Sektori bankar ka hedhur hapa të shpejtë në drejtim rë dixhitalizimit të pagesave, por avancimi i mëtejshëm kërkon edhe ndërhyrje të domosdoshme ligjore, rregullatore dhe teknike.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë fjalës së tij në forumin “Dixhitalizimi kundrejt parasë fizike”, ilustroi rritjen e fortë të pagesave elektronike në dekadën e fundit.
“Në vitin 2012, rreth 96% e transfertave incioheshin në letër në sportelet e bankave, ndërkohë që sot rreth 50% e transfertave procesohen në distancë. Nëse në llogaritje përfshijmë dhe pagesat me kartë, rezulton se 79% e pagesave dhe transfertave kryhen në distancë dhe vetëm 21% në degët e bankave.
Në këtë këndvështrim, vlerësoj se bankat mbeten të angazhuara për të akomoduar edhe nevojat e platformës e-Albania, si në kushtet ekzistuese, ashtu edhe pas krijimit të “open banking”.
Harmonizimi dhe koordinimi kësaj platforme dhe atyre të sistemit bankar, si dhe dhënia e prioritetit zhvillimeve të nevojshme që kërkohen në lidhje me to, do të sjellë jo vetëm një lehtësim dhe ndërveprim më efikas, por dhe shtim të sinergjisë midis të gjitha palëve të përfshira në këto procese,” tha Sejko.
Ai vendosi në dukje se dixhitalizimi i mëtejshëm dhe ofrimi i shërbimeve si hapja e llogarisë apo nënshkrimi në distancë kërkojnë mbështetjen e institucioneve publike, me ndryshimin e bazës ligjore dhe nënligjore, si edhe me ngritjen e një depozitari të të dhënave biometrike.
“Me rëndësi mbetet edhe kapërcimi i çdo problematike të identifikuar gjatë gjithë këtyre viteve nga zbatimi i inovacioneve të përmendura më parë. Një theks i veçantë duhet vendosur mbi problematikat e hasura nga hapja e llogarive dhe nënshkrimi i kontratave në distancë, të cilat janë parakusht i nevojshëm për digjitalizimin e shërbimeve.
Pavarësisht parashikimeve ligjore e rregullative në lidhje me këto çështje, zbatimi në praktikë ka dëshmuar se mbart problematika të karakterit teknik. Për këtë qëllim, do të inkurajonim bashkëpunimin e gjithë institucioneve dhe aktorëve të tregut për të tejkaluar problematikat që mund të lindin në lidhje me: parandalimin e pastrimit të parave; nënshkrimin elektronik; lidhjen e kontratave në distancë; promovimin e përdorimit të dokumenteve elektronike dhe informacioneve të nevojshme gjatë aplikimeve të qytetarëve pranë bankave.
Të gjitha këto do të lehtësonin më tej digjitalizimin, jo vetëm të pagesave, por dhe të shërbimeve të tjera, si huadhënia dhe investimet, duke kontribuuar ndjeshëm në objektivin e përbashkët të formalizimit dhe rritjes së qëndrueshme të ekonomisë.
Krijimi i një “depozitari qendror” të të dhënave biometrike të popullsisë, të cilat mund të përdoren si elemente sigurie në komunikimin edhe autentifikimin në distancë, është një zhvillim mjaft pozitiv për digjitalizimin e shërbimeve bankare.
Për më tepër, zhvillimi i nënshkrimit elektronik dhe përmirësimi i legjislacionit për nënshkrimin e kontratave në distancë është gjithashtu një masë mbështetëse në këtë drejtim,” tha ai.
Sejko shtoi se është e nevojshme të shihen dhe të vlerësohen mundësitë e zhvillimeve infrastrukturore të parashikuara në strategji, të cilat do të sjellin një efikasitet të shtuar në procesimin e pagesave dhe transfertave, si Instant Payments apo SWITCH-i kombëtar.
Ai mbështeti kërkesat e sektorit bankar për masa shtesë ndaj përdorimit të parasë cash. Sipas tij, duke hulumtuar eksperiencat e fqinjëve tanë dhe më gjerë, mund të identifikohen masa të tjera shtesë, të cilat do të nxisin formalizimin e ekonomisë dhe reduktimin e përdorimit të parasë fizike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.