Nëse të pasurit nga e gjithë bota po mendojnë të blejnë ndonjë ishull grek bëjnë mirë të nxitojnë. Çmimet ( edhe pse mbeten stratosferike) kanë pësuar rënie në krahasim me periudhën e para krizës ( llogariten në rreth 100 milionë euro). Ndërsa ata që kanë në dispozicion shuma më të vogla dhe projekte më pak ambicioze ka kohë të rimendohet për të investuar në sektorin imobiliar në Greqi.
Në treg janë shitur deri tani 250,000 shtëpi dhe numri është i destinuar të rritet edhe më tej. Për pak kohë tregu ka qëndruar në stanjacion për shkak të frikës nga një dalje e mundshme e Greqisë nga Eurozona.
“Situata politiko-ekonomike në Greqi nuk është ende shumë e qartë dhe të investosh në tregun e pasurive të patundshme është akoma me risk. Investitorët privatë janë duke qëndruar në ‘dritare’ dhe po shikojnë me kujdes zhvillimet që do të pësojë ekonomia e vendit. Një shtëpi, në një vend që nuk po rimëkëmbet është e destinuar të qëndrojë bosh sepse nuk e kërkon njeri për ta marrë me qira, le më të mund të flitet për ta shitur dhe për të arritur fitime në një kohë të shkurtër”, thotë Giuseppe Palombelli,drejtues i Casanoi.it.
Që interesi për të blerë shtëpi në shtetin helenë është rritur, pas marrëveshjes mes Greqisë dhe Europës, këtë e tregojnë edhe të dhënat e njoftuara nga faqet e pasurive të patundshme. Ato tregojnë një prirje të qartë: grekët nuk kërkojnë më për shtëpi, ndërsa ka nisur gara për spekulime nga të huajt, veçanërisht rusët, italianët, francezët dhe turqit.
Sipas të dhënave të Spitogatos.gr, portal grek për lajmërimet e pasurive të patundshme, kërkesa nga qytetarët grekë ka rënë gati 40%, ndërsa Immobiliare.it ka shënuar një rritje të trafikut prej 60% për pasuri të patundshme në Greqi.
Po ku mund të investohet? “Sot, për të investuar në Greqi – vazhdon Palombelli, duhet t’i keni shpatullat ë mbrojtura. Duhet të bëni dallimin mes pasurive të patundshme për përdorim turistik në ishujt dhe atyre që ndodhen në qytet. Nëse te të parat rënia e çmimeve nuk është edhe aq e ndjeshme, mundësitë më interesante mund të gjenden në qytetet e mëdha, ku pronarët nuk kanë arritur dot të paguajnë detyrimet e hipotekës dhe taksat”.
Në disa raste ju mund të blini apartamente në Athinë me sipërfaqe 80-100 metra katrorë në katet më të ulëta për 30,000 – 40,000 euro, një shifër disa herë më e ulët se në Roma, ku nuk mjafton as për të blerë një garazh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.