Cilësia e shërbimit në plazhet vendase në Shqipëri pritet të ndryshojë këtë vit, duke shtuar më shumë hapësira publike për qytetarët.
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit është në fazat e hartimit të një VKM-je, e cila do të përafrojë standardet e shërbimeve të ofruara në zonat bregdetare, me ato të Bashkimit Europian. Qëllimi kryesor është mirëpërdorimi i burimeve natyrore, në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit turistik, si për subjektet publike, ashtu edhe për ato private.
Të gjitha plazhet pritet të kenë një hapësirë për qytetarët pa pagesë, në masën 20%. Në këto plazhe publike, qytetarët do të kenë mundësi të shfrytëzojnë detin dhe rërën pa pagesë.
Vendet turistike të bregdetit, për herë të parë, do të ndahen me stacione plazhi, që do të jenë të pajisura me zonën e ndihmës së shpejtë në shërbim të pushuesve, me kabina shërbimi telefonash publikë, si dhe me kosha për hedhjen e mbeturinave.
Sipas vendimit, këto “stacione plazhi” publik do të jenë të shpërndara në mënyrë proporcionale, në raportin 20% me ato private. Gjithashtu, tek ato do të jetë i reklamuar identiteti i subjektit që e zotëron, si dhe çmimet e shërbimit do të jenë të ekspozuara në vende të dukshme për publikun.
Asnjë qytetar nuk do të paguajë më para për të pushuar në plazhet e uzurpuara.
“Kjo është një nga kolonat kryesore në hartimin e kësaj VKM-je, nismë e filluar nga Ministria së Turizmit. Paralelisht gjithashtu, Ministria e Turizmit po harton planin e masave për sezonin turistik, në bashkëpunim me dikastere të tjera, për të rritur standardin e shërbimit, si dhe për të siguruar një menaxhim të mirë”, bëjnë të ditur për “Monitor” burime zyrtare në këtë institucion.
Qeveria ka përcaktuar edhe një listë me kushtet që duhet të përmbushë çdo privat që operon me plazh privat. Të njëjtat kushte, nga ana tjetër, duhet të përmbushin edhe bashkitë që menaxhojnë hapësirat e plazheve publike.
Për sa i përket higjienës, në çdo “stacion plazhi” duhet të ketë një dush me ujë të ëmbël për çdo 50 çadra. Gjithashtu, për çdo 50 çadra do të ketë të paktën 2 kabina zhveshjeje, si dhe shërbime për higjienën personale. Në lidhje me pozicionimin e çadrave dhe ndenjëset e pushuesve, ato nuk do të jenë më afër se 7.5 metra nga njëra-tjetra, për të lejuar një hapësirë të lirshme për pushuesit.
KRITERET
-Të ketë hapësira të gjelbra ose zona të përbashkëta, të cilat të jenë të paktën 1 deri në 5% e sipërfaqes së përgjithshme të stacionit të plazhit.
-Çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të vendosen jo më afër se 7.5 metra nga bregu.
-Hapësira prej 2.5 metrash përpara brezit të parë të çadrave, do të jetë e lirë për t’u përdorur nga publiku me pajisjet e veta.
-Hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) në stacionet e pozicionuara në zonat ranore duhet të jetë më e madhe se 2,5 metra.
-Hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) në stacionet në zona shkëmbore duhet të jetë më e madhe se 2 metra.
-Të ketë 1 dush me ujë të ëmbël për çdo 50 çadra.
-Të jetë i.
pajisur me shërbime higjienike, të paktën 2 për 50 çadra, nga të cilat 1 për burrat, 1 për gratë.
-Të ketë kabina zhveshjeje të paktën 2 për 50 çadra.
-Të jetë i pajisur me zonën e ndihmës së shpejtë në shërbim të pushuesve.
-Të jetë i pajisur me telefon publik.
Të jetë i pajisur me kontejnerë dhe kosha me kapak për hedhjen e mbeturinave.
– Çdo çadër duhet të jetë e pajisur me krevat plazhi.
-Të reklamohet identiteti i subjektit dhe çmimet për shërbimin e ofruar.
-Stafi që shërben pranë stacioneve të plazhit të ketë uniformë dalluese.
-Të zbatojë kodin e etikës globale në fushën e turizmit.
-Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të plazhit do të jetë ditor, në mëngjes dhe në mbrëmje pas mbylljes së plazhit.
-Në të gjithë territorin e plazhit, ndalohet vendosja e elementëve ndarës, gardhe apo të tjerë të ngjashëm me to.
-Çdo Njësi e Qeverisjes Vendore do të lërë në dispozicion për “plazhin publik” 20% të territorit të përgjithshëm të plazhit që ka në përgjegjësi administrimi dhe që është subjekt autorizimi për përdorim. Plazhi publik do të menaxhohet dhe do të jetë në administrim të Njësive të Qeverisjes Vendore. Shpërndarja për stacionet e plazhit publik dhe privat do të bëhet në mënyrë proporcionale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.