Të mirat: Ky është smartfoni i parë në botë që ka “zemër” Tizen; ngjason me telefonët Android dhe ka një departament harduer shumë të fuqishëm
Të këqijat: Duke qenë se nuk bazohet te “roboti jeshil” i Google, Samsung Z nuk do të lejojë aksesin te Google Play Store, por e vetë Samsung-ut.
Të përgjithshme: Disponon një departament harduer shumë të avancuar, gjë që lë të kuptohet se gjiganti koreanojugor ka plane të mëdha për telefonat e tillë
Çmimi: Rreth 500 euro
Iu desh pak më shumë kohë sesa ishte parashikuar, por më në fund Samsung i prezantoi publikut smartfonin me sistemin e ri operativ Tizen, që deri tani është parë vetëm te “orët e zgjuara” Gear 2. Quhet Samsung Z dhe është një nga telefonat më të fuqishëm të hedhur deri më sot në treg.
Por, le të njihemi me skedën teknike të tij. Samsung Z bazohet te një ekran i gjerë 4.8 polësh Super AMOLED me rezolucion 1280 x 720 piksel, dhe ushqehet nga një procesor quad-core 2.3 GHz, 2 GB RAM e 16 GB memorie të brendshme që mund të zgjerohet falë skedës microSD. Ka në trup një bateri 2600 mAh, një fotokamerë ballore 2.1 megapiksel e një të pasme 8 megapiksel, një lexues të shenjave të gishtërinjve dhe një kardiofrekuenciator si ai që kemi parë te Samsung Galaxy S. Për ndërlidhjen në dispozicion janë: Wi-Fi, Bluetooth e LTE. Është i përfshirë edhe aplikacioni S Health dhe të tjera të zhvilluara nga Samsung dhe që janë parë edhe tek aparate të tjera të gamës së njohur Galaxy.
Estetikisht është i ngjashëm me smartfonët e tjerë Galaxy, por me një formë më katrore. Ajo që mund të thuhet është se Samsung Z disponon një departament harduer shumë të avancuar, gjë që lë të kuptohet se gjiganti koreanojugor ka plane të mëdha për telefonat Tizen. Karakteristika kryesore dalluese, pa dyshim që mbetet sistemi operativ Tizen, në versionin 2.2.1, estetikisht është shumë i ngjashëm me atë që është parë deri më sot në aparatet Android të Samsung dhe kjo i dedikohet pamjes ballore TouchWiz që e bën të ngjashëm me aplikacionet Android.
Duke qenë se nuk bazohet te “roboti jeshil” i Google, Samsung Z nuk do të lejojë aksesin te Google Play Store, por e vetë Samsung-ut.
Samsung Z është telefoni i parë i “zgjuar” që ndjek platformën Tizen, e që në muajt në vazhdim do të mund të gjendet edhe në aparate të tjerë.
Interesant është fakti se smartfoni në fillim do të jetë i disponueshëm vetëm në Rusi, duke filluar nga tremujori i tretë i vitit 2014, për t’u hedhur më pas në tregje të tjera. Shtëpia prodhuese duket qartë se ka vendosur që në fillim të “pushtojë” tregjet në zhvillim dhe të parandalojë ndonjë pengesë të mundshme për të dalë në pjesën më të madhe të tregjeve të botës.