Pajisja wireless, e zhvilluar në Fakultetin e Mjekësisë në Haifa, bllokon dhimbjen nëpërmjet stimulimit elektrik. Në këtë mënyrë janë kuruar më shumë se 200 lloje migrene
Një pajisje wireless që kontrollohet nga një smartphone, së shpejti mund të ndihmojë njerëzit të luftojnë një ndër patologjitë më të bezdisshme: migrenën. Pajisja hi-tech, sipas zërave, është në gjendje të reduktojë dhimbjen pa qenë e nevojshme përdorimi i ilaçeve.
Ky është përfundimi i një eksperimenti, i cili drejtohej nga David Yarnitsky, kërkues në Fakultetin e Mjekësisë në Haifa (Izrael), i publikuar në “Neurology”, revistë e American Academy of Neurology. Për të bllokuar migrenën, pajisja wireless përdor stimulimin elektrik. Sipas studimit, impulset pengojnë dhimbjen që të arrijë në tru.
Pajisja është testuar në 71 pacientë që vuanin shpesh nga migrena dhe që nuk kishin përdorur asnjë medikament për të paktën dy muaj para se t’i nënshtroheshin studimit. Rezultatet ishin shpresëdhënëse: pjesa më e madhe e personave që iu nënshtruan eksperimentit patën një reduktim të dhimbjes.
Janë kuruar 229 lloje migrene
Eksperimenti parashikonte që vullnetaret të vendosnin pajisjen dixhitale rreth krahut menjëherë sapo të fillonte dhimbja dhe ta mbanin për të paktën 20 minuta.
Për të reduktuar në minimum efektin placebo, pajisja herë pas here dërgonte stimulime false. Studimi tregoi se rreth 64 për qind e pacientëve pati një reduktim të dhimbjes gjatë fazës së stimulimit, ndërsa 50 për qind, dy orë pas përfundimit të eksperimentit.
Tek personat që iu nënshtruan këtij eksperimenti shkencor, niveli i dhimbjes kaloi, pas stimulimit elektrik, nga i fortë në të dobët. Sipas rezultateve të kërkimit, pajisja smart është në gjendje të kurojë 229 tipologji migrene.
Pajisja kontrollohet nga smartphone
Ky studim hap dyer të reja për mjekësinë që prej vitesh përpiqet të zgjidhë problemin e migrenës pa përdorur medikamente të cilët, siç e dimë, pas një kohe të gjatë mund të kenë efekte anësore, disa edhe të rënda.
Për herë të parë, në krahasim me sisteme stimulimi tradicionale, pajisja është në gjendje të kurojë migrenën pa përdorur tela dhe elektroda që vendosen në kokën e pacientit. Pajisja e krijuar nga grupi kërkimor i Fakultetit të Mjekësisë në universitetin izraelit, mund të kontrollohet drejtpërdrejt nga telefoni smartphone, nëpërmjet një programi të posaçëm.