Edhe pse numri i turistëve të ardhur këtë vit në Shqipëri ka qenë i lartë, frekuentimet kanë qenë më tepër nga turistë me të ardhura mesatare e të ulëta, ku deri 70% e tyre janë turistë të aventurës, “me çanta shpine”, që priren të shpenzojnë pak.
Kompanitë e tregtimit të mallrave ushqimore, joushqimore dhe drejtues të strukturave të shërbimit konstatojnë se turistët e ardhur parapëlqejnë të qëndrojnë në shtëpi të rezervuara në Airbnb, të konsumojnë produktet e blera në supermarkete.
“Turistët në Shqipëri janë me të ardhura mesatare, që blejnë në supermarkete dhe konsumojnë në shtëpi”, pohuan drejtues të shitjeve nga distributori i produkteve joushqimore “Marketing and Distribution”.
Frekuentimi i restoranteve, në shumicën dërmuese të rasteve, shoqërohet vetëm me gatime tradicionale shqiptare që nga salca e kosit, qofte dhe mish i pjekur qengji.
“Në të shumtën e rasteve për të qenë realistë, turistët e huaj duan ushqim autokton që e gjejnë pak apo aspak. Konsumojnë gatimet tradicionale shqiptare me mish qengji, speca të mbushur, tavë kosi etj.
Ndërsa për pijet shqiptare, parapëlqehet më shumë rakia.
Ka edhe nga ata që kërkojnë darka elegante, por edhe nga ata që duan qofte”, pohon Enri Jahja.
Kur vjen puna te shpenzimet në restorante, duket se turistët e këtij viti po shpenzojnë më pak se ata të vitit të kaluar. “Këtë vit kemi më tepër turistë të huaj që kanë frekuentuar restorantin tonë sesa vitin e kaluar.
Por krahasuar me vjet, një person shpenzon më pak për ushqimin. Vjet shpenzimet në restorant për një individ ishin më të larta. Këtë vit mbizotërojnë turistët me çanta, që janë kryesisht të rinj e priren të kursejnë”, pohon për “Monitor” stafi i shërbimit të restorant “Era” në zonën e ish-Bllokut.
Nëse ka një produkt që turistët nuk kursehen ai është alkooli. Burime nga linjat më të mëdha të supermarketeve në vend thanë për “Monitor” se produkti që ka pasur rritjen më të madhe të shitjeve në qytetet turistike është ai i pijeve alkolike, ndërsa për ushqimet e tjera nuk ka ndonjë tendencë të dukshme konsumi.
Nuk ka kërkesë të lartë vetëm për gastronominë tipike shqiptare, por edhe për verërat shqiptare dhe konjakun shqiptar. “
Në çdo moment prej tyre si në bare dhe restorante kërkohen pije shqiptare”, nënvizon Denis Zhilla, drejtori i shitjeve të kantinës së pijeve alkoolike “Skënderbeu”.
Për sa u përket pijeve të shtrenjta alkoolike të markave të huaja, turistët e huaj parapëlqejnë t’i blejnë në supermarkete dhe t’i konsumojnë në shtëpi, sipas distributorëve të huaj.
Alkooli preferohet kryesisht nga turistët e Europës Perëndimore si holandezët, gjermanët dhe belgët.
Bruno Selviaj, menaxheri i “New Irish Pub”, thotë se klientët më të mëdhenj në klubin e tij janë holandezët, të cilët konsumojnë dy herë më shumë se turistët e tjerë.
Të njëjtën tendencë pohon edhe Rigers Kaçori, nga Kantina Arbëri, ku thotë se turistët nga Europa Perëndimore janë më të interesuar për verën shqiptare, por vitet e fundit janë shtuar edhe turistët nga Ballkani.
Kjo po ndodh edhe në strukturat akomoduese ku konsumatorët më të mëdhenj të alkoolit janë ballkanasit.
Ndryshe nga pijet alkoolike, ardhja e turistëve nuk e ka nxitur shtimin e konsumit të birrës vendas, por ka arritur të reduktojë humbjet e operatorëve nga rritja e lartë e kostove prodhuese pas dyfishimit të akcizës.
“Në fillim të këtij viti, konsumi i birrës vendase ishte 50% më pak se vjet. Me ardhjen e turistëve, humbjet janë ulur 20%. Pavarësisht përmirësimit, konsumi vijon të mbetet më i ulët se sezoni i kaluar”, pohoi një nga drejtuesit e fabrikave të birrës.
Operatorët pohojnë se arsye e rënies së konsumit dhe ndikimi i ulët nga ardhja e turistëve mbeten çmimet e larta të birrës vendase krahasuar me disa marka të huaja, që po shiten më lirë gjatë sezonit të verës.
Të huajt kanë shfaqur interes edhe për blerje lodrash për fëmijë dhe aksesorë sezonalë në dyqanet e qendrave tregtare. Sokol Kondi, nga grupi BALFIN, tha më herët për “Monitor” se shitjet për kompaninë “Jumbo” janë rritur 11.4% nga turistët.
“Nëse e krahasojmë me një vit më parë, numri i turistëve në Shqipëri është rritur, dhe në bazë të rezultateve të shitjeve, ‘Jumbo’ ka shënuar rritje prej 11.4%.
Në rrethet si Vlora dhe Durrësi, ku numri i turistëve është i lartë gjatë verës, dyqanet frekuentohen nga turistë nga vendet fqinje (rreth 40%) dhe turistë të tjerë nga Europa” – nënvizoi Kondi.
Interes të lartë për blerje sidomos nga turistët nga Kosova dhe Mali i Zi ka pasur edhe për setet e porcelanit vintage të pjatave, filxhanëve të çajit.
“Ka interes të lartë këtë vit nga turistët e vendeve të rajonit për aksesorë porcelani, të cilët i kanë rezistuar kohës dhe gjithmonë përcjellin elegancë për mjedisin e shtëpisë. Krahasuar me vjet, kërkesa është më e lartë”, pohon Najada Selmani, pronarja e dyqanit “My Antique Space”.
Ndërsa për blerjet e veshjeve të përdorura gjatë kësaj vere duket se blerësit nuk janë aspak të interesuar. Julinda, pronare e një dyqani me veshje të përdorura në hyrje të Komunës së Parisit tha se gjatë gjithë muajit gusht, shitjet pothuajse kanë qenë zero.
Rënien drastike të shitjeve krahasuar me vjet Julinda e lidh me largimin e shqiptarëve në emigracion.
Rekord shitjesh për verën vendase dhe konjakun shqiptar në lokalet e Ksamilit dhe Sarandës
Ndërsa birra vendase po vuan, e kundërta po ndodh me verën dhe pijet alkoolike që po shohin rritje të shitjeve këtë sezon turistik.
Preferenca për pije shqiptare këtë vit ka shënuar tendencë në rritje nga turistët të huaj. Prodhuesit vendas të pijeve alkoolike dhe të verërave shqiptare pohojnë se kanë pasur rritje të shitjeve gjatë sezonit të verës.
Denis Zhilla, drejtor i shitjeve të kantinës së pijeve “Skënderbeu”, pohon se krahasuar me vjet, shitjet e pijeve alkoolike dhe verërave u rritën 30%.
Sipas z. Zhilla, rritje më të lartë të konsumit ka pasur për verërat shqiptare (shitjet për verërat shqiptare të këtij operatori janë rritur 30%), ndërsa konsumi i konjakut u shtua me 10% më shumë se vjet.
“Gjatë këtij sezoni kemi pasur rekord shitjesh të verës vendase në restorante, bare dhe supermarkete. Rritja e konsumit ka qenë e lartë veçanërisht në zonat e bregdetit të Jugut, si Saranda apo Ksamili për shkak të numrit të lartë të turistëve.
Ndërsa në zonat e Veriut, shitjet kanë qenë të ulëta, pasi edhe numri i turistëve është i ulët”, pohon z. Zhilla. Ai shton se çmimet më të ulëta të produkteve joushqimore vendase krahasuar me ato të importit nuk kanë ndikuar që kërkesa e turistëve të huaj të përqendrohet më tepër.
“Marketing and Distributon”, një nga distributorët kryesorë të pijeve, çokollatave dhe detergjentëve në vend pohon për “Monitor” se në këtë periudhë është konstatuar se turizmi ka shtuar shitjet e pijeve alkoolike të shtrenjta dhe birrave të huaja në supermarkete, ndërsa nuk ka rritje të shitjeve në lokale.
Për sa u përket strukturave të shërbimit, rritja më e lartë e konsumit të pijeve alkoolike për këtë vit është shënuar në klubet e natës.
Menaxheri i klubit të natës, “Folie Marinë”, në Jal, pohoi për “Monitor” se krahasuar me vjet, rritja e konsumit të pijeve alkoolike është 20% më shumë, e ndikuar nga fluksi i lartë i turistëve të huaj.
Parashikimet janë optimiste deri në fund të sezonit turistik nga ky operator.
Edhe importet e grupit “Pijet, alkoolet dhe uthullat” në muajt janar-korrik 2023 u rritën 9% më shumë se vitin e kaluar, sipas të dhënave të INSTAT.
Bien importet e cigareve
Sipas të dhënave të Doganave, në muajt janar-korrik, importet e cigareve janë ulur 4,5%. Përfaqësuesit e kompanisë AGNA, që ndër të tjera importon edhe cigaret e markës “Karela”, thanë për “Monitor” se krahasuar me vjet, shitjet janë ulur me 15%.
Sipas tyre, rënia vijon të ndikohet nga zbatimi i masave për vendosjen e fotografive ilustruese në paketa për pasojat në shëndet, si dhe përdorimi i duhanit aromatik apo edhe cigareve elektronike. Në lidhje me ardhjen e turistëve, efekti i tyre po ndihet më tepër te markat e cigareve “Marlboro” – shtuan importuesit.
Enri Jahja, nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve, thekson se “diskriminimi” për pirjen e duhanit jashtë mjediseve të bareve dhe restoranteve po jep efekte te konsumi i tyre.
Ndërkohë, importet e kafesë në periudhën janar-korrik janë në rritje. Krahasuar me vitin e kaluar, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, importet u rritën rreth 4% krahasuar me vjet.
Shtohet përdorimi i detergjentëve dhe shampove
Sipas INSTAT, importet për grupin “Sapuni, preparatet parëse, lubrifikues, qirinjtë” në janar-korrik 2023 janë shtuar 4% krahasuar me vjet.
Shtim konsumi të preparateve larëse pohojnë edhe kompanitë e shitjeve. Sipas “Marketing and Distributon”, pohohet se gjatë kësaj periudhe, ka rritje të shitjeve, të cilat konsiderohen normale për shkak të sezonit të verës.
LEXONI EDHE:
Konsumi, turistët e huaj “zëvendësojnë” shqiptarët e ikur në emigracion
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.