Të dhënat e fundit (janar-nëntor 2011) të botuara nga Autoriteti Mbikëqyrës Financiar treguan se tregu i sigurimeve vazhdon të rritet me ritme modeste (5.2%). Për drejtuesit e shoqërive të sigurimit këto ritme do të vazhdojnë të reflektohen edhe për vitin 2012. Ata thonë se ky vit nuk do të jetë edhe aq optimist. Drejtuesit e kompanive të sigurimeve thonë se kanë disa arsye që mbështesin këtë parashikim. Sipas tyre, duke iu referuar raportit të fundit të dalë nga AMF-ja, diferenca mes kompanive në pagesat e dëmeve është e lartë, çka nënkupton sipas tyre se ato nuk janë paguar në mënyrën e duhur. Ky faktor do të vazhdojë të ndikojë në raportin dëme/prime.
Liberalizimi i çmimit të primeve të sigurimit të detyrueshëm motorikë solli gjatë vitit që lamë pas rënie të primeve të shkruara bruto. Drejtuesit e kompanive të sigurimit shprehen se kjo tendencë do të vazhdojë dhe se nuk ka gjasa për një rritje të mundshme të çmimit të asaj që njihet si MTPL-ja e brendshme.
Për sa i përket produkteve të reja, sipas operatorëve të tregut, ato nuk po hidhen në treg me shpejtësinë e parashikuar. Kjo do të ndikojë te të ardhurat dhe te portofoli i produkteve dhe shërbimeve. Një tjetër sigurim që nuk parashikohet të njohë rritje është ai që ka të bëjë me pronën. Ritmi i ulët i investimeve të huaja (ndërtimi i veprave publike) që përbëjnë edhe burimin kryesor të të ardhurve për këtë sigurim do të sjellë efektet e tij në tregun e sigurimeve. Ekspertët thonë se shtrëngimi i kreditimit nga sistemi bankar do të ulë sigurimin për kategori si Jetë Debitori etj. Rritja e kredive të këqija shihet si një nga arsyet që po i bën bankat të tregohen dorështrënguara dhe kjo do të reflektohet edhe tek ato sigurime që kërkohen të detyrueshme nga bankat në rastin e marrjes së një huaje. E natyrisht, thonë ekspertët, edhe tregu i sigurimeve do të ndjekë ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare, që parashikohen të jenë të ulëta.
Ligj i ri për sigurimet
Gjatë vitit 2012 pritet të miratohet edhe ligji i ri për veprimtarinë e sigurimeve dhe të risigurimeve. Sipas kryetares së Autoritetit Mbikëqyrës Financiar, Elisabeta Gjoni, projektligji është vazhdimësi e ligjit ekzistues dhe është hartuar duke marrë parasysh kërkesën në rritje të tregut të sigurimeve, zhvillimet më të fundit të këtij tregu, formën e re të mbikëqyrjes, si dhe detyrimin për t´u përqasur me direktivat europiane.
Në vitin 2011 AMF miratoi metodologjinë e re të mbikëqyrjes me fokus riskun në sigurime, si dhe planin strategjik për zbatimin e saj. Sipas AMF-së, liberalizimi i tregut të MTPL-së gjatë 2011-s solli rritjen e konkurrencës në tregun e sigurimeve.
Të dhënat e tregut
Të dhënat për periudhën janar-nëntor treguan se primet për sigurimin e detyrueshëm motorik deri në nëntor 2011 arritën në rreth 3.5 miliardë lekë ose 10.5% më pak se një vit më parë.
Kjo ulje i takon kryesisht produktit MTPL e brendshme me rreth 24.4% për primet e shkruara bruto, pavarësisht se numri i kontratave pati një rritje me rreth 4% krahasuar me një vit më parë. Efekti i rënies së primeve të MTPL-së u zbut nga rritja e sigurimit “Kartoni Jeshil” me rreth 31%. Ndër zhvillimet e tjera për tregun e sigurimeve veçojmë faktet se Portofoli i “Aksidente Personale dhe Shëndet” ka pasur dinamikën më të lartë të rritjes në treg, prej 141% e cila është ndikuar nga rritja e volumit të primeve të Sigurimit “Shëndeti në Udhëtim”, si dhe nga rritja e Sigurimit të “Shëndetit Privat”. Të ardhurat nga Sigurimi i “Shëndetit në Udhëtim” (Jetë + Jo-Jetë) janë trefishuar (212%) ndërsa numri i kontratave është gati gjashtëfishuar (475%). Primet e portofolit “Shëndeti në Udhëtim” përbëhen 88% nga veprimtaria e Jo-Jetës dhe 12% nga veprimtaria e Jetës.
Struktura e tregut të sigurimeve rezulton me përmirësim në favor të rritjes së sigurimeve vullnetare. Kështu për periudhën janar-nëntor 2011 sigurimi i detyrueshëm zinte mbi 45% dhe ai vullnetar rreth 55%.
E.Gusmari
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.