Flet Luis Ndreka nga fabrika e përpunimit të qumështit “Lufra”
Fabrikat e përpunimit të qumështit po përballen me kërkesë shumë të lartë në 2-3 muaj vere dhe kërkesë mjaft të ulët në muajt më të ftohtë të vitit.
Kjo e bën të vështirë balancimin e kërkesës dhe ofertës për qumësht midis fermerëve dhe fabrikave, tha Luis Ndreka nga fabrika e përpunimit të qumështit “Lufra”.
Sipas tij, ecuria financiare është në rënie të lehtë, për shkak të presionit të kostove të ngritura, duke filluar nga energjia, pagat e punonjësve, nafta, materialet paketuese dhe mbi të gjitha, qumështin e freskët nga fermat, që zë peshën më të madhe të kostove tona.
Si e mbylli vitin 2023 sipërmarrja “Lufra” në kuptimin e aktivitetit financiar?
Mbyllja e vitit në volume shitje ka qenë pak më e ulët se viti i kaluar, për shkak të tkurrjes së kërkesës nga konsumatorët prej çmimeve të rritura të produkteve tona.
Edhe pse në vlerë, të ardhurat janë rritur pak, ecuria financiare është në rënie të lehtë, për shkak të presionit të kostove të ngritura, duke filluar nga energjia, pagat e punonjësve, nafta, materialet paketuese dhe mbi të gjitha, qumështi i freskët nga fermat, që zë peshën më të madhe të kostove tona.
Ky vit sapo ka nisur, por si e parashikoni ecurinë aktivitetit edhe në kuptimin e kërkesës dhe tregut?
Presim një ecuri pak më të mirë në shitje, si në volume, edhe në vlerë, kryesisht për shkak të riorganizimeve tona të brendshme, rritjes së turizmit gjatë verës, rritjes ekonomike të Shqipërisë në tërësi dhe mbi të gjitha, kemi reflektuar që nga fundi i vitit të shkuar një rënie të lehtë çmimesh në raft, në disa nga produktet tona dhe kjo pritet të rrisë konsumin.
Parashikojmë edhe një faktor penalizues, siç është rënia e popullsisë në vend, por që në total, trendi neto i të gjithë faktorëve është për një efekt pozitiv te të ardhurat.
Blegtorët, ditët e fundit, janë në protestë, pasi fabrikat dhe njësitë më të vogla të përpunimit po kërkojnë kontrata të reja me ulje të çmimeve. A keni kërkuar edhe ju ulje dhe a mund të na thoni arsyet?
Jo, ne nuk kemi kërkuar ulje çmimi të qumështit, pasi ne nuk grumbullojmë qumësht dele. Në dijeninë time, fermerët janë në protestë për çmimin e qumështit të deles, gjë që nuk ka lidhje me kompaninë që përfaqësoj.
Eurostat e renditi Shqipërinë në 11 vendet me çmimet më të larta të bulmetit në Europë vitin e kaluar. Nëse do ta blini më lirë qumështin nga fermerët, a do ta reflektoni te pakica?
Është e vërtetë që çmimet e bulmetit në vend janë të larta, si të produktit final, por gjithashtu edhe të blerjes nga fermat. Kostoja e lëndës së parë qumësht ferme është mbi 50% e kostos totale të produktit final.
Sigurisht që ka ndikim të madh te çmimi i produktit final që do të thotë se, nëse çmimi i qumështit do të bjerë, rrjedhimisht do të ulet edhe çmimi i produktit në raft. Më duhet të theksoj që çmimet në një ekonomi të lirë, i cakton vetë tregu, kërkesa dhe oferta.
Gjithashtu ne jemi dhe një treg i hapur, ku konkurrohemi nga produkte importi, të cilat herë-herë dalin me çmim edhe më të lirë se produktet tona. Janë të gjitha këto forca së bashku ato që caktojnë çmimin në raft dhe jo vetëm çmimi i qumështit nga ferma.
Mbi të gjitha, ne njihemi si një “përthithës çmimi” në zinxhirin tonë të vlerës, që do të thotë se jo çdo herë që na lëviz një kosto, ne ngremë ose ulim çmimin për produktin final. Duhet një lëvizje e konsiderueshme dhe e qëndrueshme e kostove, që të ndryshohet çmimi final i produktit.
A vuan nga mbiinvestimet tregu i përpunimit të qumështit dhe a krijon kjo kosto për fabrikat?
Mendoj se industria e përpunimit të qumështit është e investuar në mënyrë cilësore dhe me standardet e larta që pret sot konsumatori shqiptar.
Për sa u përket kapaciteteve, nuk di t’iu them, pasi do të duhej një studim i mirëfilltë që të masë këtë gjë.
Me çfarë vështirësish përballen fabrikat në kuptimin e kostove të lëndëve të para dhe burimeve njerëzore?
Vështirësitë e lëndës së parë (qumështit nga fermat), vitet e fundit kanë të bëjnë me lëkundshmërinë e kërkesës, për shkak të rritjes së turizmit. Kemi kërkesë shumë të lartë në 2-3 muaj vere dhe kërkesë mjaft të ulët në muajt më të ftohtë të vitit.
Kjo e bën të vështirë balancimin e kërkesës dhe ofertës për qumësht midis fermerëve dhe fabrikave. Brenda një viti, kemi momente kur fabrikat kanë nevojë për qumësht dhe kemi momente kur fermerët prodhojnë më shumë sesa kërkohet nga fabrikat.
Për sa u përket burimeve njerëzore, vështirësitë janë të njëjtat si çdo sektor. Duhen njerëz të kualifikuar, të cilët kanë produktivitet të lartë dhe nuk është e lehtë të gjesh njerëzit e duhur.
A keni një sugjerim se si mund të rregullohet dhe përmirësohet tregu i bulmetit?
Dy pikat kryesore për ta përmirësuar këtë treg janë mbështetja që u duhet dhënë fermerëve me anë të politikave nxitëse zhvilluese, si dhe ulja e informalitetit në sektor, i cili është në nivele shumë të larta.
Kjo mund të bëhet, duke e fokusuar mbështetjen nga Ministria e Bujqësisë në mekanizma që nxisin jo vetëm zhvillimin e fermerëve, por mbi të gjitha, nxitjen e formalizmit të tyre.
Diçka tjetër që do ta përmirësonte edhe më shumë situatën është edhe ulja e nivelit të TVSH për këto produkte nga 20% në 6%. Kjo do të ndikonte menjëherë te çmimet e produkteve të bulmetit në raft, gjë e cila do të nxiste konsumin dhe formalizmin e tregut edhe më shumë.
“Në vendin tonë, çmimi i qumështit që blihet nga blegtorët është 40-50% më i lartë se çmimi i qumështit në rajon apo BE. Kjo normalisht sjell në mënyrë të pashmangshme edhe reflektimin e çmimit në njëfarë mase edhe në tregun vendas.
Duke qenë në një treg të hapur, produktet e importit janë gjithmonë e më të pranishme në vendin tonë në raftet e marketeve dhe supermarketeve me çmime”, tha në një intervistë të posaçme shoqata e përpunuesve të qumështit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.