Në Shqipëri primi për frymë i sigurimeve arriti gjatë vitit 2014 në shifrën e rreth 4,000 lekëve. Edhe pse me rritje prej 1,079 lekësh në krahasim me një vit më parë, ky mbetet një nga nivelet më të ulëta në rajon ( rreth 100 euro për banorë), por edhe në Europë (rreth 1,300 euro/banorë).Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare publikoi gjeografinë e sigurimeve për vitin 2014 ku jepet në mënyrë të detajuar tregu i sigurimeve. Duke i hedhur një vështrim primit të shkruar bruto sipas shpërndarjes gjeografike, bie në sy përqëndrim i tregut të sigurimeve në prefekturat e mëdha, si Tirana me 63.93% të totalit të primeve të shkruara bruto gjatë vitit 2014, Durrësi me 7.87%,Fieri 4.75%, Shkodra 4.46%. Kjo tendecë përqëndrimi ka vazhduar të jetë e njëjtë gjatë gjithë viteve të publikimit të raportit Gjeografia e Sigurimeve.
Përsa i përket primit për frymë sipas prefekturave, prefektura Tiranë me 9,256.46 lekë për frymë zë vendin e parë, e pasuar nga prefektura Gjirokastër me 3,842.71lekë për frymë dhe më tej Durrësi dhe Vlora përkatësisht me 3,305.81 lekë për frymë dhe 2,424.02 lekë për frymë.
Ky publikim përfshin gjithashtu edhe informacion të hollësishëm për dëmet e paguara gjatë vitit 2014 sipas prefekturave, duke krijuar edhe mundësinë e krahasimit të këtyre treguesve me ato të një viti më parë. Përsëri pjesën më të madhe të dëmeve të paguara e ka prefektura e Tiranës me 64.71%, e pasuar nga prefektura Durrës me 4.99%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.