Flet Arbi Veliaj, Drejtor Ekzekutiv Gogel Publicis
Vitet e fundit, Shqipëria ka pasur arritje fantastike në futboll, si në aspektin lokal, por edhe ndërkombëtar, duke e shtuar edhe më shumë vëmendjen e audiencës lokale.
Arbi Veliaj, Drejtor Ekzekutiv i “Gogel Publicis”, pjesë e grupit më të madh të “advertising” në botë, Publicis WorldWide, pohon se për reklamuesit kjo nënkupton edhe më shumë arsye për të qenë të pranishëm me buxhetet dhe strategjitë e tyre të marketingut.
Cila ka qenë ecuria e tregut të reklamave në periudhën e fundit, nëse ka ndryshime në kanalet e komunikimit dhe nëse këto ndryshime janë reflektuar në rialokime buxhetesh?
Tregu i reklamave ka pasur një ecuri konstante. Gogel është pjesë e grupit më të madh të “advertising” në botë, Publicis WorldWide dhe agjencia shqiptare me portofolin më të madh me klientë ndërkombëtarë.
Tregu i reklamave vendas paraqet mjaft sfida dhe ka shumë dimensione të parregulluara, si për shembull mungesa e të dhënave të matjes së audiencës të certifikuara nga autoritete të pavarura dhe të njohura nga të gjitha palët.
Të qenët pjesë e Publicis WorldWide na ka krijuar akses në teknologjitë më të fundit dhe platformave më të përparuara dixhitale, duke u siguruar klientëve tanë zgjidhje edhe në situata të tilla sfiduese.
Ka një trend rritës të pamohueshëm në tregun e medias dixhitale. Ne besojmë se revolucioni dixhital do të transformojë rrënjësisht mënyrën e të reklamuarit në Shqipëri, sepse ofron transparencë në menaxhimin e buxheteve, por edhe mat efikasitetin në kohë reale.
Për këtë arsye, ne kemi investuar në teknologjitë më të fundit dhe platformat më të mira, si elementi ynë diferencues në treg dhe një qasje e sigurt në ndërtimin e fushatave sa më efikase dhe rrjedhimisht edhe marrëdhënieve më të besueshme me klientët tanë.
Megjithatë, deri në veprimin e plotë të revolucionit dixhital, televizionet mbeten ende mediumi me më shumë ndikim dhe depërtim në audiencë e për pasojë, marrin dhe pjesën më të madhe të shpenzimit të buxheteve të reklamave.
Si e shihni interesin për investime buxhetesh marketingu në evente sportive? (A ka një trend në rritje…?)
Pas viteve ’90, shoqëria jonë nuk kultivoi një kulturë për t’u marrë me sport në të përditshmen. Por vitet e fundit, sporti ka gjetur një hapësirë të re, më të madhe në jetët tona, duke shtuar edhe vëmendjen rreth kompeticioneve sportive.
Futbolli mbetet sporti më i dashur. Prania e duhur, me mesazhin, produktin apo shërbimin e duhur në eventet e futbollit ofron përfitime të çmueshme për cilindo biznes.
Çfarë i motivon subjektet tregtare që të alokojnë buxhete reklamimi në evente sportive, kryesisht futbollin?
Pikërisht, kjo forcë e madhe që ka futbolli për të bërë bashkë kaq shumë njerëz, histori nga background-e të ndryshme në një vend apo kohë të caktuar përjetimesh të forta, ofron një mundësi të artë për bizneset, për të rritur praninë apo dijeninë rreth shërbimeve dhe produkteve të tyre.
Vitet e fundit, Shqipëria ka pasur arritje fantastike në futboll si në aspektin lokal, por edhe ndërkombëtar, duke e shtuar edhe më shumë vëmendjen e audiencës lokale.
Për reklamuesit, kjo nënkupton më shumë arsye për të qenë të pranishëm me buxhetet dhe strategjitë e tyre të marketingut.
Si e sa e parashikoni ngarkesën ju si agjenci në kuadër të një eventi si UEFA Euro 2024? (shërbime agjencie për shportën tuaj, fushata komunikimi, përgatitje materialesh kreative, media buying, etj.)
Gogel Publicis është një “laborator advertising” që ofron shërbime 360 gradë.
Pra, nga kërkimi, strategjitë, te blerjet mediatike, shërbimet dixhitale dhe krijuese deri te metodologjitë e kurimit të marrëdhënieve me publikun, ne përpiqemi që t’u mundësojmë klientëve një adresë të vetme për gjithçka çfarë ata mund të kenë nevojë.
Në këtë sens, asnjë sezon nuk është i ngarkuar për nga kapacitetet tona, por ndodh që prej portofolit të ngjeshur të klientëve, strukturat tona njerëzore duhet të kapin ritme të krahasueshme me agjencitë më të mëdha në rajon, apo më gjerë.
Kampionati Europian ose UEFA Euro 2024 është një moment ku të gjitha shërbimet tona vihen në veprim. Për klientët tanë, besoj se ofron një nga periudhat më të mira për të sjellë fushata inovatore, shërbime të reja apo edhe një shans fantastik për të forcuar apo për të krijuar lidhje me audiencat e tyre.
Sigurisht, gjithçka ngjyroset edhe më fort, nëse kemi një performancë të mirë të kombëtares sonë, për të cilët ne të gjithë kemi shpresa të mëdha.
Pa dyshim se sezoni i marketingut në këtë edicion të Kampionatit Europian do të jetë intensiv deri në fund, sepse siç thashë dhe më herët, ky sport popullor krijon përjetime dhe lidhje që tejkalojnë kornizat komunitare apo rajonale, duke prodhuar tifozë e dashamirës shqiptarë edhe për skuadrat e huaja.
LEXONI EDHE:
Të gjithë sytë tek Europiani, pritet audiencë rekord
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.