Pasi kemi rendur me investime ineficente në lloj-lloj degësh ekonomie, pasi kemi dislokuar kapital marramendës në struktura të përkohshme dhe të paqëndrueshme përgjatë 26 vjetëve, më në fund kapitali shqiptar po fillon të orientohet në një degë të qëndrueshme dhe me potencial të pallogaritshëm, siç është bujqësia.
Ja modeli që propozohet
Nga Panajot Soko*
Pasi kemi rendur me investime ineficente në lloj-lloj degësh ekonomie, pasi kemi dislokuar kapital marramendës në struktura të përkohshme dhe të paqëndrueshme përgjatë 26 vjetëve, më në fund kapitali shqiptar po fillon të orientohet së fundmi në një degë të qëndrueshme dhe me potencial të pallogaritshëm, siç është bujqësia.
Fakti që së fundmi një pjesë e vëmendjes së investitorëve seriozë, kryesisht lokalë po rikthehet te bujqësia përbën një lajm të mirë. Natyrisht në kushtet aktuale, kur bujqësia dhe industritë e lidhura me të janë ende latente (nëse konsiderojmë faktin që për rreth 25 vjet ka qenë në letargji) çdo masë kapitali e injektuar përbën një përfitim dyplanësh. Në plan të parë qëndron përfitimi direkt i alokimit të kapitalit fizik, i cili rrit densitetin e kapitalit brenda industrisë dhe që reflektohet drejtpërdrejt në volumet e saj; dhe në plan të dytë është impakti që krijohet nga publiciteti që ofron fakti që investitorë të ndryshëm shikojnë te bujqësia një hapësirë përfitimi, të cilët krijojnë gravitet për më shumë investitorë të tjerë.
Aktualisht, si çdo embrion tjetër që kalon nëpër disa forma, derisa në fund fiton formën e species që i përket, edhe arkitektura e strukturës së sektorit të bujqësisë për momentin ka një trajtë jo fort afër asaj që ai do të kishte në momentin kur do të ishte në eficencë të plotë. Me këtë nënkuptoj faktin që pavarësisht se së fundmi shumë investitorë janë tërhequr dhe po investojnë në bujqësi, nëpërmjet modelit të investimeve monolite (diku një serrë, apo diku tjetër një ndërmarrje e vogël prodhuese), kjo formë e organizimit të sektorit dhe infrastruktura operacionale duhet të ndryshojë, sepse modeli aktual në vetvete është i paqëndrueshëm dhe nuk ofron stabilitet nga pikëpamja e normave të kthimit të kapitalit. Dhe kjo vjen nga fakti që konkurrenca që vjen nga importi është në nivele vështirësisht të përballueshme nga prodhimi vendas. Çdo investitor sot përballet me një konkurrencë të frikshme që vjen nga produktet që importohen nga jashtë. Skenat me masive të mëdhenj qepësh, shalqinjsh apo domatesh që përfundojnë nëpër gropa janë ilustruesi më i mirë i kësaj konkurrencë vrasëse.
Dhe është pikërisht konkurrenca nga produktet e importit, arsyeja përse Shqipëria duhet të fillojë të mendojë seriozisht për modernizimin e infrastrukturës teknike e financiare nëpër të cilën do të zhvillohet bujqësia. Dhe kjo është detyrë e drejtpërdrejtë e strukturave shtetërore, Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Ekonomisë që të fillojnë të mendojnë për një model të ri infrastrukture financiare dhe operacionale mbi të cilën do të zhvillohet bujqësia.
Drejt modelit të qëndrueshëm
Pavarësisht se së fundmi shumë investitorë janë tërhequr dhe po investojnë në bujqësi, nëpërmjet modelit të investimeve monolite (diku një serrë, apo diku tjetër një ndërmarrje e vogël prodhuese), kjo formë e organizimit të sektorit dhe infrastruktura operacionale duhet të ndryshojë, sepse modeli aktual në vetvete është i paqëndrueshëm dhe nuk ofron stabilitet nga pikëpamja e normave të kthimit të kapitalit
Deri më sot, ndërhyrja e shtetit është kufizuar te stimujt fiskalë në drejtim të fermerëve të vegjël, diku duke i përjashtuar nga një taksë, e diku duke subvencionuar ndonjë kulturë, por që të gjitha këto, në rastin më të mirë kanë shërbyer si ampula mbijetese dhe në rastin më të keq si objekt abuzimi dhe korrupsioni nga aparatet e administratës.
Kjo duhet të ndryshojë. Që bujqësia të rritet ka nevojë për një model të ri funksionimi. Dhe nuk kemi pse të shpikim, kur modelet mund t’i marrim të gatshme nga vendet, të cilat janë pararoja e prodhimit bujqësor botëror si SHBA, Brazili, Gjermania, Franca, Holanda etj. Këto modele mund t’i adaptojmë me realitetin shqiptar dhe kështu do të mund t’i siguronim bujqësisë një shtrat të sigurt ku mund të mbështetet dhe të rritet në të ardhmen.
Modeli
Propozimi
Parablerje 100% e prodhimit dhe ndarja e prodhuesit bujqësor apo blegtoral nga procesi i shitjes së prodhimit.
Në thelb të modelit që unë propozoj qëndrojnë dy komponentë; parablerje 100% e prodhimit dhe ndarja e prodhuesit bujqësor apo blegtoral nga procesi i shitjes së prodhimit.
Pikë së pari është e rëndësishme të theksohet fakti që duhet përcaktuar qartë pronësia mbi tokën dhe destinacioni i saj. Asnjë model zhvillimi nuk do të funksionojë nëse pronësia mbi tokën bujqësore nuk është e përcaktuar qartë dhe natyrisht as ky model që po propozohet. Njëkohësisht duhen vendosur rregulla dhe penalitete strikte mbi përdorimin e tokës bujqësore, pasi toka bujqësore është një aset i limituar në sasi dhe si e tillë nuk mund të abuzohet duke mos e përdorur apo duke e lënë të degradojë.
Nga pikëpamja e strukturës, ideja konsiston në ngritjen e një kompanie shtetërore që operon në dy drejtime: e para siguron titujt e parablerjes së prodhimit duke paguar 100% të produktit që në fillim të mbjelljes dhe e dyta kontrollon gjithë procesin postkorrje të prodhimit bujqësor që nga mbledhja, magazinimi dhe dërgimi në rrjetin e shitjes me pakicë te konsumatori (ose eksportin kur të jetë ezauruar tregu vendas).
Vendosja e pozicionit të parablerjes së prodhimit në masën 100% është një levë e rëndësishme për të zhbllokuar procesin e zhvillimit të kulturës bujqësore apo mbarështimit blegtoral nga ngërçi financiar i mungesës së kapitalit. Kontratat e parablerjes (model i thjeshtuar i derivativëve ose “Futures”) konsistojnë në faktin që kompania e përmendur më sipër, nëpërmjet një partneri të saj financiar (që mund të jetë një bankë e nivelit të dytë ose një fond i destinuar) dhe nëpërmjet një kontrate me njësinë e prodhuesit bujqësor (i cili mund të jetë një fermer ose një grup fermerësh), i paguan këtij të fundit vlerën e gjithë prodhimit të parashikuar me një çmim të caktuar sipas koniunkturës së tregut dhe me kushte që bien dakord të dy palët. Fermeri përfiton që në fillim fondin sikur ta kishte shitur prodhimin, dhe e përdor atë për të realizuar prodhimin, duke mos pasur riskun e dështimit për shkak të mungesës së likuiditetit, si dhe duke qenë i qetë nga problemi i kthimit mbrapsht të investimit dhe në atë moment, ai interesohet vetëm për të prodhuar. Ndërkohë që në momentin që prodhimi korret, kompania bëhet automatikisht pronar i prodhimit bujqësor. Më pas, bazuar në kontratat që kompania ka me pikat e shitjes me pakicë të prodhimeve bujqësore si supermarkete, shitës tregjesh, markete të vogla, dyqanet e veta të personalizuara apo ndërmarrjet e përpunimit, ajo e shpërndan produktin.
Kjo është një formë, e cila, në momentin që do të optimizohej do të ofronte për prodhuesin bujqësor kushtet për një zhvillim sa më të qëndrueshëm. Sot fermeri duhet të mendojë që nga mbjellja e kulturës bujqësore e deri tek shitja e saj tek konsumatori. Ky model e shkarkon fermerin nga gjithë stresi që nuk ka të bëjë më bujqësinë, por me marketingun. Fermeri nëpërmjet këtij modeli mendon vetëm për punët në bujqësi.
Njëkohësisht, për shkak të ekonomisë së shkallës dhe firove të pakta, çmimi me të cilin produktet shqiptare do të dilnin në treg do të ishte shumë konkurrues. Duke qenë se sasitë unifikohen dhe kostot e aseteve të grumbullimit dhe shpërndarjes së produktit nga ana e kompanisë për shkak të sasive të mëdha ndikojnë shumë më pak në çmim, kjo do të sjellë një reduktim të kostove variabël që aktualisht, për shkak të mungesës së infrastrukturës e rrisin çmimin më minimalisht 50%.
Vendosja e një modeli të tillë në binarë, e shoqëruar kjo me forcim të legjislacionit mbi përdorimin e tokës, forcim të kontrollit dhe stimulim të disa lloje farash të ndryshme etj., do ta tjetërsonte tërësisht faqen e bujqësisë shqiptare dhe do ta kthente atë në destinacionin më atraktiv për investim. Modele të ngjashme mund të siguroheshin dhe për blegtorinë, apo për nënproduktet e agropërpunimit, duke garantuar një sistem të unifikuar që është autosuficient nga pikëpamja financiare dhe një ndihmë e jashtëzakonshme nga pikëpamja operacionale.
Bujqësia është një ndër sektorët që mund të përfaqësonte shumë mirë përfaqësuesin e ekonomisë së vendit në ekonogramën e madhe të BE-së. Produktet shqiptare, duke pasur një emër të mirë në lidhje me cilësinë e tyre, do të mund të siguronin të ardhura të konsiderueshme dhe valutë të huaj – aq të çmuar për vendin. Për këtë arsye, nevoja për të sistemuar sistemin aktual është imperative.
*Opinioni është personal i autorit dhe nuk përfaqëson qëndrim të Monitor
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.