Fondi i Investimeve Europiane dhe Banka Intesa AD nënshkruan marrëveshjen e parë në Serbi sipas programit COSME, program i Komisionit Europian për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM).
Në sajë të mbështetjes financiare të Komisionit Europian, FIE është duke siguruar një garanci të drejtpërdrejtë që do të bëjë të mundur që Banka Intesa AD të mbështesë 3,000 NVM në Serbi gjatë dy viteve të ardhshme, me një vlerë prej 60 milionë eurosh kredi me kushte të favorshme, me një maturim afatgjatë dhe pa asnjë kolateral.
Ministri i Ekonomisë, Goran Knezeviç, tha në një deklaratë për shtyp se Serbia po zhvillohet gjithnjë e më shumë dhe se qeveria serbe është duke e përqendruar vëmendjen e saj në sipërmarrjen e NVM-ve të cilat konsiderohen si një prej faktorëve kryesorë të këtij zhvillimi.
Knezeviç u shpreh se përveç ndarjes së fondeve të konsiderueshme në buxhet për mbështetjen financiare dhe jofinanciare të këtij sektori, qëllimi ynë, ashtu siç është përcaktuar edhe në Strategjinë tonë, është sigurimi i burimeve të reja të financimit për NVM-të dhe gjetja e sipërmarrësve të rinj, ashtu siç do bëhet edhe përmes programit europian COSME.
Ministri gjithashtu shtoi se Ministria e Ekonomisë do të sigurojë vazhdimësinë e bashkëpunimit me bankat tregtare për zbatimin e programit COSME. Ashtu siç ne të gjithë e dimë mjaft mirë, NMV-të janë shtylla e çdo ekonomie në ditët e sotme. Në këtë aspekt, Serbia nuk bën përjashtim. Në fakt, 99.8% e ndërmarrjeve në Serbi janë NVM. Këto NVM punësojnë 65% të të gjithë të punësuarve në sektorin privat (jo-financiar) dhe kontribuojnë rreth 56% të vlerës së shtuar neto në ekonomisë (jofinanciare) e Serbisë.
Referuar këtyre shifrave, çdo program siç është edhe ai COSME, që ka për synim të nxisë rritjen e NVM-ve, do të ndikojë njëkohësisht edhe në rritjen e ekonomisë në tërësi.
Për këtë arsye, ekzistenca e tij është e rëndësishme dhe prandaj BE-ja është fokusuar kryesisht në mbështetjen e këtij sektori, u shpreh ambasadori Michael Davenport, kreu i delegacionit të BE-së.
Drejtori Ekzekutiv i Bankës Intesa AD, Draginja Gjuriq, tha se ishin shumë krenarë që Intesa, është banka e parë që ka filluar zbatimin e programit COSME në Serbi, duke konfirmuar angazhimin e saj afatgjatë si bankë udhëheqëse në treg dhe kreditori më i madh i ekonomisë duke qenë një partner i besueshëm i qeverisë serbe në nxitjen e sipërmarrjes dhe mbështetjen e zhvillimit të tij me anë të ofertave të vazhdueshme të kredive të përmirësuara.
Sipërmarrësit dhe NVM-të janë shtylla e rritjes së ekonomisë dhe punësimit në Serbi, dhe kjo marrëveshje e nënshkruar na krijon neve mundësinë që t’u ofrojmë atyre financimin e nevojshëm me kushte shumë më të mira se të tregut, me një normë të ulët interesi, maturim afatgjatë dhe ajo që është ndoshta më e rëndësishmja për ta – pa kolateral.
Duke e përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes, kreu ekzekutiv i Fondit të Investimeve Europiane, Pier Luigi Gilibert, tha se marrëveshja me bankën Intesa shënon edhe një hap të rëndësishëm për NVM-të në Serbi. 60 milionë euro është një vlerë shumë e lartë, e cila do të kontribuojë në përmirësimin e klimës së përgjithshme të investimeve në Serbi.
Duke komentuar mbi transaksionin, Komisionerja e BE-së për Tregun e Brendshëm, Industrinë, Sipërmarrjet dhe NVM-të, Elzbieta Bieńkoëska, tha se ‘bizneset e vogla janë shtylla kryesore e ekonomive tona. Në sajë të mbështetjes së programit COSME të Komisionit Europian, kjo marrëveshje do t’i mundësojë 3000 NVM-ve në Serbi një qasje më të lehtë në financim dhe mundësi për të përfituar nga kreditë në mënyrë të tillë që të mbështesin bizneset e tyre.