Është koha që në drejtimin e institucioneve shëndetësore të marrin më shumë peshë profesionistët e administrimit. Ndërsa mjekët ti kushtojnë më shumë kohë dhe vëmendje ndaj detyrës humane për të cilën janë shkolluar: përkujdesjes për shëndetin.Sistemi shëndetësor shqiptar gjendet i zhytur në borxhe të thella. Deficiti total, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është rreth 15 milion USD ose 33% e buxhetit operativ shëndetësor për vitin 2005. Pjesa më e madhe e deficitit, 80% e tij, është shkaktuar nga shpenzime për blerjen e barnave në spitale. Vetëm Qendra Spitalore Universitare regjistroi në fund të vitit 2005 një borxh prej rreth 10 milion USD.Pa harruar se qeveria vendosi ti falë ISKSH-së një borxh që, sipas saj, arrinte në rreth 16 milion USD. Vetë ISKSH i ka një borxh të konsiderueshëm prej ½ milion USD. Siç shihet, në sistemin shëndetësor është krijuar një rreth i mbyllur borxhesh mes institucioneve të ndryshme që kanë të njëjtin hall: pamundësinë për të paguar detyrimet. Sipas drejtorit të drejtorisë ekonomike në Ministrinë e Shëndetësisë, Saimir Kadiu, shumica e borxhit, afro 80%, vjen për shkak të kontratave të pashlyera me firmat farmaceutike për furnizimin me barna të spitaleve. Z. Kadiu deklaron se borxhi, në pjesën më të madhe do të shlyhet me ndihmën e qeverisë shqiptare. Kjo nënkupton se do të ketë fonde shtesë enkas për shlyerjen e borxheve në shëndetësi. Pak a shumë e njëjta rrugë u ndoq edhe me borxhin e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, të cilit qeveria i fali një borxh, që sipas saj, arrinte në rreth 16 milion USD. Vetëm Qendra Spitalore Universitare ka një borxh që në fund të viti 2005 prekte shifrën e 10 milion dollarëve, por që tani është reduktuar në rreth 8.5 milion USD falë një fondi të veçantë që Ministria e Shëndetësisë ia shtoi buxhetit të planifikuar të QSUT, natyrisht në dëm të qendrave dhe institucioneve të tjera shëndetësore. Po të shikojmë shifrat, në tre vitet e fundit, buxheti për shëndetësinë ka ardhur në rritje të ndjeshme. Buxheti total për shëndetësinë në vitin 2006 është rreth 19.2 miliard lekë, gati 25% më shumë se në vitin 2003. E megjithatë deficiti është thelluar.Drejtori ekonomik ka bërë të qartë se do të shmanget çdo shpenzim i tepërt dhe prioritet do tu jepet vetëm domosdoshmërive, kryesisht barnave. Sipas tij, duhet më shumë kujdes dhe përgjegjshmëri me shpenzimet, një pjesë e të cilave mund të reduktohen. Ai vëren se gati 25% e shpenzimeve shkojnë për pagesën e ujit dhe energjisë, të cilat mund të përdoren më me kursim, sidomos në disa spitale të vendit ku ka hapësira të konsiderueshme që nuk shfrytëzohen. Fjalëkalimi është: mirëadministrim dhe kursim sa më shumë të jetë e mundur. Specialistët e administrimit financiar në shëndetësi thonë se rruga për të dalë nga kjo gjendje është një administrim që bazohet në përllogaritje sa më të saktë të shpenzimeve dhe në një kontroll të rreptë të shpenzimeve. Në një ekonomi tregu gjithçka e ka një kosto dhe gjithmonë dikush duhet të paguajë, prandaj edhe institucionet sociale, pavarësisht nga objekti i aktivitetit të tyre, duhet ta mbajnë gjithmonë një sy nga bilanci. Është koha që në drejtimin e institucioneve shëndetësore të marrin më shumë peshë profesionistët e administrimit, ndërsa mjekët ti kushtojnë më shumë kohë dhe vëmendje ndaj detyrës humane për të cilën janë shkolluar: përkujdesjen për shëndetin. Gjiganti borxhliDrejtorja ekonomike e QSUT, Afërdita Tafaj, pohon se institucioni ka trashëguar një borxh të rëndë, që vërtitej në rreth 10 milion USD. Sipas saj, borxhi ka qenë progresiv dhe ka nisur në vitin 2003. Megjithatë, borxhi ka filluar të shlyhet dhe aktualisht ai është ulur në rreth 8.5 milion USD. Kjo u bë e mundur falë një fondi shtesë të akorduar nga Ministria e Shëndetësisë. “Borxhi ka ardhur si pasojë e mosplanifikimit të drejtë të nevojave, – shprehet zj. Tafaj. Këtu përfshihet edhe fakti i të kryerit të prokurimeve në ministri. Këto prokurime kryheshin pa u shoqëruar me fonde shtesë dhe pa marrë parasysh pamundësinë për të paguar të QSUT”. Edhe zj.Tafaj konfirmon se pjesa më e madhe e tenderave që kanë sjellë deficitin kanë pasur të bëjnë me blerjen e barnave. Sipas saj, fondet për blerjen e barnave përbëjnë gjysmën e buxhetit të QSUT-së. Çështë më e keqja, kjo zhytje në borxhe për shkak të barnave nuk është justifikuar nga një shërbim i plotë kurues ndaj pacientëve. Shpesh pacientë të shtruar në QSUT janë ankuar se barnat për tu kuruar në spital janë detyruar ti blejnë vetë në farmaci. Drejorja ekonomike e kompleksit spitalor universitar thotë se një problem i tillë nuk do ti shqetësojë më pacientët dhe për këtë janë kryer të gjitha procedurat teknike rutinë.”Këtë vit, – thotë zj.Tafaj-, shefat e reparteve kanë dërguar listën përkatëse me të gjitha barnat e domosdoshme që duhet të gjenden në spitale. Këto lista janë miratuar edhe nga komisionet mjekësore dhe nuk kanë asnjë pengesë tashmë për organizimin e tenderave dhe sigurimin e barnave.” Arsye tjetër, sipas saj, ka qenë mungesa e një kontrolli të rreptë dhe rigoroz në kryerjen e veprimeve të ndryshme. Kjo nënkupton se një pjesë e borxhit të QSUT-së i detyrohet edhe abuzimeve me shpenzimet operative. Mes detyrimeve të pashlyera regjistrohen edhe ato për energjinë elektrike, ujin e pijshëm, firmat që mbulojnë shërbimin e ushqimit etj. Sipas drejtores ekonomike, koston më të lartë në buxhetin e QSUT-së e kanë onkologjiku, repartet e kardiokirurgjisë, hematologjisë e neurokirurgjisë.Si do “kurohet” borxhi?Edhe drejtorja ekonomike e QSUT-së është në të njëjtën gjatësi vale me përfaqësuesit e ministrisë, kur thotë se shlyerja e borxhit nuk mund të bëhet pa kontribute shtesë financiare nga qeveria shqiptare. Por një burim tjetër i konsiderueshëm fondesh për QSUT-në janë edhe të ardhurat dytësore, të cilat burojnë kryesisht nga të ashtuquajturat ekzaminime terciare ose kontrollet e shtrenjta, që përfshijnë endoskopitë, ekografitë, skanerat, koronarografitë dhe rezonancat magnetike. Vetëm për vitin 2005, të ardhurat nga këto kontrolle ishin 700 mijë USD. Këtyre iu duhen shtuar edhe pjesa e ekzaminimit që subvencionohet nga ISKSH, për pacientët e siguruar. Siç dihet, qysh prej muajit mars 2005 ISKSH e ndërpreu pagesën e të gjitha detyrimeve të saj. Dhe ndër subjektet ku ISKSH ishte debitore përfshihej edhe QSUT, me rreth 60 mijë USD në muaj. Aktualisht, ky borxh ka arritur në mbi gjysmë milioni USD. Gjithashtu, për të shmangur përsëritjen e situatave financiare problematike dhe akumulimin e borxheve të tjera do të fillojë të zbatohet një formë më serioze administrimi financiar, që presupozon një përllogaritje të detajuar të kostove dhe kontroll të rreptë mbi shpenzimet.”Përllogaritja e saktë e kostove, – shprehet zj.Tafaj, i paraprin procesit të administrimit mbi baza teknike, pra marrja e vendimeve të mbështetet mbi teknika financiare. Kjo bëhet duke pasur një ide të qartë në lidhje me kostot e secilës klinikë dhe secilit shërbim, duke filluar nga treguesit statistikorë për numrin e pacientëve, gjendjen e shfrytëzimit etj. Në momentin që do arrijmë të marrim rezultatet e para të kësaj strategjie, atëherë do mund të themi se kemi arritur të hyjmë në rrugën e administrimit mbi bazën e teknikave financiare.” Pikërisht me këtë qëllim, është krijuar edhe dega e kostos pranë drejtorisë ekonomike të QSUT. Zj. Afërdita Tafaj vë theksin te fakti që QSUT është qendra më e madhe në vend për shërbimin spitalor dhe kërkimin shkencor. Pozita e të qenit ajka e shërbimit dhe e shkencës mjekësore, sipas zj.Tafaj, do të bëjë që çdo ndryshim pozitiv në QSUT do të transmetohet edhe në institucionet e tjera spitalore. Mungojnë paratë, teprojnë mjekëtNë QSUT sot punojnë 1760 mjekë gjithsej. Sipas një përllogaritjeje të Ministrisë së Shëndetësisë i bie që 1 mjek të përgjigjet për 1.9 shtretër. Një numër kaq i madh mjekësh, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nuk është i nevojshëm dhe ka një kosto financiare të konsiderueshme. Një situatë e tillë ka ardhur si pasojë e dyndjes demografike drejt Tiranës në këto 15 vjet, e cila natyrshëm ka përfshirë edhe mjekët. Nëse në QSUT ka tepricë “bluzash të bardha”, në rrethe situata është shumë e vështirë, sepse askush nuk dëshiron të shkojë për të punuar atje. Nëse në spitalet e Tiranës mjekët janë aq shumë sa zor të gjendet punë për të gjithë, banorët e Tropojës duhet të udhëtojnë orë të tëra me makinë për të bërë një vizitë te mjeku okulist; qytetarët e Tepelenës, që i paguajnë shtetit taksa në të njëjtën masë, nuk kanë në dispozicion një mjek obstetër-gjinekolog.Ministri i Shëndetësisë, Maksim Cikuli, u shpreh prerazi që në QSUT do të ketë shkurtime të personelit mjekësor. Mjekët “e tepërt” ose do të shkojnë atje ku ka nevojë punëdhënësi, ose mund të kërkojnë një punë tjetër.Drejtoria e Personelit dhe Karrierës në QSUT po përgatit një shkurtim të numrit të mjekëve, megjithëse për momentin nuk mund të thuhet ende në çmasë do të ndodhë reduktimi. Investimet përgjysmëNë 6 vitet e fundit investimet e planifikuara në sistemin shëndetësor shqiptar kanë qenë rreth 280 milion USD. Nga këto janë realizuar vetëm 132 milion USD ose 47%, pra më pak se gjysma. Sipas drejtorisë ekonomike në Ministrinë e Shëndetësisë, përqindja e ulët realizimi ka ardhur kryesisht si rezultat i mosrealizimit të investimeve të huaja. Dy vitet e fundit kanë qenë padyshim më të mirat në efikasitetin e realizimit të investimeve në shëndetësi. Për vitin 2005 janë investuar 28 milion USD nga 31 të planifikuara, ose 90%.Ndërsa viti 2004 ka qenë më i suksesshmi, qoftë në vlerën e investimeve, qoftë në këndvështrimin e realizimit të planit të tyre. Për vitin 2004 u investuan 36 milion USD nga 39 milion USD të planifikuara, ose 92%. Viti 2002 ka qenë më negativi, kur u realizuan 11 milion USD investime nga 45 milion të planifikuara, ose vetëm 24%. Në Qendrën Spitalore Universitare, vetëm gjatë vitit 2005 janë realizuar 4 milion USD investime. Në pjesën dërrmuese, këto para kanë qenë të destinuara për rikonstruksione mjedisesh dhe blerje pajisjesh të reja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.