Për herë të parë në histori, pjesa më e madhe e amerikanëve rezultojnë të jenë beqarë. Sipas të dhënave të Zyrës së Censusit, personat e rritur, të divorcuar ose të pamartuar kurrë kanë arritur në 128,2 milionë, shifër kjo e barabartë me 51,2% të popullsisë së SHBA-së. Në vitin 1976, vetëm 37% e popullsisë rezultonte e pamartuar. Rezultati: ekspertët parashikojnë ndryshime të rëndësishme për ekonominë e kombit, duke qenë se pjesa më e madhe e personave janë beqarë dhe kjo do të thotë më pak prindër dhe pronarë shtëpish. Për “Business Week”, nëse ky është një avantazh ose dizavantazh, është çështje këndvështrimi.
Beqarët janë më fleksibël, por edhe më dinamikë në tregun e punës. Kjo do të thotë se mund ta bëjnë ekonominë, në tërësinë e saj më të rrezikuar.
Gjithmonë sipas të dhënave të Zyrës Amerikane të Censusit, niveli i shtëpive që banohen nga beqarët është rritur duke kaluar nga 17 në 27,5%.
Gjithnjë e më shumë po rritet numri i meshkujve që jetojnë vetëm, ndërsa në vitet ‘70 kjo ishte një dukuri e rrallë, duke zënë vetëm 5% të totalit, ndërsa sot kjo shifër llogaritet në 12%.
Për ekonominë, ndër avantazhet që ka pasja e më shumë të rinjve beqarë në aspektin e forcës së punës është se ata mungojnë më pak dhe janë më fleksibël sa i përket karrierës. Pa një familje për t’u kujdesur ata e kanë më të lehtë që t’i përkushtohen karrierës, sikundër merret në konsideratë edhe fakti se duke qenë beqarë, janë më të prirë që të shkurtojnë shpenzime të natyrave të ndryshme. Nga ana tjetër, këto shkurtime në buxhet mund të kenë ndikim më të gjerë në ekonomi.
Bërthamat familjare që përbëhen nga një person i vetëm dhe që varen nga një rrogë e vetme kanë më shumë mundësi që të vuajnë pasojat e papunësisë, fatkeqësive apo sëmundjeve.
Për shtetin, nga ana tjetër, më pak fëmijë do të thotë më pak taksa dhe si rrjedhim më pak fonde mbështetëse për të rinjtë kur të arrijnë moshën e pleqërisë. Në një ekonomi gjithnjë e më shumë konkurruese, beqarët rrisin shanset e “lojës”: ekonomia amerikane mund të rritet më shpejt dhe në mënyrë më efikase, por me çmimin e stabilitetit më të ulët.