Flet Tahseen Sayed, Përfaqësuese e Përhershme e zyrës së BB në Shqipëri
Do të jetë zbatimi i mirë i programit të reformave strukturore ai që do të përcaktojë perspektivat e rritjes për Shqipërinë. I këtij mendimi është znj. Tahseen Sayed, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së BB në Shqipëri. Ajo pohon se disa prej reformave kryesore përfshijnë përmirësimin në klimën e biznesit dhe reformat për të trajtuar numrin e lartë të kredive të këqija mund të forcojnë më tej investimet private dhe konsumin në një periudhë afatmesme. Fushat e përparësisë përfshijnë konsolidimin fiskal dhe menaxhimin e risqeve fiskale, përparimin në trajtimin e numrit të lartë të kredive të këqija, reformat shtesë në sektorin e energjisë dhe forcimin e menaxhimit të investimeve publike.
Cili është vlerësimi i ecurisë ekonomike (të vendit) gjatë vitit 2016?
Ekonomia shqiptare e ka ruajtur trajektoren e vet të rritjes dhe vazhdon të bëjë përparime në disa drejtime të ndryshme, me parashikimin që rritja e PBB-së për vitin 2016 të arrijë 3,2%. Rimëkëmbja ekonomike në vitin 2016 është mbështetur nga investimet private dhe mëkëmbja e konsumit familjar. Investimi privat kryesohet në shkallë mbizotëruese nga projektet e mëdha të energjisë financuar nga IHD-të (përfshi Gazsjellësin Transadriatik dhe një hidrocentral në jug të Shqipërisë), ndërsa konsumi po përfiton nga shenjat e para të zhvillimeve pozitive në tregun e punës. Përmirësimet në tregun e punës kontribuuan për një situatë pozitive në hapjen e vendeve të punës, çka çoi në rezultate më të mira të punësimit dhe nivele më të larta të pjesëmarrjes së forcës së punës, ndërsa norma e papunësisë shënoi rënie, nga 17,4% në tre tremujorët e parë të vitit 2015 në 16% gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2016. Po ashtu, konsolidimi fiskal i nisur tre vjet më parë është në vazhdim dhe rezultatet fiskale vijojnë të mbeten në drejtimin e duhur, duke sjellë rënie të borxhit publik në raport me PBB-në, për herë të parë që prej krizës globale. Deficiti buxhetor pritet të arrijë në 2% të PBB-së për vitin 2016, duke u ulur nga 4,8% që ishte në vitin 2015, i ndihmuar nga një rezultat i lartë i të ardhurave, shpenzime rrjedhëse të kontrolluara dhe shpenzime më të ulëta kapitale. Shqetësues mbetet borxhi i lartë publik në raport me PBB-në, i cili, për vitin 2016, pritet të jetë 72,5% e PBB-së, krahasuar me 72,7% në vitin 2015. Deficiti i llogarisë rrjedhëse parashikohet të arrijë në 13% të PBB-së, pas rënies në 11,7% të PBB-së në vitin 2015. Kjo rritje vjen për shkak të përkeqësimit të bilancit tregtar të mallrave dhe shërbimeve. Eksportet e mallrave pritet të pësojnë rënie, si rrjedhojë e çmimeve të ulëta të artikujve, edhe pse eksportet e shërbimeve kanë rezultate të mira. Importet pritet të rriten, falë përmbajtjes së lartë importuese të projekteve të energjisë të financuara nga IHD-të.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për ekonominë (parashikimet) për këtë vit?
Në vitin 2017, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3,5%, nxitur nga investime të fuqishme dhe mëkëmbja e vazhdueshme e konsumit privat, mbështetur nga projektet e mëdha në infrastrukturë të financuara nga IHD-të dhe rritja e punësimit. Perspektivat e rritjes për Shqipërinë përcaktohen nga zbatimi i mirë i programit të reformave strukturore. Përmirësimet në klimën e biznesit dhe reformat për të trajtuar numrin e lartë të kredive të këqija mund të forcojnë më tej investimet private dhe konsumin në një periudhë afatmesme. Duke ecur përpara, është thelbësore që të ruhet ritmi dhe të thellohen reformat në vazhdim. Fushat e përparësisë përfshijnë konsolidimin fiskal dhe menaxhimin e risqeve fiskale, përparimin në trajtimin e numrit të lartë të kredive të këqija, reformat shtesë në sektorin e energjisë dhe forcimin e menaxhimit të investimeve publike. Ruajtja e vazhdimësisë në konsolidimin fiskal është thelbësore, me qëllim mbajtjen në trajektore të deficitit fiskal dhe regjistrimin e uljeve të mëtejshme të borxhit publik në raport me PBB-në.
Cilët janë disa faktorë që pritet të kenë ndikim pozitiv apo negativ (të brendshëm dhe të jashtëm) në ekonominë shqiptare, gjatë vitit 2017?
Parashikimi në të ardhmen e afërt për ekonominë shqiptare është pozitiv, sidomos, nëse vazhdon ecuria e reformave strukturore, por risqet mbeten të pranishme. Rritja ekonomike, në vitet 2017 dhe 2018, pritet të përshpejtohet dhe, më tej, të krijojë vende pune (ndryshe nga prirja në të shkuarën); performanca fiskale pritet të jetë më e fortë, me deficit dhe risqe më të ulëta fiskale, që mbështesin uljen e borxhit publik. Risqet e brendshme dhe të jashtme të këtij parashikimi janë, më së shumti, në dizavantazh, por një ritëm më i lartë i reformave strukturore mund të ndihmojë në lehtësimin e efekteve të tyre. Zhvillimet e jashtme që shoqërohen me rritjen e ngadaltë në BE, më të ngadalta sesa rritja e pritshme në partnerët e mëdhenj eksportues dhe pasiguria për efektet domino të Brexit-it mund të ndikojnë negativisht në rritjen e Shqipërisë dhe perspektivat e jashtme, përmes uljes së eksporteve, investimeve të huaja dhe remitancave. Një ngadalësim i mundshëm në zbatim, përpara zgjedhjeve mundet, gjithashtu, ta ngadalësojë ecurinë. Në aspektin pozitiv, përmirësime më të shpejta sesa pritet të reformave strukturore, sidomos në periudhën paszgjedhore, mund të forcojnë më tej rritjen, investimet private dhe konsumin në një periudhë afatmesme.
Ku duhet të përqendrohen reformat në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme, me qëllim që të sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm?
Tani, më shumë se kurrë, rreziqet në rritje theksojnë urgjencën e thellimit të reformave makrofiskale dhe strukturore, për të përforcuar rivendosjen e brishtë të ekuilibrit nga burimet e brendshme tek ato të jashtme të rritjes, duke u mbështetur më shumë tek investimet. Përfitimet e rritjes që krijon vende pune duhen konsoliduar e duhet punuar mbi to, me qëllim që të ndalet qerthulli i emigrimit dhe rritjes së ngadaltë. Pesë janë fushat posaçërisht urgjente, përfshi reformat për: i) largimin sistematik të faktorëve shkurajues dhe pengesave për punësim formal, për të mundësuar rritje më të shpejtë, hapje të vendeve të punës dhe ulje të varfërisë; ii) kryerjen e përmirësimeve të shpejta në klimën e biznesit dhe qeverisje, për të bërë të mundur investime private, krijim të vendeve të punës dhe përfitime nga produktiviteti; iii) përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve publike dhe sistemeve të mbrojtjes sociale; iv) thellimin e integrimit global, me qëllim që ekonomitë të përfitojnë më shumë nga rritja e eksportit dhe v) shfrytëzimin e qëndrueshëm të energjisë së Shqipërisë dhe burimeve të saj të bukura natyrore, për të siguruar përfitime ekonomike afatgjata.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.