Sipërmarrësit në bujqësi?! Ok, por duhet shumë kujdes

10/07/2014 11:23 AM 0 komente

Flet Ismail Beka, ekspert i bujqësisë

Për Z. Ismail Beka, një nga ekspertët më të njohur në bujqësi,orientimi i sipërmarrësve drejt bujqësisë e blegtorisë, duket në thelb pozitive, pasi vijnë investime në fshat.

Por, paralajmëron ai, për të arritur një biznes të suksesshëm nuk mjafton të kesh vetëm para, sidomos në bujqësi. Shumë sipërmarrës nisen për të investuar vetëm duke parë njëri-tjetrin. P.sh., nëse dikush ble dhi alpine, e ndjekin dhe të tjerët, por që nga koncepti, ky investim e humb thelbin. “Kur e merr dhinë alpine e çon në Myzeqe apo zonat bregdetare, nuk është komode, se ajo është e llogaritur për dhi alpine”, thotë z. Beka.

Dukuria e dytë që konstaton z. Beka është se po investohet në importin e kafshëve racore jo vetëm lopë, por edhe bagëti të imta, kryesisht të bazuara në rritje stallore me ushqim të koncentruar dhe duke mos e bazuar te koncepti që mbajtja e blegtorisë në regjim stallor është absolutisht e lidhur me tokën. “Nëse nuk je i lidhur me prodhimin e ushqimit për blegtorinë në tokat bujqësore pranë komplekseve blegtorale, investimi mund të rezultojë me kosto të lartë dhe të mos jetë fitimprurës”.

Vërtet orientimi bazë është prodhimi blegtoral, por z. Beka pohon se duhet menduar të garantosh prodhimin bujqësor, që fillon që nga sigurimi i tokës e deri te prodhimi i ushqimit. Nëse importon ushqimin, kashtën dhe drithin, atëherë investimi mund të rezultojë me kosto të shtrenjtë dhe pa vlerë.

Ndaj, thotë z. Beka, në këto kushte është e domosdoshme asistenca teknike e kualifikuar. “Këta sipërmarrës, që kanë fuqinë e investimit duhet të kenë asistencë teknike dhe informacion më të detajuar dhe profesional, sesa është sot shërbimi këshillimor, në mënyrë që të përshtasin investimet. Duhen njerëz të aftë të biznesit agroushqimor që t’i këshillojnë. “Është si dikush, që ka para dhe do të bëjë një vilë, ta ndërtojë vetë atë, pa arkitektin”.

“Nëse në Shqipëri, mundësitë janë shumë herë më të mëdha te rritja e bagëtive, s’do jetë gjithnjë racionale të investosh për bagëtinë e imët të futet në sallë”.

Z. Beka sjell një tjetër shembull të investimeve të gabuara, që po konstatohen aktualisht në blegtori. “Shumë njerëz rikonstruktojnë godinat e vjetra të stallave që kanë qenë me teknologji jofunksionale në kushtet e klimës që ka Shqipëria, pasi janë ndërtuar me struktura të rënda, kur në fakt klimës shqiptare i përshtaten strukturat e lehta ndërtimore dhe me dalje të bagëtive për shumë kohë në tokat bujqësore përreth stallave”.

Ndaj kërkohen shumë mendime, studime dhe eksperimentime, në mënyrë të kemi sa më pak shembuj që të kthehen në negativë.

Raste të tjera të investimeve edhe nga biznese janë në fushën e bimëve mjekësore. “Kanë investuar shumë njerëz në bimë mjekësore, si p.sh. sherebela dhe po marrin fara nga jashtë por kjo është shumë e gabuar, sepse po humbasin autenticiteti dhe parametrat cilësorë të këtij produkti”, konstaton z. Beka.

Ndonjëherë, investitorët priren nga grantet dhe fillojnë të ndërtojnë pa shqyrtuar mirë alternativat.

Ndaj ai rithekson që është shumë e rëndësishme, që ata të shfrytëzojnë asistencën teknike.

Një tjetër problem është edhe mungesa e informacionit, që është ose i vonuar, i pamjaftueshëm, apo me një nivel vërtetësie që lë për të dyshuar.

Gjithsesi, bujqësia është një fushë ku mund të investohet, por duhet menduar mirë, edhe duke shfrytëzuar kapacitetet ekzistuese dhe bizneset duhet të mendojnë që të jenë sa më konkurruese. “Ka shumë industri që shfrytëzohen pak, ndaj sipërmarrësit mund të orientohen te segmentet ekzistuese”. Për shembull, industria e qumështit shfrytëzohet jo më shumë se 25%, po kështu industria e vajit të ullirit, apo e industrive të konservimit të perimeve dhe të verërave.

Z. Beka paralajmëron, nga ana tjetër, se krahas interesit të sipërmarrësve të mëdhenj për të investuar në bujqësi, duhen ruajtur ekuilibrat, në mënyrë që të mos dekurajohet fshatari i vogël.

“Në Shqipëri, për hir të strukturës së fermave dhe të kulturës bujqësore nuk mund të përqendrohet baza e mbështetjes vetëm tek ata që investojnë në ferma të mëdha, por dhe të vegjlit duhet të jenë pjesë e zinxhirit të ushqimit”.

Ai këshillon që qeveria duhet të ruajë ekuilibrin që të mos bëhet përjashtues për prodhuesin e vogël. “Duhet të ketë dy skema mbështetjesh, së pari për investitorët e mëdhenj dhe së dyti për fermerët e vegjël, pasi nuk mund të zhvillojmë bujqësi po nuk u ndihmua fermeri i vogël”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of