Përqendrimi i kapitaleve nga njëra anë dhe instikti për t i mbirë ato në trajtën e sipërmarrjeve të suksesshme mbart në vetvete edhe rrezikun e investimeve të gabuara. Janë disa sinjale që shfaqen në ambientin investitor për të kuptuar se ka ardhur koha e borive të alarmit, kundrejt këtij rreziku. Idetë e biznesit janë akoma të varfëra.Ka afro 14 vjet që Shqipëria po përjeton një realitet të ri ekonomiko-politik. Iniciativa e lirë përbën filozofinë e veprimit në ekonomi dhe biznes, kurse liria e të shprehurit përfaqëson themelin e pluralizmit në politikë. Si rrjedhojë e ndryshimeve të ndodhura që nga viti 1990 e këtej, tashmë ekziston si realitet një klasë biznesmenësh, të cilët u bënë të tillë më shumë nga guximi dhe nga intuita për të kuptuar përpara të tjerëve faktin se koha e barazitizmit ishte flakur tutje dhe se një kohë tjetër kishte ardhur. Një kohë që kishte si aksiomë të saj faktin se përgjegjës për mirëqenien tënde në kapitalizëm je vetë ti. Ndaj dhe këta njerëz vrapuan më shpejt se të tjerët, duke qenë sot në rreshtin e parë të vrapuesve të lirë. Në këtë kuptim ata meritojnë fjalët më të mira dhe konsideratat më të larta. Mirëpo pas 14 vitesh diferencimi dhe akumulimi suksesesh e kapitalesh, duket se ka ardhur një moment tjetër. Një moment dhe një situatë ku prioritet apo faktor i bërjes së diferencës nuk del më guximi, por dituria dhe aftësia për t u përballur me sfidat e reja të realitetit. Një moment, i cili nëse nuk përballohet siç duhet, atëhere ka rrezik të shndërrohet në tretës i të gjitha sukseseve të arritura deri tani. Pra, është një barrë shumë e rëndë. Biznesmenët shqiptarë tashmë janë kujdestarë kapitalesh. Çka do të thotë se e gjithë pasuria që kanë ata, me tëpër sesa pronë private është një pasuri kombëtare. Dhe sa më mirë të administrohet kjo pronë, cilado qoftë forma e saj, aq më ndikim pozitiv ka ky miradministrim në treguesit makro dhe mikroekonomikë të vendit. Riprodhimi i këtyre kapitaleve, nuk është gjë tjetër veçse shtim i pasurisë kombëtare. Dhe në të kundërt, çdo falimentim nuk është gjë tjetër veçse skontim i pasurisë kombëtare dhe shtim i problemeve ekonomike dhe sociale. Biznesmenët janë subjekte punësues, me detyrën për të realizuar edhe progresin social të të punësuarve të tyre. Kjo kërkon përparim treguesish në treg dhe kjo vjen vetëm si rrjedhojë e administrimeve të mira dhe efikase. Biznesmenët shqiptarë kanë destinimin për të qenë subjekte tatimpagues, me detyrimin për të qenë korrekt me shtetin dhe me ligjet. Mirëpo edhe kjo bëhet e mundur nëse drejton e administron me njohuri e zotësi. Kur ambienti konkurrues është i tillë që i vë në pozita të barabarta të gjithë edhe sa i takon këtij aspekti. Të gjitha këto atribute të biznesmenëve shqiptarë janë të nevojshme për t u theksuar për të tërhequr vëmendjen se tashmë kemi arritur në një stacion tjetër të zhvillimit ekonomik. Përqendrimi i kapitaleve nga njëra anë dhe instikti për t i mbirë ato në trajtën e sipërmarrjeve të suksesshme mbart në vetvete edhe rrezikun e investimeve të gabuara. Janë disa sinjale që shfaqen në ambientin investitor për të kuptuar se ka ardhur koha e borive të alarmit, kundrejt këtij rreziku. Idetë e biznesit janë akoma të varfëra. Restoranti, distributori i karburantit, pub-i, kafeja, ndërtimi apo ndonjë gjë tjetër përbëjnë maksimumin e fantazisë së një kandidat-investitori. Mungojnë studimet e mirëfillta nga ana e shtetit, masterplanet rregullues të tij, çka do të pengonin investimet pa efektivitet. Nga ana tjetër, një kategori biznesmenësh, e dehur nga suksesi në fazën e parë të konkurrimit dhe diferencimit, tenton të investojë kapitalet e përqendruara, në fusha më të ndërlikuara, pa asnjë studim paraprak, pa asnjë planbiznesi racional, por vetëm e vetëm pse një ide e tillë i është fanepsur në ëndërr. Atëhere, si mund të shpëtohet nga kurthi që iu ka ngritur biznesmenëve momenti ku gjendet vendi? Një fjalë e urtë popullore thotë se, qari dhe qederi gjenden afër. Çka në kushtet e sipërmarrjes së lirë përkthehet se suksesi me dështimin gjenden fare afër njëri-tjetrit, nëse llogaritë bëhen me shkop në rërë dhe jo me laps ekonomisti. Sigurisht, nëpërmjet tërheqjes së vëmendjes nuk kemi aspak si qëllim dekurajimin e të gjithë atyre personave që kanë kapitale për të investuar. Dëshira është vetëm bërja e një apeli për iniciativa biznesi të bazuara në logjikë racionale e studime serioze.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.