Pas shfuqizimit të pjesshëm që Gjykata Kushtetuese vendosi për ligjin e studentët e mjekësisë, Ministria e Shëndetësisë ka propozuar ndryshimet në ligj, për uljen e afatit të qëndrimit të sapo diplomuarve në Shqipëri nga 5 deri në 3 vjet.
Projektligji “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, i publikuar te konsultimet publike parashikon dispozita kalimtare mbi shtrirjen e efekteve të dispozitave të këtij projektligjit të cilat do të jenë nga viti akademik 2024-2025 deri në vitin akademik 2028-2029.
Propozimet për miratimin e ligjit të mëparshëm u shoqëruan me protesta nga studentët e Universitetit të Mjekësisë për shkak të detyrimit të punësimit të mjekëve të sapo diplomuar jo më pak se 5 vjet në sistemin shëndetësor shqiptar.
Ligji i ri u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më 21 Korrik 2023 nga Kuvendi i Shqipërisë, pas shqyrtimit të tij nga komisionet parlamentare nëpërmjet procedurës së përshpejtuar.
Pas ankimit të tij në Gjykatën Kushtetuese, në muajin shkurt 2024, kjo e fundit mori vendimin për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit, si dhe përcaktohej të ulej afati i punësimit të detyrueshme të studentëve në Shqipëri pas diplomimit.
Në ligjin e mëparshëm përcaktohej se, pas diplomimit studentët e mjekësisë ishin të detyruar të qëndronin të punësuar në vend për një periudhë 5 vjeçare. Ndryshimet ligjore prekin edhe studentët e tjerë nga viti i dytë deri në të katërtin, të cilët do të ishin të detyruar të nënshkruanin marrëveshje para nisjes së vitit të ri akademik duke pranuar të punojë jo më pak se 3 vite në vend.
Për këtë kategori projektligji propozon ulje të afatit të qëndrimit nga 3 në 2 vite.
Projektligji i propozuar:
Neni 1 i projektligjit parashikon se në nenin 1 ku përcaktohet objekti i ligjit pas fjalëve “…për trajtimin e studentëve…” të shtohen fjalët “… shtetas shqiptar…”. Ky përcaktim ka për qëllim të përjashtojë nga zbatimi i të drejtave dhe detyrimeve sipas këtij ligji shtetasit jo shqiptarë, duke qenë se kryesisht studentët e huaj apo nga trojet kanë përcaktime të veçanta për regjistrimin e tyre në institucionet publike të arsimit të lartë në fushën e mjekësisë.
Neni 2 i projektligjit parashikon se ndryshimet në nenin 4 të ligjit nr. 60/2023 duke parashikuara se në nenin 4, pika 1, shkronja “b” fjalët “5 (pesë) vjet” të zëvendësohen me fjalët “3 (tre) vjet”.
Në nenin 4, pika 1, shkronja “c”, me fjalët “5-vjeçar” të zëvendësohen me fjalët “3-vjeçar”.
Në nenin 4, pika 2, shkronja “a”, fjalët “3 (tre) vjet” të zëvendësohen me fjalët “2 (dy) vjet”. Në nenin 4, pika 2, shkronja “b”, fjalët “3-vjeçar” të zëvendësohen me “2-vjeçar”. Në nenin 4, pika 3, shkronja “a”, fjalët “2 (dy) vjet” të zëvendësohen me fjalët “1 (një) vit”. Në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, fjalët “2-vjeçar” të zëvendësohen me fjalët “1-vjeçar”.
Neni 3 i projektligjit parashikon plotësimin e ometimit ligjor në nenin 6, të ligjit nr. 60/2023, “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, mbi procedurat dhe kriteret objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, si dhe përllogaritjen e pagesës së periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim.
Konkretisht duke parashikuar riformulimin e nenit 6 si vijon: Në pikën 1 përcaktohet se studenti që përfundon programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë dhe ka nënshkruar marrëveshje sipas përcaktimeve të këtij ligji, në momentin e lindjes së të drejtës për punësimin e tij, ndiqen procedurat e mëposhtme: a) punësohet në institucionet shëndetësore sipas nevojave për mjekë të shpallura nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe përzgjedhja e vendeve të punës bëhet nga mjeku i licensuar, në bazë të renditjes sipas notës mesatare të përfundimit të studimeve; b) koha e kryerjes së procedurës për punësimin e mjekut nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, është brenda 3 (tre) muajve nga momenti i lindjes së të drejtës për punësim.
Në pikën 2 përcaktohet se në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 (tre) muajve për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 (nëntë) muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 (nëntë) mujore në institucionet shëndetësore publike. Në pikën 3 përcaktohet se periudhat sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, përfshihen brenda afateve të përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji kur mjeku punësohet, në rast të kundërt pas përfundimit të tyre, konsiderohet i përmbushur detyrimi sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe mjeku ka të drejtën të pajiset me diplomën përkatëse universitare. Në pikën 4 autorizohen ministri përgjegjës për arsimin dhe ministri përgjegjës për shëndetësinë, për të përcaktuar me udhëzim të përbashkët mënyrën dhe procedurat e punësimit me prioritet.
Neni 4 i projektligjit parashikon dispozita kalimtare mbi shtrirjen e efekteve të dispozitave të këtij projektligjit të cilat do të jenë nga viti akademik 2024-2025 deri në vitin akademik 2028-2029.
Neni 5 i projektligjit parashikon hyrjen në fuqi të tij, duke përcaktuar se ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.