Një Skoci e pavarur do të ribalanconte ekonominë e Britanisë së Madhe dhe do i sillte prosperitet Anglisë së veriut, deklaroi kreu skocez Alex Salmond të mërkurën në përpjekje për të ‘eleminuar’ shqetësimet në jug të kufirit rreth shkëptutjes së Skocisë nga Mbretëria e Bashkuar.
Në një fjalim të mbajtur St. George’s Day (Ditën e Shën Gjergjit), dita kombëtare e Anglisë, Salmond theksoi se lidhjet historike midis Skocisë dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojnë edhe pse skocezët votuan për pavarsi në referendumin e 18 shtatorit.
Duke folur nga katedralja e Carlisle, në qytetin historik të Carlisle vetëm 10 kilometra në jug të kufirit skocez, Salmond tha se një votë ‘Po’ në shtator do të ndryshonte shumë pak aspekte të jetës së përditshme në Skoci dhe në vendet e tjera në Mbretërinë e Bashkuar.
Skocia do vazhdojë ta mbajë Mbretëreshën si kreu i shtetit, sikundër në vende të tilla si Australia, tha ai, dhe e quajti kërcënimin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të mos përdorur paund-in si monedhë të përbashkët thjesht një marifet nga fushata JO.
‘Rreziku i vërtetë si për Skocinë dhe rajonet e Britanisë së Madhe qëndron në sistemin aktual. Ne jemi pjesë e një Britanie të Madhe e cila është thellësisht e paqëndrueshme, ‘tha ai.