Yield-i (interesi) i borxhit kombëtar grek u rrit sërish javën e kaluar, si rrjedhojë e frikës së një marrëveshjeje anësore që ka ngecur midis Athinës dhe Finlandës, për pjesën e shtetit nordik në paketën e fundit të shpëtimit prej 109 miliardë eurosh, që mund të rrezikojë paketën shpëtuese që u arrit në fillim të kësaj vere.
Pak ditë më parë, Greqia ra dakord që të vendoste një shumë prej 500 milionë eurosh në një llogari të posaçme finlandeze si kolateral për pjesën e Finlandës në paketën shpëtuese, por marrëveshja ka shkaktuar reagime midis anëtarëve të tjerë të Eurozonës, disa prej të cilëve kanë pohuar tashmë se edhe ata duan marrëveshje të ngjashme.
Kjo ka përhapur shqetësimet se paketa e dytë shpëtuese për të cilën u ra dakord në korrik mund të shtyhet ose të anulohet për shkak të përçarjes midis shteteve, që u është kërkuar të paguajnë faturë.
“çarjet e thella midis kombeve të Eurozonës gjoja të bashkuar, të evidentuara nga kërkesa të tilla … krijojnë shqetësime shtesë lidhur me kushtet dhe natyrën evoluese të mekanizimit aktual të mbështetjes financiare”, tha “Moody´s”, në një raport të pak ditëve më parë dhe argumentojë se marrëveshja me Finlandën ishte një pikë negative për renditjen e kreditit të Greqisë dhe shtetet e tjera që janë potencialisht në radhë për paketa të mundshme shpëtuese.
Si rrjedhojë, obligacionet 10-vjeçare të qeverisë janë rritur për më se një javë rresht, duke arritur në 17.18 në fund të javës së kaluar nga 15.1% që ishin dhjetë ditë më parë.
CDS1-të për borxhin grek fituan 162 pikë bazë në fund të javës së kaluar, duke arritur në 2,300 pikë bazë, sipas Markit. Kjo tregon se ka një kosto vjetore prej 2.3 milionë dollarësh për të siguruar 10 milionë dollarë të borxhit kombëtar grek për pesë vjet.
Holanda, Austria, Sllovenia dhe Sllovakia kanë njoftuar se janë të interesuara që të arrijnë marrëveshje të tilla të ngjashme dypalëshe me Greqinë.
“Barclays Capital” ka pohuar se këto debate përfaqësojnë një rrezik të madh negativ, duke qenë se ka të ngjarë që të shtyjnë një pjesë qendrore të paketës shpëtuese të Greqisë, që do t´i mundësonte shtetit helen që të shtynte pagesën e 54 miliardë eurove shlyerje borxhi gjatë tre viteve të ardhshme.