Më së fundi, pas shumë zërave, Samsung Galaxy S8 shfaqet me një nga imazhet zyrtare.
Sipas fotove të publikuara në faqen VentureBeat, falë bashkëpunimit me Evans Blass, një ndër gazetarët ekspertë në fushën e teknologjisë, gjëja e parë që bie në sy është prania e lexuesit për gjurmët dixhitale në pjesën e pasme të telefonit.
Në fakt, për Galaxy 8, Samsung ka vendosur t’i thotë lamtumirë butonit Home dhe e ka pozicionuar sensorin biometrik pranë kamerës së pasme.
Karakteristika teknike të Samsung Galaxy S8
Përveç imazheve, VentureBeat ka siguruar edhe karakteristikat e Samsung Galaxy S8. Ky smartphone do të jetë në dy versione: një më i vogël me ekran 5,8 inç dhe Galaxy Plus me ekran 6,2 inç. Krahasuar me Samsung Galaxy S7, dimensionet e ekranit janë shumë më të mëdha, por madhësia e pajisjes është pak a shumë e njëjta. Ekrani zë 83 për qind të sipërfaqes së përparme të Galaxy S8.
Samsung Galaxy S8 do të ketë një mikroprocesor Snapdragon 835, i suportuar nga GPU Adreno 540, 4GB RAM dhe 64 GB memorie të brendshme e cila mund të zgjerohet me një skedë MicroSD.
Kamera dhe sensori biometrik i Galaxy S8
Smartphone do të ketë një kamerë të pasme 12 megapiksel, ndërsa kamera e përparme 8 megapiksel. Një ndër risitë e këtij modeli është se sensori biometrik është i pozicionuar në pjesën e pasme të smartphone, pranë sensorit të kamerës
Data e daljes në treg dhe çmimi i Galaxy S8
Siç është bërë e ditur në ditët e mëparshme, Samsung Galaxy S8 nuk do të jetë i pranishëm Mobile World Congress në Barcelonë. Kompania koreane ka përgatitur një event më 29 mars në Nju Jork. Për hedhjen në treg do të duhet të presim 21 prillin. Samsung me ekran 5,8 inç do të kushtojë 799 euro, ndërsa Galaxy Samsung S8 Plus me ekran 6,2 inç do të kushtojë 899 euro.