Autoriteti i Konkurrencës në Francë ka gjobitur “Orange” dhe SFR me një shumë totale prej 183 milionë eurosh për zbatimin e praktikave antikonkurruese në sektorin e telefonisë së lëvizshme.
Ofertat e marketingut të “Orange” dhe SFR, kryesisht midis 2005 dhe 2008, kishin lejuar për thirrje të pakufizuara vetëm brenda rrjeteve të tyre.
Këto paketa, që përfaqësonin bazën e ofertave me pas pagesë (kontratë) për klientët, i dhanë udhë një diferencimi abuziv me tarifat midis thirrjeve “on net” (brenda rrjeteve të tyre përkatëse) dhe atyre “off net” (rrjetet rivale).
Këto oferta ndikuan negativisht në konkurrencë, në dy mënyra të ndryshme.
Ato kontribuuan nga njëra anë, në ngrirjen e tregut, duke tërhequr konsumatorët tek dy rrjetet më të mëdha dhe duke i mbajtur ata “të mbyllur” në momentin që zgjedhja ishte bërë.
Ata ishin gjithashtu në gjendje, në anën tjetër, të dobësonin operatorin e tretë – “Bouygues Télécom” – i cili duhet të luftonte duke prezantuar oferta që në mënyrë domethënëse rritën kostot e tij.
Hetimi
Pas një kërkese nga “Bouygues Télécom”, Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë një vendim, me të cilin ai gjobit “France Télécom”, “Orange France” dhe SFR me një total prej € 183.1 milionë për zbatimin e praktikave jokonkurruese në sektorin e telefonisë së lëvizshme, duke marketuar oferta të pakufizuara “on net”, duke u dhënë klientëve të tyre thirrje të pakufizuara për folësit që ishin abonentë të të njëjtit rrjet.
Duke marketuar këto oferta, “Orange” dhe SFR zbatuan praktika të ndjeshme të diferencimit të tarifave midis thirrjeve “on net” (të bëra brenda rrjetit të tyre) dhe “off net” (ndaj rrjeteve rivale); në këtë mënyrë, ata abuzuan me pozicionin dominues që secili prej tyre ka në tregjet përkatëse të terminimit të thirrjeve (që është shërbimi i interkoneksionit që ata u ofrojnë operatorëve të tjerë për thirrjet që terminojnë në rrjetet e tyre).
Efekti në treg
Megjithëse në pamje të parë ata dukeshin tërheqës për klientët, këto oferta dëmtuan dinamikën e tregut, duke i mbajtur klientët të mbyllur brenda një kompanie dhe duke dobësuar “Bouygues Télécom”, që kishte më shumë gjasa që të nxiste tregun, duke qenë hyrësi i fundit në treg në kohën e ngjarjes
Megjithëse në pamje të parë ata dukeshin tërheqës për klientët, këto oferta dëmtuan dinamikën e tregut, duke i mbajtur klientët të mbyllur brenda një kompanie dhe duke dobësuar “Bouygues Télécom”, që kishte më shumë gjasa që të nxiste tregun, duke qenë hyrësi i fundit në treg në kohën e ngjarjes.
Duhet të theksohet se gjatë viteve të fundit, të tre operatorët, “Orange”, SFR dhe “Bouygues Télécom”, kishin denoncuar të gjithë, zbatimin nga konkurrentët e tyre, të praktikave të diferencimit të tarifave për thirrjet brenda rrjetit dhe jashtë rrjetit, të cilat ata në mënyrë unanime i kishin konsideruar si abuzive. Si rrjedhojë, këto ankesa kishin çuar në një sërë vendimesh të Këshillit dhe më pas Autoritetit të Konkurrencës).
Ofertat me thirrje të pakufizuara të denoncuara nga “Bouygues Télécom”
Që prej 2005-s, “Orange” dhe SFR, që kishin përkatësisht 47% dhe 36% të tregut të telefonisë së lëvizshme për konsumatorët familjarë, pra një total prej 83%, reklamuan oferta të pakufizuara për thirrjet brenda rrjetit, duke u dhënë klientëve të të njëjtit operator thirrje të pakufizuar për një çmim të caktuar, pavarësisht nga sasia dhe zgjatja e telefonatave.
“Orange”, për shembull, reklamoi paketat “Orange Classique”, “Orange Intense” dhe “Orange Pro” që u lejonin abonentëve që të bënin telefonata falas tre numrave të preferuar “Orange” në 24 orë dhe këto telefonata nuk faturoheshin. Opsioni “3 N° KDO” (“3 numra dhuratë”) gjithashtu ofronte thirrje të pakufizuara për numrat “Orange” për paketat që nuk përfshinin një komponent të thirrjeve pa limit. Tek SFR’s, linjat “SFR Essentiel” dhe “SFR Evolution Pro” ofronin thirrje të pakufizuara në tre numra SFR. Këto oferta nuk u reklamuan pas vitit 2008, por shumë abonentë që nuk i kishin ndryshuar paketat e tyre ende përfitojnë nga ai sot.
Këto paketa ishin bërë baza e ofertave me kontratë të propozuara për konsumatorët familjarë. Në fakt, klientët që donin të abonoheshin ose të rishikonin paketat e tyre me “Orange” dhe SFR nuk kishin zgjidhje tjetër, veçse oferta me thirrje të pakufizuara midis 2005 dhe fillimit të 2008. Për më tepër, këto oferta kontribuonin deri në një të tretën e të ardhurave nga klientët familjarë të SFR dhe deri në 40% për “Orange”.
Diferencimi i tarifave nuk justifikohet në mënyrë objektive
Të gjitha këto oferta përfshijnë një diferencim të tarifave midis thirrjeve brenda dhe jashtë rrjetit, ku avantazhi i thirrjeve të pakufizuara i rezervohet vetëm thirrjeve brenda rrjetit.
“Orange” dhe SFR nuk treguan se diferencimet e tarifave midis thirrjeve “on net” (brenda rrjetit të tyre dhe atyre “off net” (drejt rrjeteve rivale) justifikoheshin në mënyrë objektive, p.sh., përmes një diferencimi midis kostos që lind nga ofrimi i dy llojeve të thirrjes. Ata nuk mund të demonstronin as që kjo ishte e domosdoshme për arritjen e fitimeve nga eficenca, element që do të mbizotëronte mbi efektet antikonkurruese, veçanërisht duke qenë se të dy operatorët mund të kishin reklamuar oferta me thirrje të pakufizuara për të gjithë operatorët (oferta të kryqëzuara në rrjet cross net offerings), në të cilin nuk ka diferenca midis të gjitha llojeve të thirrjeve.
Efektet negative në treg
Praktikat për të cilat erdhi ankesa dhe që janë zbatuar nga “Orange” dhe SFR kishin disa efekte negative në tregun e telefonisë së lëvizshme.
• Këto oferta theksuan efektin “club” dhe dëmtuan lëvizshmërinë e tregut
Këto oferta në radhë të parë, në mënyrë artificiale, theksuan efektin “club”, që është mundësia për të afërm e të njohur që të rigrupohen tek i njëjti operator, duke i nxitur konsumatorët që të ndryshojnë operator dhe të bashkohen me rrjetin e të afërmve të tyre. Këto oferta luajtën rol të rëndësishëm pasi ky faktor ishte, mbi çmimin, nxitësi kryesor për abonentët (70% e konsumit të abonentëve orientohet drejt tre komunikuesve kryesorë).
Në momentin që klubet formohen, këto oferta “i mbyllin” konsumatorët për një kohë të gjatë brenda operatorit të tyre1 duke rritur në mënyrë domethënëse kostot e daljes që i ngarkohen abonentëve të tyre të ofertave të pakufizuara brenda rrjetit, që duan të abonohen në një ofertë të re të një operatori konkurrent.
Diferencimi i tarifave midis thirrjeve “on net” dhe “off net” e bën të pamundur këmbimin e operatorëve për shkak se abonenti apo të afërmit e tij si rrjedhojë nuk do të ishin në gjendje që të bënin apo merrnin thirrje të pakufizuara.
Ky diferencim midis thirrjeve “on net” dhe “off net” si rrjedhojë ka dëmtuar në mënyrë të vazhdueshme fluiditetin në tregun e pakicës duke dëmtuar migrimin e konsumatorëve drejt operatorëve të tjerë ekzistues.
• Këto oferta në mënyrë dramatike kanë favorizuar operatorët e mëdhenj kundrejt atyre të vegjël (“efekti i rrjetit”).
Duke qenë se abonentët ishin të interesuar në komunikimin (thirrjet) me sa më shumë njerëz, pa u tarifuar këto thirrje, ofertat e pakufizuara “on net” në mënyrë automatike favorizuan “Orange” dhe SFR për shkak se ato kishin numrin më të madh të abonentëve. Në këtë mënyrë, në të vërtetë, konsumatorët do të optimizonin shanset e tyre për gjetjen e abonentëve të të njëjtit operator, si ata dhe në këtë mënyrë, të përfitonin më shumë nga ofertat “on net”.
Duke pasur parasysh madhësinë e vogël të bazës së saj të abonentëve, “Bouygues Télécom” (17% e të gjithë klientëve) e gjeti të pamundur që të rreshtohej në ofertat brenda rrjetit me “Orange” dhe SFR.
Si rrjedhojë, “Bouygues Télécom” u detyrua që të reklamonte thirrje të pakufizuara të kryqëzuara “cross net”, duke u lejuar abonentëve të saj që të bënin thirrje të pakufizuara me ndërfolësit e tyre, cilido të ishte operatori i tyre (prezantimi i ofertës “Néo” në 2006), por në kurriz të rritjes së shpejtë të kostove të veta.
Duke prezantuar këtë ofertë, “Bouygues Télécom” duhet të përballonte një pjesë shumë të madhe të kostove të terminimit, që dobësoi aftësinë e saj për të nxitur konkurrencën në treg. Duke pasur parasysh efektet negative të këtyre ofertave në shëndetin e saj financiar, kishte një rrezik shumë të madh që “Bouygues” të detyrohej të dilte nga tregu.
Gjobat
Gjobat financiare janë në proporcion me seriozitetin e shkeljeve, me rëndësinë e dëmit që i është bërë ekonomisë dhe me situatën e “Orange” dhe SFR.
Autoriteti mori në konsideratë seriozitetin e padiskutueshëm të shkeljeve, duke qenë se ato reflektonin praktika abuzive të caktimit të çmimit që synonin të dobësonin operatorët e vegjël ose madje edhe t’i detyronin ata të largoheshin nga tregu i telefonisë së pakicës, duke rritur në mënyrë domethënëse kostot e tyre. Autoriteti gjithashtu mori në konsideratë dëmin në një masë të moderuar që i ishte bërë ekonomisë në rastin në fjalë; “Bouygues Télécom” në fakt ishte një gjendje që të qëndronte në treg, duke propozuar thirrje të pakufizuara të kryqëzuara.
Autoriteti gjithashtu mori në konsideratë elementët specifikë të sjelljes dhe situatën individuale të çdo kompanie, veçanërisht faktin që të gjitha ato ishin ose i përkisnin një kompanie globale, administronin biznese të ndryshme dhe kishin burime domethënëse. Shuma e gjobës e vendosur për “France Télécom” përfshin një shtesë prej 50% të shumës për përsëritje, për shkak të gjashtë shkeljeve të ngjashme të ligjit të konkurrencës që janë bërë gjatë 15 viteve të fundit. Për më tepër, autoriteti ka marrë në konsideratë, për të dy operatorët, një rrethanë lehtësuese: rënia progresive në tarifat tavan për thirrjet e terminimit të vendosura nga autoriteti rregullues i sektorit ka krijuar një efekt tranzitor ekonomik për operatorët që të nxisnin konsumatorët e tyre që të bënin thirrje brenda rrjetit. Në dritën e kësaj, autoriteti reduktoi gjobat e vendosura për të dy kompanitë me 50%.
Autoriteti, si rrjedhojë, vendosi gjobat e mëposhtme:
- 117,419,000 euro për kompanitë “Orange France” dhe “France Télécom”, të ndara si më poshtë: € 78,279,000 gjobë e përbashkët për “Orange France” dhe “France Télécom” dhe € 39,140,000 e vendosur për “France Télécom”;
- € 65,708,000 për kompaninë SFR
(1) Anulimi shumë i ulët midis abonentëve i këtyre ofertave brenda rrjetit është një tregues i efektit të mbylljes. Norma e anulimit midis abonentëve të ofertës së “Orange”, “Classique 2h”, që përdorin në fakt komponentët e thirrjeve të pakufizuara, është për shembull, 60 herë më e ulët se ajo e klientëve të “Orange” në tërësi.
Burimi i artikullit: Autoriteti Francez i Konkurrencës
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.