“Travel + Leisure”, çdo vit, u kërkon lexuesve të saj të vlerësojnë vendet e vizituara në 12 muajt e fundit, duke marrë në konsideratë peizazhin, ushqimin, plazhin, sjelljen e vendasve e shumë kritere të tjera.
Zbuloni më poshtë se cilët janë “15 ishujt më të bukur në botë për vitin 2019” sipas “Travel + Leisure”.
15° Maui
Në vend të 15, të “World’s Best Award 2019 “, “seksioni ishuj” është Maui në Hawaii. Këtu do të gjeni pyje me bambu dhe ujëvara spektakolare. Është gjithçka që ju duhet për të jetuar në një parajsë tokësore. Dallgët janë të mrekullueshme për të bërë sërf, ushqimi i mirë, perëndimet, të paharrueshme.
14° Santorini, Greqi
Santorini, në Greqi, pëlqehet mbi të gjitha për shtëpitë e bardha karakteristike (që më siguri i keni parë në publikime në rrjete sociale). Vendet për të mos u humbur? Fshati i Imerovigli, i njohur edhe si “ballkoni i Egjeut”, dhe fshati i bukur Oia, të dy të famshëm për peizazhet dhe perëndimet e diellit.
13° Ishujt Galapagos, Ekuador
Galapagos, të cilësuar dhe si Edeni i fundit në natyrë, ndodhen rreth 1000 kilometra nga bregu perëndimor i Amerikës së Jugut, në Paqësor (politikisht i përkasin Ekuadorit). Në këtë arkipelag të mrekullueshëm, prej 13 ishujsh, do të gjeni vullkane shpërthyese, breshka gjigante, iguanas, pinguinë dhe qindra specie bimore që ndodhen vetëm këtu. Ato ishin baza e studimeve të natyralistit Charles Darwin, i cili pas udhëtimeve të tij në Galapagos, më shumë se 180 vjet më parë, zhvilloi dhe përsosi teorinë e evolucionit.
12° Ishujt Fiji
Ishujt Fiji, mes Australisë dhe Polinezisë janë një destinacion i famshëm turistik. Ata që kanë qenë atje mund të konfirmojë që është një parajsë e vërtetë, deti që i rrethon është i papërshkueshëm me fjalë. Arkipelagu numëron më shumë se 300 ishuj, prej të cilave vetëm 100 janë të banuara.
11° Paro, Greqi
Edhe një herë Greqia, e cila këtë vit, në klasifikimin e “Travel + Leisure” – “Ishujt më të bukur në botë për vitin 2019”, përfaqësohet me disa ishuj. Në vend të 11 është Paro, apo Paros, sigurisht jo i panjohur. Është ishulli i tretë më i madh i Cicladeve dhe një nga destinacionet më të dashura në Greqi. Ndoshta jo të gjithë e dinë, që përveç turizmit, Paros njihet edhe për shumëllojshmërinë e mermerit të bardhë, i quajtur ndryshe edhe “mermeri pario”, i përdorur në të kaluarën për të gdhendur skulpturën e Afërditës.
10° Ishujt Azore, Portugali
Ishujt Azore, arkipelag me origjinë vullkanike në qendër të Oqeanit Atlantik, krenohen për temperaturën, e cila gjatë vitit varion 10 – 30 gradë Celsius dhe një kosto jete (dhe gjatë pushimeve) shumë më të ulët se në destinacionet e tjera të frekuentuara. Ndahen në tre grupe: lindore (ishujt Santa Maria dhe Ishulli Sao Miguel); qendrore (Terceira, Pico, Faial, Sao Jorge, Graciosa) dhe perëndimore (Flores dhe Corvo).
9° Koh Lanta, Tajlandë
Këtë ishull, ndoshta nuk e kishit dëgjuar: Koh Lanta është ndër ishujt më të bukur në Andamane, pranë Phuket dhe Phi Phi Island (një orë me makinë dhe dy në traget) nga brigjet e Krabit. Një ishull ku plazhet kanë rërë të bardhë dhe ujërat në ngjyrë të bruztë. Ndodhet në provincën e Krabi. Koh Lanta, një plazh 25 kilometra i gjatë dhe 3 kilometra i gjerë, u pëlqen veçanërisht të pasionuarve pas zhytjeve dhe sporteve të ujit.
8° Ishulli Cape Breton, Kanada
Në Cape Bretone, ishull në provincën Nova Scotia në Kanada, ju do të jetoni në kontakt të ngushtë me natyrën. Peizazhet pyjore dhe brigjet e virgjëra janë mrekullia e këtij ishulli, pak më shumë se 10 mijë metra katrorë. Ishulli ndahet në dy pjesë nga liqeni i madh i kripur Bras d’Or. Pjesa veriore është më interesante, pasi aty ndodhet parku kombëtar Cape Breton Highlands, që të kujtojnë malet skoceze.
7° Ishulli i Kretës, Greqi
Ishulli më i madh grek i njohur për shumëllojshmërinë e peizazhit (dhe sepse këtu ka diell gjatë 30 ditëve të vitit) ndodhet në vend të shtatë në renditjen e “Travel + Leisure”. I njohur për peizazhin e egër dhe ujërat në ngjyrë turkeze, Kretën e turizmit do ta gjeni në pjesën veriore, Nëse doni pak më shumë privatësi, shkoni në jug të saj.
6° Anguilla
Anguilla ka sipërfaqe rreth 91 kilometra katrorë, me 33 plazhe të mrekullueshme me rërë të bardhë, resorte, hotele, Spa dhe klube golfi. Në fakt është një ndër destinacionet më të shtrenjta. Lexuesit i kanë cilësuar plazhet “hipnotizuese” ndërsa banorët vendas “të përzemërt”.
5° Maldivet
Maldivet, në mes të Oqeanit Indian janë të famshme për plazhet, lagunat me ujë blu dhe shkëmbinjtë koralorë. Megjithatë, Maldivet nuk janë veçse të
bukura, prej shumë kohësh konsiderohen një ndër vendet më të shtrenjta për të kaluar pushimet. Por këto vite, qeveria lokale ka vendosur të investojë për të rritur edhe turizmin e fashës së mesme – të ulët.
4° Milo, Greqi
Milos, apo Milo, ishull vullkanik në Detin Egje, ndodhet në cepin jugperëndimor të arkipelagut të Cikladeve. Pëlqehet për shkëmbinjtë e bardhë dhe peizazhet që duken hënore. Dhe sigurisht për plazhet e shumta të bukura: Firopotamos, Sarakiniko, Paliochori, Tzigrado, Plathiena etj.
3° Bali, Indonezi
Në këtë klasifikim nuk mund të mungonte ishulli i Balit. Lexuesve-udhëtarë u pëlqen për shumëllojshmërinë e përvojave dhe aktivitetet që ofron (nga tempujt Hindu te natyra e paprekur, nga plazhet e magjishme te pishinat e mëdha) dhe jo më pak, për mundësinë e disa ditëve pushime “low cost”.
2° Palawan, Filipine
Zbret në vend të dytë, pasi ka qenë për katër vite me radhë në krye të renditjes ishulli Palawan në Filipine – një parajsë me male madhështore dhe shpella gëlqerore nëntokësore, pyje tropikale dhe ujëra të kristalta. Ishulli është i famshëm edhe për dy vende, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s: Tubbataha Reef dhe Parku Kombëtar i lumit nëntokësor Puerto Princes.
1° Sri Lanka
Hyrje e re, menjëherë në krye të klasifikimit: Sri Lanka. “Përgjatë bregdetit të bukur, parqet kombëtare detare e bëjnë këtë destinacion ëndrrën e çdo sërfisti, i pasionuar pas snorkeling dhe zhytjeve” – shkruan “Travel + Leisure”. Në brendësi do të shihni plantacione çaji dhe parqe me kafshë të egra, mes të cilave elefantë, majmunë dhe leopardë (më të mëdhenjtë në botë). Megjithatë, Sri Lanka ka pasur edhe vite të errëta (sulmet terroriste gjatë Pashkëve dhe lufta civile, 10 vjet më parë).
Por sot, më së fundi, gjërat kanë ndryshuar. Jo vetëm është numri një në klasifikimin e “Travel + Leisure”, por edhe “Lonely Planet”, vitin e kaluar e renditi Sri Lankën në vend të parë në klasifikimin e vendeve që duhet të vizitoni në vitin 2019.
Sri Lanka mund të mburret me natyrën e paprekur dhe 1600 kilometra vijë bregdetare.
Burimi: Corriere delle Sera