(Ai që e paguan sigurisht shpreson në mirëpërdorim, por vetëm me votë zgjedh se kush ia kryen këtë shërbim)
Qytetarët e çdo vendi paguajnë taksa për çdo të ardhur që ata fitojnë, apo për çdo produkt që blejnë. Nga perspektiva e drejtësisë ekonomike dhe të drejtave të njeriut, taksat janë thelbësore për katër arsye:
-Të ardhurat: taksat janë fonde që përdoren për dorëzimin e shërbimeve për të cilat njerëzit kanë nevojë dhe plotësimin e infrastrukturës së nevojshme për to, për financimin e arsimit që është jetësor për të ardhmen e vendit;
-Rishpërndarja: për të adresuar varfërinë dhe pabarazinë;
-Përfaqësimi: bën të mundur llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë e qeverive ndaj qytetarëve të tyre dhe rishikimin e hapësirës për ndërmarrjen e politikave të ndryshme;
-Rivlerësimi: kufizimi i “të këqijave” publike; nxitja e “të mirave” publike.
Pra Taksat janë një burim jetësor i të ardhurave për shumicën e qeverive, që u mundëson atyre të financojnë shërbime thelbësore dhe infrastrukturë për qytetarët e tyre. Sigurisht, të ardhurat nuk do të përdoren automatikisht për të tilla mallra shoqërore.
Kur qeveritë marrin të ardhura nga taksat, qytetarët janë në një pozitë shumë më të fortë për të ushtruar presion, që ato të shpenzohen për shërbimet për të cilat ata kanë të drejtë.
Në vendet e zhvilluara, me standarde të larta jetese, qytetarët janë tepër të ndërgjegjshëm dhe llogari-kërkues për mënyrën se si shpenzohen taksat e tyre. Ata paguajnë shumë dhe në këmbim kërkojnë shumë. Mesatarja e të ardhurave nga taksat, në pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Europian, është rreth 40% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në kahun tjetër, po të përafërta me kaq, janë dhe shpenzimet që ata marrin mbrapsht.
Në Shqipëri, përgjegjshmëria për taksat është e ulët në të dy kahet. Vendi mbledh të ardhura në buxhet, të barabarta me rreth 26-27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky është ndër nivelet më të ulëta në Europë dhe gati 10 pikë përqindje më e ulët se mesatarja rajonale. Evazioni llogaritet në 30-40%, sipas vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare. Shpenzimet, në kahun tjetër, nuk arrijnë të kalojnë 30% të PBB-së, teksa maksimumi i deficitit buxhetor nuk e kalon dot 3 përqindëshin, në mënyrë që të ruhen ekuilibrat makroekonomikë.
Llogaridhënia e qeverisë, nga ana tjetër, është minimale. Kontrolli i Lartë i Shtetit, çdo vit publikon raporte për abuzime me buxhetin që i tejkalojnë 1 miliard eurot (shumë e barabartë me rreth 7-8% të PBB-së), por askush nuk ka mbajtur përgjegjësi dhe për më tepër, vlera e abuzimit po rritet vit pas viti. Koncesionet, në dekadën e fundit, kanë rezultuar në një gropë e madhe që thith paratë e buxhetit, ndërsa shërbimet e ofruara prej tyre nuk i justifikojnë kostot e mëdha. Dhe ato nuk po ndalen, përkundrazi janë shtuar (të paktën 2 miliardë euro janë para angazhuar në format e Partneritetit-Publik Privat, në dy-tri dekadat e ardhshme).
Vendi ka mundësi të mëdha të rishpërndajë pasurinë e saj (nafta e minerale të ndryshme, energjia e turizmi) te grupet më të varfra dhe të brishta, por kjo nuk ndodh. Një pjesë e madhe e koncesioneve (sidomos ato të naftës) nuk kanë paguar asnjëherë tatimfitimi dhe arrijnë të shmangin dhe pagesën e gjobave (rasti i fundit i Bankers Petroleum). Të mëdhenjtë janë shpesh dhe më të fuqishmit për të kryer evazion të përmasave të mëdha.
Por, dy episode të vogla së fundmi, tregojnë se qytetarët nuk po qëndrojnë më aq indiferentë ndaj mënyrës se si po përdoren paratë e tyre. Zemërimi për faturat e hoteleve 700 dhe 900 euro nata të zyrtarëve shqiptarë, shumëkujt mund t’i duket i tepruar, përballë batërdisë që bëhet përditë me taksat tona (kujtojmë koncesionin e miratuar së fundmi të rrugës Milot-Balldren, me një kosto prej 17 milionë eurosh për kilometër). Por ama ky duhet një fillim i mbarë. Grupet e interesit duhet të jenë të shqetësuar se si të drejtat dhe paratë e tyre materializohen nëpërmjet buxhetit dhe se si ato shkelen kur shteti nuk arrin të përmbushë detyrimet e veta përmes taksimit të dobët e të padrejtë, apo mbylljes një sy përballë evazionit.
Në fund të fundit, Shqipëria takson më shumë konsumin sesa të ardhurat (rreth 60% e taksave në buxhet mblidhen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe akciza), ndaj dhe konsumatorët kanë çdo të drejtë të kërkojnë llogari një më një se si po shpenzohen paratë e tyre. Shtimi i presionit dhe kërkesës për llogaridhënie, nga ana e publikut për mënyrën se si shpenzohen paratë e taksapaguesve, është forma më e mirë për të rritur përgjegjshmërinë e kësaj politike, që dekadat e fundit vetëm interesin e qytetarëve të saj nuk e ka pasur në plan të parë!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Popull pa vetdije qe qeveriset nga hajdute te te gjitha kategorive….