeve apo sms-ve. Bazuar mbi nevojat e tregut, ne transformuam gjithë rrjetin e antenave për të rritur kapacitetet e rrjetit 4G dhe 4G+, për të garantuar mbulim me internet në 98.5% të vendit.
Këtë vit është shënuar një rritje e lartë e numit të vizitorëve të huaj, sidomos gjatë sezonit veror. A ka sjellë gjallërimi i turizmit një ndikim në biznesin e operatorëve celularë?
Si i vetmi operator telekomunikacioni me pronësi Shqiptare, ne jemi shumë të lidhur me Shqipërinë dhe mendojmë që turizmi ka potencial fantastik. Këtë e dëshmoi edhe ky sezon turistik i cili kishte shifrat më të larta ndonjëhërë të turistëve në rrjetin tonë. Ne u përgatitëm që t’i jepnim turistëve shërbimin më të mirë të mundshëm duke ofruar paketa turistike enkas për nevojat e tyre. Gjithashtu, ne ishim të parët që nisëm projektin #UdhetoMeOne, i cili kishte për qëllim promovimin e vendit, duke ndarë me të gjithë bukuritë mbresëlënëse të Shqipërisë, përmes rrjetit ONE. Gjatë këtij sezoni turistik, ne rritëm pikat e shitjeve në të gjitha vendet turistike, për të qenë pranë abonentëve tanë. Për t’i shtuar vlerë edhe skenës kulturore, ne iu bashkuam festivalit UNUM, më i madhi që u zhvillua në Europë, që prej mbylljes nga pandemia. Më pas, shoqëruam turistët përmes festivalit të Porto Palermos ne Himarë dhe Za Fest në Shkodër. Angazhimi ynë për mbështetjen dhe promovimin e turizmit ka dhënë impakt pozitiv në biznesin e One Telecommunications.
Që prej 1 korrikut, ka hyrë në fuqi faza finale e projektit roam like home, me pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Si ka funksonuar deri tani ky proces dhe a do të sjellë një ndikim negativ në të ardhurat e operatorëve celularë shqiptarë?
Procesi u përmbyll pa probleme, dhe të gjithë operatorët shqiptarë e kryen brenda afatit. Ne e shohim këtë si një lëvizje pozitive për klientët dhe operatorët në periudhë afat-gjatë. Qëllimi ynë është të ofrojmë shërbimin dhe t’i japim klientëve mundësinë që të komunikojnë, pavarësisht vendndodhjes së tyre. Ndonëse impakti financiar nuk është pozitiv për operatorët për momentin, kjo do të ketë një impakt pozitiv parë në aspektin afat-gjatë, pasi ne besojme që lëvizja e lirë në Ballkan do të rrisë numrin e përdoruesve si edhe volumin e përdorimit. Për më tepër, nga ana e shërbimit, kjo jep lehtësi për përdoruesit pasi mund të përdorin shërbimet njësoj si në shtëpi.
Qeveria shqiptare vendosi të shtyjë planet e implementimit të teknologjisë 5G pas vitit 2022. E shihni teknologjinë 5G si një nevojë të shpejtë të tregut dhe çfarë ndryshimesh mund të sjellë ajo në shërbimet celulare?
Ne jemi dakord me planet e qeverisë. Fatkeqësisht, ne nuk shohim asnjë rast zbatueshmërie të 5G-së për tregun shiptar në këtë moment. Rrjetet 4G në shiqpëri janë shumë të mira dhe kanë kapacitetin që t’i përgjigjen nevojës së klientit. Ka ende çështje të hapura rreth 5G-së, të cilat duhen diskutuar dhe adresuar me qeverinë (frekuencat, çmimi i spektrit, rregullat e ndërtimit të BTS, etj), prandaj afati i vendosur është i arsyeshëm.
Autoriteti i Konkurrencës dhe AKEP kanë evidentuar vitin e kaluar praktika të përdorimit të çmimeve grabitqare në tregun celular. Konstatoni ende ekzistencën e praktikave të tilla dhe a mendoni se kjo lloj konkurrence mund të cenojë përfitueshmërinë e operatorëve celularë dhe mundësitë për të mbështetur investimet në të ardhmen?
Ne besojmë në konkurrencë dhe jemi të gatshëm të konkurrojmë. Por nuk mendojmë se çmimi është e vetmja mënyrë për të konkurruar. Është shumë e lehtë që nga konkurrenca e çmimeve “normale” të shkosh në çmime jo normale të cilat shkojnë nën kosto duke prekur fitimet e operatorëve, duke cënuar aftësinë për të bërë investime si dhe duke cënuar cilësinë e shërbimit ndaj klientit. Mënyra më e mirë dhe më e qëndrueshme për konkurim është t’u ofrosh klientëve vlerë të shtuar, me çmime të leverdisshme, duke u mbeshtetur në një infrastrukturë moderne, të pastër, dhe të sigurt: këto janë avantazhe që One ua ofron të gjithë klientëve.
Çfarë duhet të presim nga One në të ardhmen e afërt?
Fokusi ynë do vazhdojë të jetë klienti. Tashmë u bë një vit që nxorrëm brandin e ri, kemi sjellë disa risi dhe do të vazhdojmë të jemi novatorë për abonentët. Sikurse e thash edhe më lart, tashmë kemi nxjerrë planet e reja Ultra Unlimited. Në vijim të konceptit “pa limit” sollëm këto paketa që ofrojnë përvojë pa limit në disa dimensione; pa limit në minuta, në internet, në shpejtësi, etj. Ne besojmë tek ky produkt dhe mbi të gjitha, besojmë tek potenciali që kemi për të sjellë gjithmonë në treg atë që abonentët kanë vërtetë nevojë. Ne do të vazhdojmë të sjellim risi teknologjike në tregun shqiptar dhe gjithashtu, do të vazhdojmë të udhëheqim digjitalizimin ekonomik të vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.