Nga Elona Bedalli
Në fund të muajit dhjetor, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare deklaroi se kishte përfunduar hartimin e projektligjit për sigurimet dhe risigurimet dhe se e kishte dorëzuar atë pranë Ministrisë së Financave. Përfaqësues të shoqërive të sigurimeve janë shprehur se gjatë procesit të hartimit nuk janë thirrur për të dhënë opinionet e tyre. Sipas tyre, mungesa e konsultimit mund të sillte përsëritjen e problemeve që janë hasur ndër vite. Kjo ka bërë që një pjesë e përfaqësuesve të shoqërive të sigurimit të mblidhen për të hartuar vërejtjet dhe sugjerimet që do t´i paraqiten AMF-së. Të kontaktuar nga “Monitor”, burime zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, thanë se janë duke pritur opinionet e shoqërive të sigurimit dhe se në përfundim të shqyrtimit të tyre, do të japë edhe ajo opinionin mbi këto ndryshime.
Ejana Xhixha, sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, thotë për “Monitor” se çdo nismë ligjore që vjen në frymën e përmirësimit legjislativ apo harmonizimit të tij me atë të BE-së është i mirëpritur. Por, sipas saj, amendimi i ligjit aktual do të ishte i mjaftueshëm për të rregulluar ato që zhvillimi i tregut dikton. “Gjithsesi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare gjykoi se duhej hartuar një ligj i ri dhe në këtë kontekst, ne kërkuam të na njihej legjitimiteti si palë interesi, kërkesë e cila nuk u vlerësua nga autoriteti. Pas bërjes publike të draftit të hartuar, ne kemi ngritur një grup pune ku janë përfshirë ekspertë që mbulojnë çdo fushë ekspertize të projektligjit”.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka kërkuar kohë për të dëgjuar palët. Sipas drejtuesve të këtij institucioni, projektligji, që vlerësohet si vazhdimësi e ligjit ekzistues është hartuar duke marrë parasysh kërkesat në rritje të tregut të sigurimeve, zhvillimet më të fundit, formën e re të mbikëqyrjes, si dhe detyrimin për t´u përqasur me direktivat europiane. Kjo nismë vjen pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit dhe rregullores përkatëse të AMF-së për trajtimin e dëmeve në sigurime. Ndryshimet në ligjin për sigurimet dhe risigurimet vijnë pas shtatë vitesh dhe sipas përfaqësuesve të shoqërive të sigurimit ishin të detyrueshme, pasi tregu ka pësuar ndryshime sasiore dhe cilësore. Në harkun kohor të shtatë viteve (2004, viti i hyrjes në fuqi i ligjit që është aktualisht në fuqi) tregu i sigurimeve ka shënuar një sërë zhvillimesh. Nga një treg me 11 kompani sigurimi (Jete dhe Jo-jete) është shtuar edhe me një kompani tjetër Jo-jete dhe një risigurimi. Aktualisht katër kompani zotërohen me mazhorancë të cilësuar nga dy grupe të mëdha financiare në Austri (“Vienna Insurance Group” dhe “Uniqa Group”) dhe një kompani ka pjesëmarrje aksionere të një grupi slloven.
Shoqëritë: çfarë mund të përmirësohet
Për juristët e shoqërive të sigurimeve, projektligji i ri sjell një seri ndryshimesh, duke lënë të mendohet se më shumë kemi të bëjmë me një ligj krejtësisht të ri dhe jo një amendim të të parit. Drejtori Ligjor dhe i Dëmeve pranë kompanisë “Interalbanian”, Gedeon Dudushi, thotë se kapituj të tërë në projektligj i janë kushtuar pikërisht hyrjes në treg të kompanive dhe grupeve të huaja. “Ato tashmë do të kenë një rregullim më specifik, si në mënyrën e funksionimit, ashtu dhe të raportimit tek Autoriteti”, thotë z. Dudushi.
Sipas sekretares së përgjithshme të Shoqatës së Siguruesve, ndryshimet e tjera në projektligj kanë të bëjnë me zgjerimin e parashikimeve në funksion të garantimit të të drejtave të konsumatorëve. “Ata do të informohen në mënyrë më të detajuar para nënshkrimit të kontratës. Nga ana tjetër do të rritet transparenca në trajtimin e dëmit. Projektligji specifikon në mënyrë të detajuar elementët e kontrollit mbi aftësinë paguese të çdo kompanie apo grup sigurimi”, thotë znj. Xhixha.
Për drejtorin Ligjor dhe të Dëmeve të “Interalbanian” nga studimi i projektligjit rezulton se në thelb, qëllimi është pozitiv, por ndihet nevoja e më shumë ndryshimeve, shtesa, për procedura më të specifikuara dhe pakësim të rolit të AMF-së.
“Rregullimet në fakt derivojnë më së pari nga fakti se projektligji ndonëse i përgatitur nga ekspertë të huaj dhe nga një grup pune i AMF-së nuk është diskutuar me operatorët e tregut në fazën përgatitore. Ajo që bie në sy gjatë leximit të kujdesshëm të projektligjit është se ka kompetenca të shtuara e të tejskajshme të AMF-së, përgjithësime të kushteve të kontratave të sigurimit që do të sjellin çoroditje, jo vetëm te siguruesit, por edhe te klientët e që në fakt janë në kundërshtim edhe me Kodin Civil”, thotë Gedeon Dudushi.
Juristëve të shoqërive të sigurimit, projektligji, për nga mënyra se si është hartuar, i vë shoqëritë e sigurimit në pozita jo vetëm të pabarabarta me klientët e saj, por deri diku edhe diskriminuese, aq sa për çdo nen të kontratës, që mund të ketë mosmarrëveshje mes palëve, interpretimi “gjithmonë” bëhet në favor të klientit. “Kjo do të sjellë pështjellim për të gjithë tregun, pasi çdo personi do t´i lindë e drejta të kërkojë në mënyrë edhe abuzive, dëmshpërblim nga siguruesi, pasi këtij të fundit i duhet të interpretojë çdo nen në favor të kërkuesit?!”, thotë z. Dudushi.
Sipas juristëve të shoqërive të sigurimit, forcimi i kërkesës për dëmshpërblime të konsumatorëve ndaj kompanive të sigurimit duhet të mbetet boshti themelor i këtij ligji. Forcimi i këtij boshti, në këto kohë krizash, nuk i bën keq tregut, përveçse e shëndosh atë.
Ndërsa për një prej drejtuesve të Shoqatës së Siguruesve, ky është një moment i cili cenon në mënyrë flagrante mirëbesimin kontraktuar të Kodit Civil dhe krijon hapësira për abuzime, për të tejkaluar përfitimin nga një kontratë sigurimi.
Sipas ekspertëve të pavarur, ky është edhe problemi kryesor nga i cili vuan tregu i sigurimeve sot: mungesa e besimit ndaj shoqërive të sigurimit, sidomos në procesin e dëmshpërblimit të konsumatorëve. Juristët e shoqërive të sigurimeve thonë se në këtë mënyrë rëndohet pozita e atyre klientëve që me të vërtetë kanë të drejtë në kërkesat e tyre.
Një aspekt tjetër shqetësues për juristët ka të bëjë me tejkalimin e kompetencave të sanksionuara nga AMF-ja në këtë projektligj. Sipas drejtorit Ligjor dhe të Dëmeve, në shoqërinë “Interalbania”, tejkalimi shkon deri aty ku AMF-ja ka kompetenca edhe mbi OJF-të ku përfaqësohen siguruesit apo dhe në faktin se çdo vendim i AMF-së kthehet në titull ekzekutiv.
“Këto ndryshime që sjell ligji nuk shkojnë në frymën që kërkon tregu dhe aq më pak të ngjasojnë me praktikat më të mira të Bashkimit Europian”, thotë z. Dudushi.
Vërejtjet e ekspertëve në lidhje me projektligjin prekin edhe një aspekt tjetër, atë të kufizimit që i bëhet zgjedhjes së formës, së organizimit të drejtimit të shoqërisë së sigurimit, e cila krijohet dhe funksionon si sh.a. dhe sipas kodit tregtar parashikon dy mënyra: me një nivel dhe dy nivele.
“Ne mendojmë se ky kufizim frenon të drejtën e zgjedhjes së kësaj forme drejtimi sipas kushteve specifike që ka secila shoqëri, kufizim i cili nuk ka asnjë ndikim në ushtrimin e veprimtarisë siguruese të shoqërisë, por dhe as të vetë Autoritetit në përmbushjen e funksioneve të tij”, thotë znj. Xhixha.
Ekspertët ligjorë të shoqërive të sigurimit thonë se në 50% të neneve të këtij projektligji, lexon të drejtën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për të nxjerrë rregullore, udhëzime apo akte të tjera, për të përcaktuar rregulla, procedura, kuota të reja në normimin e një procesi të caktuar. “Natyrisht që çdo ligj ka nevojë për akte nënligjore për zbatimin e tij, por kur më shumë se 50% e ligjit legjitimon të drejtën për të nxjerrë rregulla të reja, atëherë cili është qëllimi i hartimit? Pra vihet re një tendencë e AMF-së për të shtuar rolin e saj në çdo element, proces, procedurë, marrëdhënie etj. Madje sanksionon se çdo vendim i bordit të AMF-së kthehet në titull ekzekutiv”, thotë sekretarja e përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve.
Përforcohet mbrojtja e konsumatorit
Në çdo rast që vëren një mospërputhje mes kontratës së sigurimit dhe zbatimit të saj për sa i përket kushteve të nënshkruara në të me kompaninë e sigurimit, për çfarëdo kategori sigurimi mund t´i drejtohesh për ankesë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në qoftë se shoqëria e sigurimit nuk të përgjigjet. Projektligji i ri ka përforcuar mbrojtjen e konsumatorit. Në ndryshim nga ligji aktual, kompanitë e sigurimeve do të mbikëqyren në vazhdimësi dhe jo pas marrjes së sinjaleve për abuzime. Nëse i siguruari gjykon se shoqëria e sigurimit nuk u përmbahet kushteve të vendosura në kontratën e sigurimit, ai mund të paraqesë një ankesë pranë shoqërisë së sigurimit. Shoqëria e sigurimit është e detyruar t´i përgjigjet çdo ankese të depozituar me shkrim apo në formë elektronike nga i siguruari apo persona të tjerë të interesuar dhe jep çdo informacion të kërkuar që ka lidhje me kontratën e sigurimit brenda 15 ditëve punë nga data e marrjes së kërkesës në fjalë. Shoqëria e sigurimit, sipas ligjit të ri, është e obliguar të krijojë një sistem të brendshëm për trajtimin e ankesave dhe procedura të brendshme për trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre ankesave. Ankesat e siguruesve trajtohen në mënyrë të paanshme dhe brenda afatit. Gjithashtu, i siguruari ka të drejtë t´i drejtohet Autoritetit për çdo pakënaqësi të trajtimit të ankesës së tij nga shoqëria e sigurimit. Nga ana e tij, Autoriteti kur e gjykon të nevojshme, i kthen për rishqyrtim shoqërisë së sigurimit çështjen e ankimuar dhe brenda kompetencave të tij mbikëqyrëse ka të drejtë të kontrollojë, nëse shoqëria e sigurimit zbaton praktikat e mira dhe rregullat profesionale. Procedurat dhe shqyrtimi i ankesave përcaktohen me rregullore nga Autoriteti. Në projektligj parashikohet edhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Në këtë rast, shoqëria e sigurimit vendos procedurën e përshtatshme për zgjidhjen jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve ndërmjet të siguruarve, policë-mbajtësve apo konsumatorëve me shoqërinë e sigurimit apo ndërmjetësit. Shoqëria e sigurimit publikon informacionin për rregullat e zgjidhjes jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve, si pjesë e kushteve të kontratës së sigurimit. Sipas draftligjit, në rastet e lindjes së mosmarrëveshjes për shkak të keqinterpretimeve të kushteve të kontratës së sigurimit, të hartuara nga siguruesi, zgjidhja e mosmarrëveshjeve do të bëhet duke interpretuar kushtet në favor të të siguruarit.
Rritet aftësia paguese
Një tjetër ndryshim i vlerësuar i rëndësishëm në projektligj ka të bëjë me faktin se fondi minimal i garancisë për shoqëritë e sigurimeve do të rritet. Parashikohet që kompanitë e sigurimit duhet të kenë një fond garancie për të siguruar pagesën e dëmeve të paktën 2.3 milionë euro, ndërsa për kompanitë e sigurimit të jetës, vlera minimale e fondit bëhet 3.5 milionë euro (nga rreth 3 milionë euro që është në ligjin aktual). Një rritje jo shumë e ndjeshme. Ekspertët e vlerësojnë këtë si një masë të drejtë në kushtet e tregut financiar në përgjithësi dhe të tregut të sigurimeve në veçanti.
Ligji përcakton se fondi i garancisë mund të investohet vetëm në Bono Thesari apo depozita bankare, por jo në aktivitete me risk. Projektligji parashikon edhe rritje të masës së gjobave që Autoriteti Mbikëqyrës mund të vendosë ndaj kompanive të sigurimit. Sipas ligjit në fuqi, për shkeljet e rënda, kompanitë e sigurimit mund të gjobiten me shuma në intervalin nga 1.5 deri në 2 milionë lekë, ndërsa sipas projektligjit gjobat për të njëjtat shkelje rriten në intervalin nga 2 deri në 3 milionë lekë. Për sa i takon masave ekstreme mbikëqyrëse, si vendosja nën administrim, revokimi i licencës apo likuidimi i kompanisë së sigurimit, projektligji në vija të përgjithshme ruan të njëjtat dispozita me ligjin aktual. Ligji në fuqi për sigurimet është miratuar në vitin 2004, ndërkohë që, sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, projektligji i propozuar është në kuadrin e përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian dhe është hartuar në bashkëpunim me ekspertë të Bankës Botërore.
Neni 98
Fondi i garancisë
1. Fondi i garancisë i shoqërisë së sigurimit përbëhet nga kapitali bazë i parashikuar në nenin 93 të këtij ligji dhe kapitali shtesë të parashikuar në paragrafin (1), të nenit 94 të këtij ligji dhe miratohet nga Autoriteti.
2. Fondi i garancisë nuk duhet të jetë më pak se 1/3 e nivelit të kërkuar të aftësisë paguese të përcaktuar në nenin 97 të këtij ligji.
3. Pavarësisht nga përcaktimi në paragrafin (1) dhe (2) të këtij neni:
a) Fondi i garancisë së një shoqërie sigurimi Jo-jete nuk mund të jetë më i ulët se vlera ekuivalente në lekë e 2.3 milionë eurove. Në rastin kur një ose disa rreziqe përfshihen në klasat 10 deri në 15 të Seksionit A, të Aneksit I, të këtij ligji, fondi i garancisë nuk mund të jetë më i ulët se vlera ekuivalente në lekë e 3.5 milionë eurove.
b) Fondi i garancisë së një shoqërie sigurimi nuk mund të jetë më i ulët se vlera ekuivalente në lekë e 3.5 milionë eurove, nëse shoqëria e sigurimit ushtron veprimtari sigurimi të jetës sipas klasifikimit të Seksionit B, të Aneksit I, të këtij ligji.
c) Fondi i garancisë së një shoqërie risigurimi nuk mund të jetë më i ulët se vlera ekuivalente në lekë e 3 milionë eurove.
d) Kufiri minimal i fondit të garancisë së shoqërisë që mbulon rreziqet e disa klasave të sigurimit të Jo-jetës, duhet të jetë i barabartë me vlerën e kufirit minimal të fondit të garancisë të klasës së sigurimeve, për të cilin është parashikuar kufiri më i lartë.
Kërkohet tryezë diskutimi
Përfaqësuesit e shoqërive të sigurimit dhe organizmat mbrojtëse të interesave të tyre thonë se në përfundim të procesit ata do të formalizojnë vërejtjet dhe sugjerimet. “Duke qenë se AMF-ja ka kërkuar komente dhe vlerësime mbi draftin prej operatorëve të tregut (gjë e cila do të ishte më mirë të kishte ndodhur përpara se drafti të përfundonte) ne do t´i përcjellim zyrtarisht, së bashku me një kërkesë për të ngritur një tryezë teknike, të përbashkët për të diskutuar e debatuar mbi argumentet më thelbësorë të këtij projektligji. Në këtë mënyrë të gjithë aktorët do të mund t´i japin aktit formën, vlerën dhe mbështetjen e duhur. Ata shprehen optimistë se vërejtjet dhe sugjerimet do të merren në konsideratë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.