Pjesa më e madhe e Europës po përjeton një thatësirë të vazhdueshme. Si pasojë e kësaj, nga Italia në Spanjë, pushuesit po përballen me kufizime.
Liqeni Garda i Italisë ka një atraksion të ri turistik – vizitorët tani mund të ecin deri në Ishullin e Lepurit (Isola dei Conigli), nëpërmjet një rrugice të vogël në mes të liqenit, në vend që të hipin në varkë.
Niveli jashtëzakonisht i ulët i ujit, ka ekspozuar brigje rëre dhe gurë, që formojnë një shteg nga bregu, i cili njihet edhe si ishulli San Biagio.
Por, kjo ‘risi turistike’, shfaq një situatë katastrofike ekologjike në veri të Italisë. Rajoni është bërë aq i thatë, sa niveli i ujit në liqenin Garda, liqeni më i madh i Italisë, është në gjysmën e nivelit normal në këtë periudhë të vitit.
Rreshje nën mesataren, shumë pak borë
“Italia e Veriut aktualisht po përjeton një periudhë thatësire, që po zgjat dy vjet tashmë”, tha Mattia Gussoni, një meteorolog i parashikimit të motit në Il Meteo. Ky dimër, tha ai, ka pasur temperatura jashtëzakonisht të larta dhe reshje të ulëta.
“Edhe në Alpe ka pasur reshje nën mesataren dhe shumë pak borë”, tha ai, duke shtuar se dimri i kaluar pa një situatë të ngjashme. Kjo ka çuar në mungesë uji në rajon, që po ndikon gjithashtu në lumin Po, lumi më i gjatë i Italisë dhe një burim jetik uji për bujqësinë.
Bordi turistik përgjegjës për liqenin Garda, po përpiqet të shmangë shfaqjen e tepërt dramatike të situatës.
“Luhatjet në nivelin e liqenit Garda janë normale”, tha Natasha Bontadi, përgjegjëse për marrëdhëniet me publikun e liqenit. Liqeni, i cili ka një thellësi mesatare prej 133 metrash, është rezervuari më i rëndësishëm i ujit të pijshëm në vend dhe për këtë arsye monitorohet vazhdimisht. Aktualisht, të gjitha sportet ujore janë të lejuara, dhe tragetet po qarkullojnë sipas orarit.
Verën e kaluar, komunitetet përreth liqenit Garda, vendosën masa për kursimin e ujit, si ndalimi i mbushjes së pishinave private. Kufizimet e ujit ka të ngjarë të hyjnë në fuqi përsëri këtë vit, tha Bontadi, duke shtuar se aktualisht po përgatitet një fushatë për të rritur ndërgjegjësimin e turistëve për këtë çështje.
Nga lundrimi me varkë, në vizita me autobus
Në veri të Alpeve në Zvicër dhe Gjermani, operatorët turistikë po planifikojnë gjithashtu nivele të ulëta të ujit gjatë verës Europiane.
“Lumi Rhine ndoshta do të ketë nivel të ulët uji në pjesën më të madhe,” tha Daniel Thiriet, nënkryetar i IG RiverCruise, një grup Europian i interesit për kompanitë e lundrimit lumor.
Në mënyrë të ngjashme me vitin e kaluar, tha ai, ndoshta do të jetë e nevojshme të transportohen pasagjerë me autobus në disa pika kritike përgjatë Rhein, ku uji është shumë i ulët për të kaluar varkat.
“Ne jemi mësuar të planifikojmë diçka të tillë,” tha ai. “Kështu që nivelet e ulëta të ujit nuk do të na befasojnë.”
Shumë pak reshje këtë dimër kanë pasur ndikim edhe në resortet e skive të Europës, veçanërisht ato në lartësi më të ulëta. Pak më shumë se gjysma e pistave të skive të Zvicrës, tani mbështeten në dëborë artificiale.
Dhe në rajonin Jura të Francës në lindje të vendit, ku malet janë shumë më pak se 2,000 metra lartësi dhe shtëpia e resorteve të shumta të skive, numri i turistëve në shkurt ishte 69% nën mesataren e pesë viteve të fundit.
Rajoni spanjoll i Katalonjës, po vuan gjithashtu një periudhë të zgjatur thatësie. “Situata në Barcelonë është dramatike,” tha Alfons Puertas, një meteorolog në stacionin e motit Observatorio Fabra, që ndodhet në malet mbi qytet.
Dy vitet e fundit kanë qenë më të thatat, që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1914, tha ai. Në vitin 2022, reshjet mesatare nuk ishin as gjysma e reshjeve tipike në vit, 621 milimetrash.
Rezervuarët e shumtë, të cilët furnizojnë me ujë të pijshëm vende si Barcelona, kanë arritur nivelet më të ulëta historike.
Ku është uji?
Autoritetet katalanase vendosën masat e para të kursimit të ujit disa muaj më parë. Këto përfshinin një anulim të spektaklit me shatërvanë Font Magica në Barcelonë, që zakonisht përfshin një shfaqje muzikore dhe dritë dhe tërheq turma në mbrëmjet e verës.
Ndërkohë, situata është qetësuar disi në ishullin e njohur spanjoll Mallorca. Pjesë të mëdha të ishullit u prekën nga thatësira në vitet e fundit, dhe ndihej frika se sezoni i ardhshëm turistik mund të shteronte plotësisht burimet tashmë të pakta ujore.
Megjithatë, në fund të shkurtit, stuhia Juliette lëvizi nëpër ishull duke sjellë me vete shi të bollshëm dhe madje edhe borë.
Disa stacione meteorologjike regjistruan rreshje pesë herë më shumë se mesatarja. Pas muajsh rënieje të nivelit të ujit, rezervuarët e Majorkës tani janë në kapacitet 90%.
Por në veri të Italisë, meteorologu Mattia Gussoni nuk pret që thatësira të mbarojë. Vera e ardhshme kërcënon të jetë “shumë e vështirë”, tha ai, veçanërisht duke pasur parasysh se do të duhet të bjerë shi për më shumë se disa ditë, për të kompensuar deficitin e ujit.
“Do të duhet të bjerë shi gjatë gjithë pranverës që kjo të ndodhë,” tha ai. “Këtu kemi të bëjmë me efektin më dramatik të ndryshimit të klimës.” / Deutsche Welle