Është shpallur këtë të hënë rezultati për njësinë 10 në Tiranë ku u pilotua për herë të parë votimi elektronik.
Përfaqësues të kompanisë Smartmatic dhe të Komisionit të Zgjedhjeve bënë të ditur se gjatë natës është kryer importimi i të dhënave për 30 qendra votimi për KZAZ 40.
Rezultati për subjektet nxjerr fitues Partinë Socialiste me 6007 vota dhe Partinë Demokratike 4550, ndërsa për Lëvizjen Socialiste për Integrim 628 vota. Për kandidatët të dhënat e përpunuara elektronikisht tregojnë se në listën e LSI Monika Kryemadhi kryeson 83 vota.
Në njësinë 10 figura më e votuar për Partinë Demokratike është Agron Shehaj i dyti Lulzim Basha dhe e treta Jorida Tabaku. Në listën e Partisë Socialiste të dhënat tregojnë se Fatmir Xhafaj ka marrë mbi 2795 vota.
Kryekomisioneri i KQZ Iliarjan Celibashi u shpreh që nga pikëpamja teorike dhe praktike mund të ishte shfaqur dhe më herët por meqë ishte pilotimi për herë të pare dhe palët kishin rezervat e tyre u dakordësua që rezultati te shfaqej më vonë.
“Mbetet fakti qe sistemi elektronik i votimit i aplikuar është 100 për qind i sigurt dhe garanton fshehtësinë e votës. Sa i takon administrimit ka pasur përkeqësime administrative të lidhura me pjesëmarrjen e votimit. Pajisjet teknologjike e ofronin këtë mundësi që të ishim më mire. Lidhur me kërkesën e kandidatit Tom Doshi ende nuk e kemi shqyrtuar”, tha kryekomisioneri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.