Raporti i fundit mbi fitimet i Spotify nuk jep informacione mbi datën e prezantimit të funksionit të shumëpritur të streaming lossless
Numri i personave që paguajnë për Spotify Premium u rrit me 3% në 226 milionë me bazë tremujore, pasi shërbimi i streaming njoftoi rritje të çmimeve në Shtetet e Bashkuara dhe në disa tregje në botë.
Edhe përdoruesit aktivë mujorë të Spotify u rritën në 574 milionë më 30 shtator, në rritje me 4% krahasuar me tremujorin e kaluar.
Të dyja rritjet ishin më të larta se sa parashikimet e Spotify. Duke krahasuar ecurinë nga viti në vit, abonentët Premium u rritën me 16%, ndërsa përdoruesit aktivë mujorë, me 26%.
Spotify deklaron se rritja neto e përdoruesve aktivë mujorë ishte rritja e dytë më e madhe në tremujorin e tretë në historinë e saj. Të dhënat e fundit të abonentëve të Spotify u publikuan si pjesë e raportit të fitimeve, që lidhet me tre muaj që përfundonin më 30 shtator.
Në mes të tremujorit, në fund të korrikut, kompania njoftoi rritje çmimesh. Kjo ishte rritja e parë e Spotify në SHBA që kur kompania doli në treg më shumë se 10 vite më parë. Çmimi i abonimit standard në Spotify Premium u rrit me 1 dollar në 10,99 dollarë.
Edhe tregje dhe plane të tjera abonimi si Duo, Family e Student regjistruan rritje. Në total, Spotify regjistroi fitim prej 65 milionë eurosh në tremujorin e fundit, kundrejt një humbjeje prej 166 milionë eurosh një vit më parë.
Të ardhurat operative ishin 32 milionë euro, kundrejt një humbje operative prej 228 milionë eurosh në të njëjtin tremujor një vit më parë. Spotify ka regjistruar shpesh humbje tremujore, pasi tradicionalisht i jep përparësi rritjes mbi fitimet tremujore.
Raporti i fundit mbi fitimet i Spotify nuk jep informacione mbi datën e prezantimit të funksionit të shumëpritur të streaming lossless. Kompania e njoftoi funksionin më shumë se dy vite e gjysmë më parë, në shkurt 2021 dhe këmbëngul se ai do të vijë, por nuk ka dhënë një datë zyrtare.
Sipas raporteve të fundit, funksioni lossless streaming mund të ofrohet në një plan të ri “Supremium”, prej 19,99 dollarësh, së bashku me opsione të tjera. Kompania vijon të përsosë dhe të investojë në ofertën e podcast-eve dhe audiolibrave. Spotify ka njoftuar së fundi qëllimin për t’i lejuar abonentët Premiun të dëgjojnë deri në 15 orë përmbajtje audiolibrash si pjesë e abonimit të tyre.
Funksionet e reja të podcasting përfshijnë transkriptime të krijuara automatikisht dhe një funksion të përkthimit zanor të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale.
/ The Verge