Nga Nini MANO
Ndërsa standardi europian parashikon që çdo vend të ketë 20% sipërfaqe zona të mbrojtura, në Shqipëri, edhe pse 10 vitet e fundit kjo sipërfaqe është trefishuar, 15 parqet kombëtare mbulojnë vetëm 16% të territorit, ose 460 mijë hektarë, ndryshe 4600 kilometra katrorë. Shqipëria është bërë pjesë e nismës “Parqet e Harkut Dinarik” e Fondit Botëror për Jetën e Egër, WWF në zonën e Ballkanit, që synon krijimin e një platforme për zonat e mbrojtura. Në rajon, modelet më të mira vijnë nga Sllovenia dhe Kroacia, ku parqet kombëtare janë pararoja e zhvillimit natyror me shumë pyje dhe ishuj, të njohur në botë dhe me fluks të madh për turistët, ku përfitimet ekonomike kanë zhvilluar zonat e banuara atje. Ndryshe nga vendet në rajon, sot Shqipëria nuk ka ende ndonjë studim mbi peshën që ka turizmi malor nga zonat e mbrojtura në ekonominë lokale dhe atë të vendit dhe as statistika.
Edhe parqet natyrore kombëtare mund të kthehen në një rrugë të efektshme për të krijuar të ardhura të mira ekonomike, nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm, përveçse kthehen dhe në një element të fortë integrimi për vendet e Ballkanit. Këtë e synon nisma “Parqet e Harkut Dinarik” e Fondit Botëror për Jetën e Egër, WWF, me financimin e Ministrisë së Jashtme Suedeze dhe fondacionit MAVA, që përfshin Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Slloveninë, duke arritur në krijimin e një platforme për zonat e mbrojtura. Me mjaft rëndësi mbetet fakti që po zhvillohet për herë të parë vlerësimi i përfitimeve për këto zona.
Menaxheri i projektit për Shqipërinë, Abdullah Diku, tregon se “Projekti i Parkut Dinarik, gjeografikisht i njohur kohë më parë, po ku çdo vend ka problematikat e ndryshme, është shumë interesant, pasi mbulon tematika të ndryshme në secilin prej tyre. Ideja është që të këtë një rrjet aktiv për këmbimin e përvojave më të mira dhe mbrojtjen e parqeve në secilin vend. Ndonëse Harku Dinarik si gjeografi përfshin zonat e lumit Drin, në Shqipëri përfshihen gjithë zonat pyjore, me qëllim krijimin e një rrjeti të parqeve natyrore të mbrojtura. Shqipëria ka marrë angazhimet më të mëdha në këtë projekt për zonat e mbrojtura, megjithatë ka problematikat e saj, sepse jemi të parët në angazhime dhe të fundit në realizimin e tyre, pra jemi ende me administrimin më shumë jonormal të zonave të mbrojtura. Në 10 vitet e fundit, sipërfaqja e zonave të mbrojtura është trefishuar, çka është tregues i mirë, por në kuadër të angazhimeve që kemi ndaj BE, ku standardi e kërkon që 20% e vendit duhet të jetë zonë e mbrojtur, ka shumë punë për të bërë, sepse ne kemi sot 16% të territorit, ose 460 mijë hektarë, ndryshe 4600 kilometra katrorë zona të mbrojtura dhe këto janë disbalanca në kuadër të projektit”. Edhe pse projekti përfshin gjithë territorin, puna është përqendruar në parqet kombëtare, me të cilat çdo vend krenohet për tërheqjen e turistëve.
Shqipëria deri më sot ka 15 parqe kombëtare: Thethi, Valbona, Vermoshi, liqeni i Prespës që është shpallur dhe zonë Ramsar; Bredhi i Drenovës, park shumë interesant edhe për traditat; mali i Tomorit me rreth 24 mijë hektarë shërben dhe si vend pelegrinazhi masiv; Parku Detar i Karaburunit – Sazan, i pari i këtij lloji te ne si zonë e mbrojtur detare me shumë arkeologji ujore të pazbuluara ende; Llogoraja dhe Butrinti, që mbeten elita e parqeve tona për arkeologjinë që janë shpallur si zonë Ramsar; Divjaka, Dajti, Qafë Shtama, Lura, Shebeniku.
Standardet e BE-së, detyrat e shtëpisë për Shqipërinë
“Në Shqipëri, ne synojmë që të zhvillojmë katër çështje kryesore që lidhen me rritjen e zhvillimit të turizmit në parqet kombëtare; kujdesin ndaj ndryshimeve klimatike, çështje e madhe globale, që përfshin dhe zonat e mbrojtura; integrimi i vendit në BE, që kërkon plotësimin e standardeve dhe për parqet natyrore, vlerësimi nga përfitimet ekonomike prej tyre, një tregues i futur nga WWF, me synim që të bëhen bashkë të gjithë aktorët në zonat e mbrojtura. Kjo metodologji që po zbaton nisma për Parqet Dinarike me përfitimet reale, u jep dorë vendimmarrësve për zonat e mbrojtura në aspektet ligjore, mbrojtëse, promovuese, etj.”, shpjegon z. Diku. Zhvillimi i sektorit të natyrës ecën paralelisht me ekonominë e vendit dhe modelet vijnë nga Sllovenia, që mbetet pararojë dhe model i mirë për vendin tonë si dhe Kroacia, ku parqet kombëtare janë kthyer në pararojën e zhvillimit natyror, si vend me shumë pyje dhe ishuj, që me kujdes janë kthyer sot në një atraksion të madh për turistët. Sipas z. Diku, Shqipëria mbetet pas vendeve të tjera, pasi deri më sot mungon qoftë dhe një studim mbi peshën që ka turizmi malor nga zonat e mbrojtura në ekonominë lokale dhe të vendit dhe nuk ka as statistika. Në Kosta Rika, vend i dalluar për zonat e mbrojtura, p.sh., 26% e PBB-së vjen pikërisht vetëm nga zonat e mbrojtura me zhvillimin që ato kanë. Edhe vendet fqinje kanë statistika në këtë drejtim, sepse atje zonat e mbrojtura funksionojnë si ndërmarrje më vete, me buxhet vjetor, ku edhe të ardhurat nga vizitorët përkthehen në paketa zhvillimi. “Ne ende nuk kemi të tilla të dhëna ekonomike dhe vendimmarrësit nuk kanë një studim me statistika të tilla. Po mundohemi të bindim Ministrinë e Mjedisit që organizimi i zonave të mbrojtura nuk duhet të jenë më eksperimentale, pasi sot, në Shqipëri këto zona janë në proces menaxhimi të pangjashme me të tjerat, ku nuk dihet cili është përgjegjësi, menaxhuesi, kontrolluesi për aktivitetet e paligjshme, për vizitorët, etj. Nëse këto nuk rishikohen, Shqipëria rrezikon të ketë zona të mbrojtura. Ndryshe ndodh në vendet rreth nesh, ku çdo zonë ka një menaxher, buxhet, siguron të ardhura, ka llogari të vetën përveç të ardhurave edhe nga buxheti dhe janë parqe me buxhet po aq sa ka sot te ne Ministria e Mjedisit në Shqipëri”.
Parqet natyrore, pika të forta të zhvillimit të qëndrueshëm turistik
Projekti për Harkun e Parqeve Dinarike për pjesën e Shqipërisë po punon që ta përfshijë Parkun e Valbonës në rrjetin e parqeve më të famshme në Europë, duke synuar zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm si turizëm elitar natyror. Përfitimet lidhen me fizibilitetin e parkut dhe me rritjen e të ardhurave për banorët përmes bizneseve. Shqiptarët duhet të zbulojnë bukuritë e Shqipërisë para se të shikojnë vendet e tjera, shprehet z. Diku.
Ndërsa Projekti për Parqet Dinarike i nisur në tetor 2013 përfundon në fundin e këtij viti, Shqipëria ka sot broshurën e parqeve natyrore, website në dy gjuhë në funksion të vizitorëve, fletëpalosjet për çdo park. WWF po negocion për të siguruar financime të tjera për zhvillimin e zonave, ku Shqipëria ka shumë nevoja, shpjegon ecurinë Abdullah Diku. Sipas tij, asnjë zonë nuk mbrohet pa pjesën integrale të banorëve, që i kanë menaxhuar ndër shekuj dhe sot si aktorë të rëndësishëm, duhen inkurajuar edhe si pjesë e traditave kulturore. “Zhvillimi i zonave synon traditën dhe jo modernitetin dhe ku pa harxhuar, banorët përfshihen dhe fitojnë nga menaxhimi i parqeve të mbrojtura, duke arritur në një zhvillim i qëndrueshëm. Ne po zbatojmë pikërisht një metodologji, që përfshin numër të madh aktorësh si banorë, bletërritës, biznese turistike, blegtorë, fermerë, artizanatin e zonës, pikërisht për këto analiza përfitimesh. Njerëzit e kanë kuptuar se mirëqenia e tyre bazohet në zhvillimin e zonave të mbrojtura, ndaj dhe janë mjaft të angazhuar. Ata e kanë kuptuar tashmë se jo prerja e pyjeve, por mbrojtja e tyre u rrit të ardhurat nëpërmjet organizimit të turizmit. Dhe modele pozitive ne kemi sot Parkun e Valbonës, një ndër parqet që ka ecur më shpejt në drejtim të infrastrukturës, ku ka ujë e drita 24 orë, apo në Theth ku nëse rruga do jetë më e mirë, do të ketë fluks më të madh, po ashtu në Sazan, Divjakë, Theth, Prespë. Rëndësi ka që po punohet me parqet dhe ka tendencë pozitive që të zhvillohet ky lloj turizmi shumë më tepër nga sot”.
Media, partner i rëndësishëm i promovimit të turizmit natyror
Odeta Stavri, Drejtore PR e Projektit për Parqet Dinarike, vlerëson rolin që ka media në promovimin e natyrës shqiptare. “Sot, media ka më shumë pozitivitet për të mbuluar çështjet, pasi më parë shumë pak media ishin të gatshme të shkonin në zona të thella, kurse sot ka ekipe gazetarësh që nisen të promovojnë turizmin. Është kuptuar se kolona e natyrës përbën thelbin e konkurrencës me vendet fqinjë si Greqia, apo Italia, që kanë shumë avantazhe të tjera dhe kjo lloj nxitje është kuptuar nga mediat, që pasi e kanë identifikuar këtë komponent, po punojnë ta forcojnë. Por ende gjithçka mbetet sezonale, pasi përqendrohen vetëm në verë, kurse duhet parë edhe se ç’ndodh në dimër në këto zona, sepse Lura është shumë e bukur, në malin e Tomorit mund të bësh ski, pra janë shumë më tepër se stina e verës për turizmin masiv dhe shumë potenciale për median në të ardhmen. Ideja e Projektit për Parqet Dinarike është ndryshe nga të tjerët, pasi prek të gjithë elementet e natyrës, mbrojtjen, kulturën, turizmin pra të gjithë komponentët që nxisin zhvillimin për të ardhmen. Është koha që dhe media duhet ndoshta të futet në studime më të thelluara për parqet, ku fshihen kafshët e rralla, po ku veshjet, kultura krejt të veçanta e dallojnë vetë Shqipërinë në raport me vendet e tjera”.
Abdullah Diku gjykon se deri tani, politikat e promovimit kanë synuar vetëm turizmin e plazheve, pra sezonale, kur kemi gjithë këtë sipërfaqe që duhet eksploruar, dhe ndonëse diçka ka nisur, ecja është e ngadaltë. Ministria e Turizmit dhe ajo e Mjedisit duhet të bëjnë më shumë për promovimin e parqeve kombëtare për të njohur vlerat e tyre me gjithçka kanë traditat, veshjet, kultura, pra duhet një paketë e plotë, një mënyrë e integruar e komponentëve, mjaft e kërkuar nga turistët dhe ku rol kryesor kanë banorët e zonave të mbrojtura. “Mikpritja e tyre është vlerë e pashkruar gjëkundi, por që përbën vlera tërheqëse për çdo turist. Ne kemi dy shembuj të mirë, Komuna Margegaj në Valbonë, që hap çdo vit në maj sezonin turistik, ndërsa organizon aktivitete si “Ora e poezisë”, “Sofra dardane”, shumë të rëndësishme në tërheqjen e turistëve. Shembull shumë i mirë është dhe Orikumi, që punon mirë për promovimin e Parqeve Kombëtare të Llogorasë dhe të Karaburunit, elemente që zhvillojnë zonat e mbrojtura”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.