Statistikat tregojnë se si po tkurret blegtoria

26/06/2019 4:31 PM 0 komente

Numri i gjedhëve në vitin 2018 është 467.318 krerë, duke shënuar rënie me rreth 1,7%, në krahasim me vitin 2017, raporton INSTAT. Në vitin 2018, numri i të leshtave është 1.863.837 krerë, duke shënuar një rënie me 3,2% krahasuar me vitin 2017.

Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 73,3% ndaj totalit të tufës. Numri i të dhirtave në vitin 2018 është 917.155 krerë, duke pësuar një rënie vjetore me rreth 1,7%, në krahasim me vitin 2017. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit, me 97,5% ndaj totalit të tufës.

Në vitin 2018, numri i krerëve të derrave është 184.133 krerë, duke shënuar një rritje vjetore me rreth 2,2%, krahasuar me vitin 2017. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në Lezhë me 35,9% dhe Shkodër me 27% ndaj totalit të gjithë krerëve. Pjesa më e madhe e blegtorisë është e përqendruar në Qarkun e Fierit, i cili ka rreth 14% të totalit të krerëve të bagëtive, apo rreth 131 mijë krerë bagëti, prej të cilave 63 mijë janë gjedhë dhe 28 mijë janë bagëti të imëta. Pas Fierit renditet Qarku i Elbasanit, i cili përgjigjet për 11%, apo me rreth 100 mijë krerë bagëti, ku më shumë se gjysma e tyre janë gjedhë.

Korça ka rreth 10% të stokut të bagëtive në vend, ku numërohen sipas statistikave të publikuara nga INSTAT rreth 38 mijë gjedhe dhe 34 mijë bagëti të imta. Në të tre këto qarqe, numri i bagëtive ka qenë më i ulët në krahasim me një vit më parë.
Në veri, pjesa më e madhe e bagëtive janë përqendruar në Shkodër ku të dhënat e fundit tregojnë se numri i bagëtive është 80 mijë, ndërsa më shumë se gjysma e tyre janë gjedhë. Pas Shkodrës në veri renditet Dibra me 70 mijë krerë bagëti.

 

Edhe prodhimet blegtorale, në rënie

Prodhimi i qumështit në vitin 2018 është rreth 1,14 milionë tonë, duke shënuar rënie me rreth 1%, në krahasim me vitin 2017. Struktura e prodhimit të qumështit, referuar vitit 2018 është: qumësht lope 85,1%, qumësht dele 7,4% dhe qumësht dhie me 7,5%.
Në 2018, prodhimi i qumështit nga lopët është 973.526 tonë, ose 0,9% më pak, krahasuar me vitin 2017. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit në nivel vendi, në vitin 2018 është 2.916 kg për krerë, duke u rritur me 2,4%, krahasuar me 2017.

Prodhimi i qumështit nga delet, për vitin 2018, ka pësuar rënie me rreth 2,5%, krahasuar me vitin 2017. Rendimenti mesatar vjetor, në nivel vendi i qumështit të deles është 61,8 kg për krerë, duke shënuar rritje me 0,6%, krahasuar me vitin 2017. Prodhimi i qumështit nga dhitë në vitin 2018 është 0,9% më i ulët se një vit më parë. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit të dhive në nivel vendi është rreth 123 kg për krerë, duke u rritur me rreth 2 %, krahasuar me vitin 2017. Prodhimi i mishit peshë e gjallë është 161 mijë tonë, duke u rritur me 0,1%, në krahasim me vitin 2017.
Rënie ka shënuar edhe prodhimi i mishit, veçanërisht ai i lopëve, ku në 2018-n u regjistruan rreth 3000 tonë më pak.

 

 

Përplasja e shifrave

E ndërsa statistikat e blegtorisë tregojnë se numri i bagëtive u ul sërish, për të tretin vit, të dhënat e publikuara për blegtorinë flasin për rritje të prodhimit të foragjerëve, të cilat shërbejnë si lëndë e parë për blegtorinë. Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i foragjereve për vitin 2018 ishte 7,050 mijë tonë, nga 6,600 mijë tonë që u regjistrua një vit më parë.

Ekspertët e bujqësisë, por edhe aktorë në këtë sektor, thonë se duhet të flasim me rezerva kur interpretojmë statistikat e bujqësisë apo blegtorisë, apo t’i lexojmë ato duke parë edhe shifrat që vijnë nga të dhënat e tërthorta, si importet, të cilat kanë marzh gabimi më të ulët. Vlerësimi i numrit të krerëve është bazuar në lëvizjen e blegtorisë për secilën kategori të gjedhëve, të leshtave, të dhirtave dhe derrave. Vlerësimi i prodhimit të qumështit nga lopët është bërë duke u bazuar në numrin mesatar vjetor të tyre, që rezulton nga lëvizja e blegtorisë dhe në rendimentin mesatar të qumështit për lopë të kalkuluar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

I njëjti arsyetim është ndjekur edhe për prodhimin e qumështit nga delet dhe dhitë. Vlerësimi për prodhimin e mishit për secilën kategori është bazuar në përllogaritjet e bëra për lëvizjen e blegtorisë, pra në numrin e krerëve të skartuar dhe në peshën mesatare për krerët e therur.

 

Shqipëria, me çmimet më të shtrenjta për qumështin, vezët dhe djathin

Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Eurostat për vitin 2018, Shqipëria ka çmimet më të shtrenjta të ushqimeve në rajon, duke iu afruar shumë mesatares europiane. Për grupin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike çmimet në Shqipëri janë sa 79% të mesatares së Bashkimit Europian, më e larta në rajon. Pas Shqipërisë, renditet Mali i Zi dhe Maqedonia, me një nivel çmimesh 78%, ndjekur nga Bosnjë – Hercegovina me nivelin 76% dhe Maqedonia e Veriut me 62%. Grupin e ushqimeve, Eurostat i ka ndarë në tre nënkategori, çmimi i bukës dhe i drithërave, çmimi i mishit dhe çmimi i qumështit, vezëve dhe djathit.

Për nënkategorinë e fundit, për çmimin e qumështit, vezëve dhe djathit, niveli i çmimit përllogaritet nga Eurostat sa 94% e mesatares së Bashkimit Europian dhe me një diferencë të dukshme nga vendet e rajonit. Në rajon çmimin më të ulët të bulmetit e ka Maqedonia e Veriut, të cilat sipas Eurostat, janë sa 71% e mesatares europiane. Ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian, çmimet më të ulëta janë shënuar në Poloni, me të njëjtin nivel si Maqedonia e Veriut.

Edhe për nënkategorinë e mishit, niveli i çmimeve në Shqipëri është shumë më i lartë se në vendet e tjera të rajonit. Sipas Eurostat, mishi në Shqipëri kushton mesatarisht sa 71% e mesatares së çmimeve në BE, ndërsa vendet e rajonit janë gati 10 pikë përqindje më të ulëta në çmim se Shqipëria.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of