Bukureshti ka shprehur zhgënjim lidhur me lajmet se shtetet e BE-së do t’i mbajnë tregjet e punës “pjesërisht ose tërësisht” të mbyllur për Rumaninë deri në 2014-n.
“Ne shprehim keqardhjen që disa anëtarë të Bashkimit Europian kanë vendosur që të mbajnë tregjet e punës të mbyllur për Rumaninë edhe për dy vitet e ardhshme”, tha ministri i Jashtëm Teodor Baconschi.
“Por ne jemi të angazhuar që të vazhdojmë dialogun e nevojshëm në mënyrë që të garantojmë lëvizjen e lirë për punonjësit rumunë nëpër të gjithë Europën”, shtoi ai.
Baconschi e bëri këtë deklaratë pak pasi nëntë shtete të BE-së njoftuan vendimin për të zgjatur kufizimet e lëvizjes së lirë të punonjësve potencialë nga Rumania deri më 1 janar 2014. Komisioni Europian duhet të miratojë këto vendime.
Rumunët duhet të kenë leje pune për të punuar në Belgjikë, Gjermani, Irlandë, Francë, Luksemburg, Holandë, Austri, Mbretëri e Bashkuar dhe Maltë, ndërsa disa kufizime pune janë vendosur nga Spanja.
E njëjta situatë zbatohet për punonjësit bullgarë, me përjashtim të Spanjës. Kufizimet u vendosën në vitin 2007 kur dy vendet e Ballkanit hynë në Bashkimin Europian.
Disa shtete, përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Irlandën, Holandën, Belgjikën kanë cituar krizën ekonomike dhe normën e lartë të papunësisë si arsye për zgjatjen e afatit.
Vetëm Italia dhe Republika Çeke kanë vendosur që të liberalizojnë tërësisht tregjet e tyre të punës për qytetarët nga dy anëtarët më të rinj të BE-së, duke nisur nga 1 janari i këtij viti.
Rreth 3 milionë rumunë jetojnë dhe punojnë legalisht jashtë vendit, kryesisht në Spanjë, Itali dhe Spanjë. Shumë u zhvendosën pasi Rumania hyri në Bashkimin Europian, duke punuar me paga modeste.
Në vitin 2010, paratë që u dërguan në shtëpi nga rumunët ishin pothuajse sa dyfishi i shumës së injektuar në ekonomi përmes Investimeve të Huaja Direkte, IHD, të cilat arritën në 2.27 miliardë euro, sipas të dhënave zyrtare.
Bukureshti renditet i pari në Bashkimin Europian, në termat e prurjeve të emigrantëve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).