Sipas projektligjit të ri të falimentit i cili tashmë është gati për miratim me qeveri procedura e falimentimit nuk mund të hapet për subjektet që ushtrojnë veprimtari në sektorët me interes publik dhe të caktuar si strategjikë, të tillë si: hekurudhat, furnizimi me energji elektrike, furnizimi me gaz, ujë, si dhe subjektet që ushtrojnë aktivitetin në fushën e sigurimeve, bankat, institucionet financiare, shoqatat e kursimeve dhe kredive, dhe të tjera.
Por nëse falimenti në një nga sektorët do të jetë i domosdoshëm, procesi rregullohet me ligje të veçanta, për sa kohë ato janë të licencuar për kryerjen e këtyre veprimtarive.
Në rast se ligjet e veçanta që rregullojnë sektorët publik ose strategjik, nuk parashikojnë rregulla mbi falimentimin, atëherë çdo subjekt, sipas ligjit, ka të drejtë të kërkojë hapjen e procedurës së falimentimit, vetëm pasi të marrë lejen paraprake nga autoriteti rregullator përkatës.
Më tej projektligji përcakton se nga momenti që subjektet nuk lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin publik ose strategjik, këta këto mund të jenë subjekte të ligjit të falimentimit.
Procedura e falimentimit e rregulluar nga projektligji i ri i shtrin efektet e veta mbi çdo debitor qoftë ky individ, tregtar, familje bujqësore,person juridik privat ose publik, fitimprurës ose jofitimprurës që ndjek qëllime ekonomike, shoqëri e thjeshtë, ose njësi administrative vendore
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.