FIFA publikoi Raportin International Transfer Snapshot për merkaton e mesvitit 2023, që tregon një rekord historik prej 7.36 miliardë dollarësh të shpenzuara për tarifa transferimi dhe një vëllim rekord transferimesh, më shumë se 10.000.
Aty ku ndodhin transferimet, janë edhe agjentët dhe, pavarësisht protestave të tyre kundër rregullave të reja të transferimeve dhe kufizimet te të ardhurat e tyre, ecuria ka qenë e mirë.
Komisionet e agjentëve prekën një rekord të ri historik, prej 696.6 milionë dollarësh të paguara gjatë merkatos në mes të vitit.
Gjatë vitit 2023 e deri më sot, agjentët kanë fituar 853 milionë dollarë në komisione transferimi, 36.9% më shumë krahasuar me gjithë vitin 2022 dhe më shumë se çdo vit tjetër – deklaroi FIFA.
Rekordi 7.36 miliardë dollarë shpenzime gjatë merkatos është rritur me 47.2% krahasuar me periudhën e mesit të vitit 2022 dhe 26.8% krahasuar me rekordin e mëparshëm të mesvitit në 2019-n, deklaroi FIFA.
Klubet e rajonit AFC (thuajse ekskluzivisht Arabia Saudite) përfaqësojnë 14% të shpenzimeve globale për transferime – hera e parë që skuadrat e një konfederate të ndryshme nga UEFA kapërcejnë 10% të totalit.
Futbollistët e moshës mes 18 dhe 23 vjeç janë përfshirë në më shumë se gjysmën (52.8%) e 1.985 transferimeve ndërkombëtare, që parashikonin një tarifë transferimi, ndjekur nga lojtarët e moshës 24 – 29 vjeç (38.7%). Këto dy grupe përfaqësojnë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve totale për transferime (përkatësisht 47.3% dhe 43.3%) – deklaroi FIFA.
Emilio García Silvero, Drejtuesi Ligjor dhe i Sigurisë i FIFA-s deklaroi: “Anglia kryeson në listën e periudhës së mesvitit 2023 në lidhje me shpenzimet për tarifat e transferimeve (1.98 miliardë dollarë), numrin e transferimeve hyrëse (449) dhe numrin e transferimeve dalëse (514).
Ndërsa Gjermania renditet e para në lidhje me të ardhurat që vijnë nga tarifat e transferimeve (1.11 miliardë dollarë) – është hera e parë që klubet e një federate të vetme kanë fituar më shumë se 1 miliard dollarë në një merkato të vetme në mes të vitit”.
Duke parë bilancin e tregut të transfertave sipas konfederatës, është e qartë se ndikimi saudit po udhëheq tregun.
AFC regjistroi një bilanc negativ në tregun e transferimeve prej 935.08 milionë dollarësh, ndërsa bilanci total negativ i UEFA ishte 620 milionë dollarë.
Në të kundërt, klubet e Conmebol arkëtuan 269,9 milionë dollarë, kurse skuadrat e CAF regjistruan një rritje më modeste prej 33.3 milionë dollarësh, edhe pse me një numër më të ulët transferime lojtarësh.
García Silvero theksoi një rritje tjetër të tregut të transferimeve për femra:
“Edhe numri i transferimeve gjatë periudhës së regjistrimit në mes të vitit është rritur për të gjashtin vit me radhë, me 829 transferime, 66 prej të cilave me tarifa transferimi. Flitet për dy rekorde të reja, përkatësisht me +19,1% dhe +83,3%”.
Europa kryeson me 634 transferime hyrëse dhe 565 transferime dalëse. Shpenzimet në tarifat e transferimeve në lojën e femrave mbeten të ulëta, pavarësisht se janë më se dyfishuar krahasuar me merkaton e mesvitit 2022, duke arritur një rekord të ri prej 3 milionë dollarësh.
/ Inside World Football