“Rejsi Farma”, 20 vite revolucion në tregun e farmaceutikës
“Rejsi Farma” është sot lider në tregun e farmaceutikës, jo vetëm në drejtim të të ardhurave, por edhe standardeve dhe imponimit të cilësisë për të gjithë tregun, me ndikim pozitiv në mirëqenien e vendit, pasi produktet e tregtuara janë mjaft të ndjeshme për shëndetin e popullatës
Kur vendosën të fillonin biznesin e tyre në sektorin e farmaceutikës, Merita Sheqi dhe bashkëshorti i saj, Nexhati, as nuk e kishin imagjinuar se sot, pas 20 vjetësh, do të valëvisnin flamurin e suksesit në një treg që, përveçse kërkon mund, mbi të gjitha do profesionalizëm, përgjegjshmëri dhe vullnet.“Rejsi Farma” tashmë është emër familjar për shqiptarët, pasi në dy dekada aktivitet ka punuar çdo ditë për të sjellë pranë tyre barnat me standarde si në Bashkimin Europian dhe emrat më të njohur ndërkombëtarë në tregun e farmaceutikës.Vetëm dy vite pas trazirave civile të 1997-s, kur shqiptarët kishin marrë rrugët e emigracionit, bashkëshortët Merita dhe Nexhat Sheqi, vendosën të ngrinin një biznes serioz në tregun e barnave, në një kohë që mungonin rregullat dhe mbikëqyrja ishte mjaft e dobët. Sfida ishte se a do të mund të investoje në një biznes të qëndrueshëm dhe vizionar në këto kushte!“Kur vendosëm të përfshiheshim në këtë biznes mungonin rregullat dhe tregu ishte i mbushur plot me produkte të pakontrolluara dhe konkurrenca e pandershme ishte egërsisht e përhapur”, tregon Merita, një zonjë në pamje e qetë, por që brenda saj fsheh forcë, përkushtim, korrektesë dhe angazhim, që sot janë kthyer në një sinonim të kompanisë që ajo drejton.
Rritje me standarde
Nga viti 1999, “Rejsi Farma” pati një rritje të qëndrueshme viti pas viti. Të ardhurat e kompanisë thuajse janë 10-fishuar gjatë 20 viteve. Të rritesh në një treg ku konkurrenca është e lartë, shpesh edhe e pandershme, nuk është e thjeshtë. Ose do të reagosh njësoj me tregun, ose do të tentosh ta udhëheqësh atë, duke vendosur standarde. Dhe “Rejsi Farma” zgjodhi që të bëjë të dytën, të rritej me standarde.Kompania nisi bashkëpunimin me emrat më të njohur të tregut botëror të farmaceutikës, një proces ky që e shndërroi “Rejsi Farmën” në një sipërmarrje të suksesshme dhe mbi të gjitha, një partner të besueshëm ndërkombëtarisht.
QARKULLIMI VJETOR I REJSI FARMA, MLN USD
Bashkëpunimi me gjigantët e farmaceutikës ndihmoi jo vetëm “Rejsi Farmën” në biznesin e saj, por edhe tregun shqiptar, pasi u sollën praktikat më të mira të standardeve të ruajtjes dhe tregtimit të barnave.
Në shembullin e “Rejsit” nisi të lëvizë dhe tregu. “Rejsi Farma” u shndërrua në një përcjellës të shembullit më të mirë të tregtimit të barnave, gati si një institucion “mësimor” për tregun.
Tregu i farmaceutikës në botë është mjaft i ndjeshëm, i vështirë dhe me rregulla të forta të mbikëqyrjes.
“Të sjellësh emra të mëdhenj ndërkombëtarë nuk është vetëm një kontratë për të shitur prodhimet e tyre në tregun tonë. Para se të ndodhë kjo, duhen plotësuar kushte, rregulla, infrastrukturë dhe, mbi të gjitha, kërkohet besueshmëri. Standardet kërkohen dhe monitorohen në mënyrë të vazhdueshme nga kompanitë globale, teksa rregullat ndryshojnë çdo ditë dhe përshtatja është në vijimësi”, thotë znj. Sheqi.
Konsolidimi
Nga rreth 2.9 milionë euro në vitin 2001, qarkullimi vjetor i “Rejsi Farma” arriti në rreth 31 milionë euro në vitin 2018. Gjatë kësaj periudhe, biznesi është konsoliduar dhe kompania është tashmë lider në tregun e farmaceutikës, jo vetëm në drejtim të të ardhurave, por edhe standardeve dhe imponimit të cilësisë për të gjithë tregun, me ndikim pozitiv në mirëqenien e vendit, pasi produktet e tregtuara janë mjaft të ndjeshme për shëndetin e popullatës.
Gjatë kësaj periudhe, “Rejsi” ka investuar në ambiente moderne për magazinimin dhe distribuimin e barnave të vendosura përgjatë autostradës Tiranë – Durrës, një mjedis unik në Shqipëri që përmban pajisjet më bashkëkohore së bashku me sistemet e fundit logjistike, të pajisura me shërbimet IT software që sigurojnë shpejtësi shumë të lartë në operacionet e gjurmueshmërisë. Logjistika e re i përmbush të gjitha synimet e partnerëve për të ruajtur dhe për të shpërndarë barnat e tyre në tregun shqiptar.
Sot, kompania ka një numër shumë të madh klientësh dhe ka ndërtuar një sistem informacioni të tillë që merr ‘feedback’, që i shërben përmirësimit të mëtejshëm të aktivitetit.
Aktualisht, tregu i farmaceutikës është i përfshirë në një konkurrencë të fortë, e cila po vjen gjithnjë e në rritje, por avantazhi i “Rejsit” është krijimi i një marrëdhënie të qëndrueshme dhe serioze me partnerët.
“Rejsi Farma” është distributori kryesor farmaceutik në tregun shqiptar, duke ofruar cilësi të lartë produkti në farmaci, spitale, klinika, qendra shëndetësore dhe palë të tjera të interesit. “Rejsi” mbulon të gjithë territorin shqiptar, duke furnizuar drejtpërdrejt qindra farmaci dhe klientë të tjerë. Ditë për ditë, agjentët e shitjes punojnë në çdo qytet shqiptar, duke menaxhuar individualisht secilën nga kërkesat e klientëve.
Përveç garantimit të furnizimit me kualitetit të lartë, të shpejtë dhe të rregullt për klientët me barna të standardit të lartë, pajisje mjekësore, ushqim shtesë, kozmetikë dhe produkte të tjera shëndetësore, “Rejsi” kryen shërbime shtesë në industrinë e farmaceutikës, duke ju ofruar partnerëve të saj “Shërbime rregullative” lidhur me regjistrimin e barnave ose pajisjeve mjekësore brenda territorit tonë, konform rregullave të BE-së.
“Rejsi Farma” ka plane të reja zhvillimi në të ardhmen, në drejtim të markave dhe produkteve të reja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.