Pandemitë e ardhshme mund të jenë më vdekjeprurëse se kriza aktuale e Covid-19, ka paralajmëruar një nga krijuesit e vaksinës Oxford-AstraZeneca.
Prof. Dame Sarah Gilbert tha se duhej të kishte më shumë fonde për gatishmërinë ndaj pandemisë për të parandaluar humbjen e avancimeve të bëra deri më tani në shëndetësi.
“Kjo nuk do të jetë hera e fundit që një virus kërcënon jetën dhe jetesën tonë. E vërteta është se tjetra mund të jetë më e keqe. Mund të jetë më ngjitëse, më vdekjeprurëse, ose të dyja.
“Ne nuk mund të lejojmë një situatë ku kemi kaluar gjithçka që kemi kaluar, dhe më pas të mos kemi fonde për gatishmërinë ndaj pandemisë. Avancimet që kemi bërë dhe njohuritë që kemi fituar, nuk duhet ti humbasim. Në të njëjtën mënyrë që investohet për ushtri apo diplomaci në mënyrë që të shmanget një luftë, ashtu duhet investuar edhe në njerëz, kërkime shkencore dhe institucione për t’u mbrojtur nga viruset”.
Ajo gjithashtu paralajmëroi se vaksinat mund të jenë më pak efektive kundër variantit Omicron.
“Derisa të dimë më shumë, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ndërmarrim hapa për të ngadalësuar përhapjen e këtij varianti të ri.”/ BBC