Shprehja që dëgjohet më shpesh nga vizitorët në kantonin zviceran të Valais është “Nuk e mendoja kurrë se kishte kaq shumë vreshta këtu”.
Vera zvicerane është një enigmë. Jo shumë europianë janë të vetëdijshëm për sasinë e madhe të verës që prodhohet në zonën më të rëndësishme për prodhimin e verës në këtë vend alpin dhe, pse do duhet të ishin të vetëdijshëm, në fakt? Në fund të fundit, gjetja e një shisheje të verës zviceriane në çdo vend tjetër është diҫka pothuajse e pamundur.
Zviceranëve u pëlqen vera e tyre aq shumë saqë nuk lejojnë askënd tjetër as që ta shikojë atë. Vetëm më pak se 3% e verërave të prodhuara në Valais shkojnë për eksport, diҫka shumë e pazakontë për një zonë kaq të përkushtuar ndaj vreshtarisë.
Të notosh në verë
Vera zvicerane e pati pikën e saj të kthesës në vitet 1990. Deri në vitin 1985, kishte një mbiprodhim të ҫmendur. Aq të ҫmendur, sa hektolitrat e verës së pashitur, kryesisht të asaj Chasselas, ruheshin në pishina shtetërore!
Ky problem u korrigjua duke kaluar te verërat AOC, që do të thotë se ka disa rregulla që duhen ndjekur. Gradualisht, cilësia u rrit, u hapën kurset e verës dhe mbërritën enologët. Qeveria ndaloi së bleri këto pishina me verë bazike dhe më pas erdhi liberalizimi i importeve. Verërat e huaja tashmë mund të bliheshin edhe në Zvicër.
Por, çështja gjatë kësaj dekade është se verërat zvicerane mund të blihen shumë rrallë si verëra të huaja në një vend tjetër.
Pra, ku shkon gjithë kjo verë?
Valais ka të njëjtën madhësi me rajonin St Emilion të Bordeaux. Pra, rreth 5000 hektarë. Në botën e verës, një hapësirë e tillë nuk është edhe aq e madhe.
Laurent Guidoux, menaxher i shitjeve në Domaine Mont d’Or, foli për Euronews në lidhje me problemin e veçantë të eksportimit të verës zvicerane.
“99% e verës zvicerane nuk arrin të dalë kurrë nga vendi,” thotë ai. “Për më tepër, kostoja e prodhimit është shumë e lartë për të pasur çmime që do të ishin interesante për supermarketet.”
Prodhimi i verës nuk e bën Zvicrën që të jetë një ndër 10 vendet me prodhimin më të lartë në Europë. Ajo prodhon pak më shumë se një milion hektolitra. Për të pasur një ide më të qartë, vendi i renditur i 10-ti në Europë për sasinë e prodhimit të verës është Gjeorgjia, me 1.8 milion hl. (hektolitra), ndërsa vendi me prodhimin më të madh është Italia, me mbi 49 milion hl. Një hektolitër është i barabartë me 100 litra.
Turizmi i verës është një biznes i rëndësishëm dhe zviceranët janë të prirur që t’ju tregojnë verërat e tyre. Por, ajo që e bën të vështirë eksportimin e verës zvicerane është mungesa e një kujtese të vazhdueshme në treg. Pasi vizitoni tre vendet kryesore: Italinë, Francën dhe Spanjën, ju mësoni më shumë për të gjithë procesin e prodhimit të verës, llojet e rrushit dhe ushqimin me të cilin shkon më shumë secila verë, pastaj ktheheni në shtëpinë tuaj dhe gjeni shembuj të këtyre verërave në supermarketin tuaj lokal. Ky nuk është rasti me verën zvicerane.
Nadine McCallion nga verërat Guy Anderson në Anglinë jugore ofron këtë perspektivë.
“Megjithëse jemi të specializuar në verërat europiane (ato franceze, spanjolle, portugeze dhe italiane), verërat zvicerane nuk kanë qenë kurrë në radarin tonë, qoftë për ne, qoftë për klientët tanë në supermarkete,” thotë ajo për Euronews.
“Është një nga ato rajone ku prodhimi është i kushtueshëm, kështu që verërat janë të shtrenjta dhe prodhohen vetëm në vëllime relativisht të vogla që konsumohen kryesisht nga tregu vendas. Ekziston gjithashtu një mungesë e informacionit nga ana e konsumatorëve – një rreth vicioz i varieteteve dhe emërtimeve të panjohura të rrushit, të cilat nuk janë të njohura mirë për shkak të barrierave të kostos dhe të disponueshmërisë.”
E pyetur nëse kjo situatë mund të ndryshojë në të ardhmen, McCallion thotë “Verërat e Jura po dëgjohen më shumë këto ditë, kështu që ndoshta ka hapësirë që edhe rajonet e tjera malore ku prodhohet verë të mund të ofrojnë produktet e tyre.”
Kushdo që viziton Valais dhe shijon verën në Mont d’Or ose në qendrën e re të verës, Les Celliers de Sion, do të kuptojë cilësinë e lartë të verërave të këtij rajoni. Por, prodhuesit e verës si Guidoux kanë disa shpenzime që e bëjnë çmimin e verërave të tyre të jetë më i shtrenjtë.
Varieteti më i famshëm i rrushit në Domaine Mont d’Or quhet Johannisberg, një emërtim paksa konfuz. Dashamirësit e Riesling do ta lidhin këtë emër me Schloss Johannisberg, vendi ku shkuan pronarët e Domaine Mont d’Or në mesin e shekullit të 19-të për të sjellë varietetet e reja të rrushit. Dhe ata nuk u kthyen vetëm me Riesling. Johannisberg në Valais është, në fakt, Sylvaner.
Duke shtuar këtu edhe faktin se varieteti më i kultivuar i rrushit në Zvicër, Chasselas, quhet ‘Fendant’ në këtë rajon, atëherë është e sigurt se të gjithë, me përjashtim të dashamirësve më të edukuar të verës, nuk do ta dinë fare se çfarë po shijojnë.
Rèze daton që në fillimet e shekullit të 14-të dhe prodhon një verë të thatë me aciditet të lartë. Lafnetscha është mënyra e dialektit lokal për të thënë ‘laff es nicht schon’ (mos pini shumë herët!). Një tjetër verë e veҫantë, shumë e preferuar, është Petite Arvine. Ajo rezulton të jetë përmendur për herë të parë në vitin 1602 dhe ka një shije të pangatërrueshme që përfundon me nota kripësie. Në total, ka 31 varietete të bardha dhe 24 të kuqe që janë të autorizuara në AOC Valais.
Bëni një shëtitje pas drekës suaj
Përveç artit fisnik të shijimit të saj, një nga mënyrat më të mira për të njohur verën zvicerane është shëtitja. Shumë nga vreshtat që duken nga lugina janë si informuese, ashtu edhe piktoreske.
Nëse keni dyshime, me siguri po shihni fushat dhe tarracat e Chasselas/Fendant, por vreshtarët shpesh kanë vendosur etiketa në rreshtat e tyre dhe në disa raste janë përpjekur për të edukuar udhëtarët që përshkojnë kanalet ujitëse historike të Valais, ‘bisses’, duke ofruar informacione mbi varietetet e vreshtave në fushat e tyre.
Një nga mënyrat se si mund të eksploroni këtë terren është “Marathon des Saveurs” (Maratona e Shijeve) që zhvillohet çdo vjeshtë. Popullariteti i madh i saj ka bërë që organizatorët të shtojnë edhe një rrugë tjetër për këtë maratonë. Rruga lindore është nga Sioni në Salgesch, ndërsa ajo perëndimore nga Sioni në Chomason.
Nëse dëshironi të merrni pjesë në eventin e këtij viti, regjistrimet janë të hapura. Cilëndo rrugë që të zgjidhni, do të shihni milje të tëra të mbushura plot me vreshta. Është për të ardhur keq që e gjithë kjo verë nuk arrin të dalë kurrë nga Zvicra. / Euronews