Shpenzimet e sektorit bankar për personelin po rriten edhe këtë vit, duke arritur nivelet më të larta historike.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet për personelin për 9-mujorin e parë të vitit arritën në pothuajse 11.3 miliardë lekë, në rritje me 13.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe në nivelin më të lartë regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.
Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave treguan se në fund të muajit shtator bankat raportuan 6912 të punësuar, në rritje me 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e numrit të punësuarve ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve të personelit, por megjithatë besohet se efektin më të madh në rritjen e tyre po e jep rritja e pagave.
Sipas të dhënave të INSTAT, për tremujorin II 2023, paga mesatare në sektorin financiar arriti nivelin rekord prej 149 mijë lekësh në muaj, në rritje vjetore me 14%.
Pas vitit 2020, punësimi në sektorin bankar i është kthyer sërish rritjes, duke rikuperuar gradualisht rënien që ndodhi në periudhën 2018-2019, kryesisht për shkak të procesit të konsolidimit të sektorit dhe uljes së numrit të bankave tregtare.
Ky proces solli përkohësisht edhe një rënie të shpenzimeve të personelit për periudhën e mësipërme. Por, në tre vitet e fundit, ky zë i shpenzimeve i është kthyer rritjes me ritme të përshpejtuara dhe ka arritur nivelin më të lartë historik.
Në dy vitet e fundit, edhe sektori bankar po përballet me një trysni në rritje nga tregu i punës, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm. Lëvizjet e mëdha të stafit në këto pozicione dhe i kanë detyruar të rishikojnë në rritje pagat. Kjo trysni u nxit edhe më shumë nga rritja e fortë e inflacionit.
Rritja e pagave besohet se është mbështetur edhe nga performanca pozitive e sektorit dhe rritja e fitimeve të vitet e fundit. Fitimi neto i sektorit bankar për 9-mujorin 2023 arriti vlerën e 22.7 miliardë lekëve, në rritje me 77% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ekonomia shqiptare po përballet me vështirësi për forcë pune të specializuar dhe rrjedhimisht me rritje të kostos së punës. Kjo tendencë mund të shpjegohet me konkurrencën në rritje nga tregu i punës në Europë dhe emigracionin e lartë mes të rinjve, përfshi ata të arsimuar.
Në Raportin e fundit të Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë shprehet se rritja ekonomike ka gjeneruar një kërkesë të lartë për punësim, kërkesë e cila po has vështirësi të plotësohet nga tregu i punës.
Kushtet në këtë treg vijojnë të jenë të shtrënguara, të shfaqura në nivelet e ulëta historike të shkallës së papunësisë, në nivele të larta historike të mungesës së fuqisë punëtore dhe në rritjen e shpejtë të pagave.
Këto të fundit përshpejtuan normën rritëse në 16.9% në nivel ekonomie dhe 15% në sektorin privat, në tremujorin e dytë 2023. Rritja e pagave siguron mbështetje për të ardhurat e familjeve, por ajo rrit kostot e prodhimit dhe mban të larta presionet e brendshme inflacioniste./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.