Ndërkohë që partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, Italia, po shkon drejt recesion, sipërmarrësit vendas po mendojnë gjetjen e tregjeve të reja.
A duhet dhe si mund të orientohen eksportet shqiptare drejt një shteti të fuqishëm si Gjermania, i vetmi që nuk po ndjen krizën në Eurozonë?!
Sinjalet dhe treguesit tepër pesimistë që mbërrijnë nga Italia kanë shqetësuar shumë sipërmarrës shqiptarë, të cilët prej vitesh kryejnë shkëmbime me këtë shtet.
Sipas të dhënave zyrtare, Italia zë sot rreth 52% të eksporteve shqiptare duke qenë kështu partneri kryesor i vendit tonë dhe lajmet negative mbi të nuk mund të të lënë indiferent.
Pesimizmi rritet në një kohë kur recesioni “italian” pritet të thellohet gjatë dy viteve të ardhshme (sipas të dhënave zyrtare nga institucionet italiane) dhe indeksi i besueshmërisë së konsumatorëve dhe biznesit vijon rënien.
“Kemi marrë disa sinjale negative nga partnerët tanë italianë dhe duket se ka nisur të ndihet kriza. Po efektet do t’i shohim të qarta në fillim të vitit 2012 kur do të marrim edhe porositë për koleksionet e reja”,
thotë Flamur Hoxha, kreu i Dhomës së Prodhuesve të Veshjeve.
Thellimi i krizës në Itali rrezikon të prekë më shumë sektorin fasonist në Shqipëri, 85% e eksporteve të të cilit shkojnë pikërisht në këtë shtet.
Sigurisht që “të paprekur” nuk do të mbeten bizneset shqiptare eksportuese ose jo.
Ajo që e thellon më shumë ndikimin “italian” në ekonominë shqiptare është orientimi kryesisht drejt Italisë, veçanërisht i eksporteve.
Gjermania, i cili është i vetmi vend në Europë që po shënon ritme rritjeje dhe ku sinjalet janë mjaft pozitive, zë një peshë shumë të vogël në eksportet shqiptare, vetëm 3%.
Statistikat më të fundit bëjnë të ditur se Gjermania i është shmangur trendit që ka përfshirë pjesën tjetër të Europës, ndaj pavarësisht krizës ndërkombëtare, industria, konsumi dhe punësimi gëzojnë shëndet të plotë.
Por a duhet dhe mund të diversifikohen eksportet shqiptare dhe të orientohen drejt një shteti të fuqishëm si Gjermania?
Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve shpjegon për “Monitor” se është krejtësisht e mundur që bizneset shqiptare të depërtojnë në tregjet gjermane dhe ka mjaft oferta.
“Ka shumë kompani gjermane që kanë rritur kërkesat për të nisur bashkëpunimin me partnerë shqiptarë. Madje interes ka nga e gjithë pjesa e Europës Veriore, një treg shumë pak i rrahur nga kompanitë vendase”, shpjegon Zusi.
Edhe Flamur Hoxha, thotë se në sektorin e fasonit ka patur një interes në rritje nga kompani gjermane dhe madje disa prej tyre kanë investuar tashmë në disa ndërmarrje fasoni në vend.
“Fakt është që ne tashmë njihemi edhe jashtë Italisë. Në vitin 2012 patjetër që do të ketë shumë më tepër lëvizje, ku me siguri në ndërmarrjet që mund të kalojnë në vështirësi nga partnerët italianë mund të nisë bashkëpunimi me partnerë gjermanë”,
thotë Hoxha.
Por pengesa të shumta…
Xhemal Bërxulli, administrator i një ndërmarrjeje të madhe fasoni në vend, me rreth 350 punonjës, tregon së fundmi është kontaktuar nga një koncern i madh gjerman,
i cili kërkon të shkëpusë prodhimin nga Tunizia dhe Bullgaria dhe ta zhvendosë tërësisht në Shqipëri.
Por megjithëse “dëshirën” e tij për të rritur volumet e punës, Bërxulli thotë se së bashku me nënkontraktorët e tij mund të përballojë deri në 5% të volumit të punës të kompanisë gjermane.
“E keqja në Shqipëri është se shumë ndërmarrje janë të vogla dhe pak të specializuara dhe kjo nuk mundëson ardhjen e partnerëve të rëndësishëm europianë megjithë interesin e tyre”, thotë Bërxulli.
Edhe Ismail Beka, menaxher i programit gjerman GIZ, thotë se prej 3-4 vitesh kanë filluar përpjekjet e përbashkëta me biznesin gjerman për të investuar në fushën e tekstileve.
“Ritmet e rritjes së eksporteve drejt Gjermanisë në këtë sektor janë modeste, pasi përmirësimet teknologjike të industrive tona janë të vogla (kalimi nga fasoni me çdo gjë nga porositësi në një produkt më të plotë të realizuar në vend).
Kriza ekonomike ka ndikuar padyshim gjithashtu”, thotë Beka.
Kompanitë e tekstileve në Gjermani kërkojnë ndërmarrje që ofrojnë cikël të mbyllur prodhimi (që nga prerja dhe deri tek ambalazhi), por në Shqipëri vetëm 30% e ndërmarrjeve të fasonit kanë një kapacitet të tillë.
Pjesa më e madhe, rreth 70%, kryen procese elementare si qepje dhe hekurosje dhe ka realizuar shumë pak investime.
Një nga pengesat më të mëdha ndërmjet fasonistëve shqiptarë dhe partnerëve gjermanë është çmimi mjaft i ulët, që ofrojnë këta të fundit në raport me partnerët italianë.
“Nëse do të bëj një ndarje të volumeve të punës në ndërmarrje, rreth 90% e kryej me kompani multinacionale italiane dhe vetëm 10% me gjermanët. Fakt është që kompanitë italiane janë shumë të përparuara në modë dhe kanë shumë më tepër klientelë.
Nëse një partner italian paguan 0.10-0.12 euro/min, ai gjerman paguan disa herë më pak 0.06-0.12 euro/min. Kjo diferencë kaq e madhe në çmim bën që ne të preferojmë më shumë italianët”, thotë Bërxulli.
Një tjetër pengesë për eksportet shqiptare në Gjermani, është kosto e lartë e transportit. Përsa i përket fasonit, transporti është më i organizuar, sepse e bëjnë vetë kompanitë gjermane duke mbledhur porositë në disa ndërmarrje dhe duke ulur shumë kostot.
Por në bizneset e tjera, transporti është një pengesë e madhe.
Alban Zusi thotë se oferta ka, cilësia e kompanive shqiptare është mjaft e madhe, por ka shumë kosto të lartë.
“Transporti rrugor del me një kosto shumë të lartë, kjo sepse distanca është më e largët, por edhe për shkak të taksës prej 9 euro/ton, sapo kamionët shqiptarë kalojnë në territorin italian.
Nëse kërkohet që të diversifikohen eksportet shqiptare dhe të orientohen drejt shteteve të fuqishme si Gjermania, qeveria shqiptare duhet të ndërhyjë për lehtësimin e transportit,
së pari duke vendosur vinça për kontenierë në hekurudhë, çka mundëson transportin përmes saj dhe së dyti, të rishikohen tarifat e kontenierëve, sepse aktualisht tarifat janë mjaft të larta”, shpjegon Zusi.
Pak investime në marketing
Në Shqipëri numërohen në total 50 kompani gjermane, kryesisht të mesme dhe të vogla dhe shumë pak kompani të mëdha.
Ismail Beka thotë se në një analizë të bërë në strukturën e biznesit gjerman në Shqipëri rezulton se mbi 50% e përbën sektori i tregtisë së automobilave dhe i shërbimeve përfshirë ato bankare.
Në sektorin e prodhimit, pesha e biznesit gjerman është shumë e vogël, (një kompani e veshjeve dhe një kompani e farmaceutikës). Ndërkohë që mungojnë fare kompanitë në fushën e energjetikës apo te sektorët e mineraleve.
Sipas tij, në intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike me Gjermaninë ka dy aspekte: njëra anë është interesi i kompanive gjermane për të ardhur në tregun shqiptar, çka nuk ka rezultuar në pritshmërinë e duhur deri tani,
por nga ana tjetër mund të ketë edhe një rrugë tjetër, atë të kërkimit të investitorëve, në mënyrë të tillë që t’i orientosh në projekte strategjike, aty ku edhe interesi i ekonomisë së vendit është më i madh.
Prej 3-4 vitesh kanë filluar përpjekjet e përbashkëta me biznesin gjerman për të investuar në fushën e tekstileve, por ende ritmet e rritjes së eksporteve drejt Gjermanisë në këtë sektor janë modeste.
Një aspekt tjetër që e vështirëson akoma më shumë rritjen e eksporteve dhe gjetjen e partnerëve të biznesit është mungesa e pjesëmarrjes sistematike në panairet më të rëndësishme që zhvillohen në Gjermani,
që janë edhe panairet më të mëdha në nivel europian dhe botëror.
“Që të fitosh partnerë tregtarë dhe investitorë serioz gjermanë, duhet marrë në konsideratë edhe konkurrenca midis shumë vendeve të tjera në rajon, që kanë të njëjtat prioritete zhvillimi.
Për të përfituar investitorë të mëdhenj dhe të rëndësishëm duhet të funksionojë edhe prezantimi i projekteve të investimeve rajonale,
pasi Ballkani Perëndimor do të ishte shumë më atraktiv në dimension rajonal se sa të një vendi të veçantë të vogël”, thotë Beka.
INTERVISTA/ Flet Ismail Beka, menaxher në programin gjerman GIZ
Interes në rritje, por pak konkretizim
Si mendoni se mund t’i orientojmë eksportet tona drejt Gjermanisë? Si mund të ftojmë bizneset gjermane në Shqipëri dhe cilët janë sektorët potencialë?
Gjermania është për Shqipërinë një partner i rëndësishëm tregtar, por shumë më i vogël se Italia, Greqia dhe Turqia.
Eksportet drejt Gjermanisë zënë vetëm 3.1% të eksporteve shqiptare, ndërkohë që importet nga Gjermania zënë 5.1% të importeve shqiptare. Raporti import-eksport me Gjermaninë është 1:5.
Dy karakteristika ka me tregtinë me Gjermaninë: importet më të larta i zë grupi makineri pajisje dhe pjesë këmbimi, (14.6% të importeve gjithsej të këtij grupi),
ndërkohë që në eksporte peshën kryesore e zë grupi kepucë dhe veshje me (rreth 65%) si dhe ushqimeve 19%. (edhe pse në peshën totale të eksportit të ushqimeve tregu gjerman është i rëndësishëm dhe zë 10.7% të eksportit të ushqimeve -bimët medicinale).
Për të menduar në rritjen e eksporteve në një periudhë afatshkurtër do të duhet të synohet në rritjen e cilësisë dhe standardit përsa i përket bimëve medicinale ndërkohë që zgjerimi i produktit për eksport në veshje,
duke synuar në lidhjen e designer të modës dhe kalimit nga fason tek procesi i punës i përfunduar.
Institucionet gjermane po kontribojnë në zhvillimin e ekonomisë së vendit. A gjykoni se bizneset shqiptare duhet të kthejnë sytë nga partnerët gjermanë, dhe pse?
Është e vërtetë që projektet e bashkëpunimit financiar dhe teknik me Gjermaninë zënë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Qeveria gjermane është donatori më i rëndësishëm bilateral për Shqipërinë në këto 20 vjet,
ndërkohë që përsa i përket shkallës së realizimit të projekteve të premtuara është padiskutim donatori më i rëndësishëm. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi janë zbatuar projekte strategjike si edhe janë realizuar modele dhe standarde zhvillimi:
Kështu në fushën e energjisë elektrike në transmetim dhe në rikonstruksionin e hidrocentraleve, dhe në përmirësimin e furnizimit me energji. Pa linjën e transmetimit të energjisë Podgoricë-Tiranë,
ndoshta do të ishte e vështirë të kishim sot mundësi të furnizimit me energji elektrike në Shqipëri, në kushtet e thatësirës kur duhet të importohen 60-70% e energjisë që konsumohet.
Padiskutim projekte të suksesshme edhe në fushën e ujësjellës-kanalizime. Të vetmet qytete ku ka 24 orë ujë të pijshëm apo funksionojnë impiantet e pastrimit të ujërave të zeza janë ato ku ka investuar KfW.
Mund të përmendim deri edhe tek projekte të vogla por modele zhvillimi si ai i turizmit malor në Theth, që përbën një rast shumë të mirë për të dëshmuar se turizmi malor mund të ketë të ardhme në Shqipëri.
Po të përmendësh këtu edhe asistencën që jepet për rritjen e kapaciteteve të administratës publike si dhe përmirësimeve ligjore në fushën e integrimit europian, paketa e ndihmës gjermane është shumë e plotë.
Por nga ana tjetër nuk ka të njëjtën peshë në Shqipëri biznesi gjerman.
Disa kompani gjermane kanë investuar tashmë në Shqipëri, sipas të dhënave tuaja, sa efektivë kanë qenë?
Biznesi gjerman është i prezantuar me rreth 50 kompani në Shqipëri, kryesisht të mesme dhe të vogla dhe shumë pak në kompani të mëdha.
Në një analizë të bërë në strukturën e biznesit gjerman në Shqipëri rezulton se mbi 50% e përbën sektori i tregtisë së automobilave dhe i shërbimeve përfshirë ato bankare.
Në sektorin e prodhimit pesha e biznesit gjerman është shumë e vogël, (një kompani e veshjeve dhe një kompani e farmaceutikës).
Ndërkohë që mungojnë fare kompanitë në fushën e energjetikës apo te sektorët e mineraleve. Profili i biznesit gjerman është i ndryshëm nga ai italian, austriak, grek etj, të cilet kanë siguruar pozicion më strategjik në ekonominë shqiptare.
Kompanitë gjermane kanë rezultuar në shumë raste “jo konkurruese” kur kanë marrë pjesë në tenderat e mëdha të ndërtimit apo në kontrata koncensionare që janë zhvilluar në Shqipëri.
Dhe ka pasur shumë raste kur kompanitë fituese nga vende të tjera nuk kanë garantuar standardet e pritura. Ka dy aspekte: njëra anë është interesi i kompanive gjermane për të ardhur në tregun shqiptar,
çka nuk ka rezultuar në pritshmërinë e duhur deri tani, por nga ana tjetër mund të ketë edhe një rrugë tjetër, atë të kërkimit të investitorëve në mënyrë të tillë që t’i orientosh në projekte strategjike,
aty ku edhe interesi i ekonomisë së vendit është më i madh. Prej 3-4 vitesh kanë filluar përpjekjet e përbashkëta me biznesin gjerman për të investuar në fushën e tekstileve.
Ritmet e rritjes së eksporteve drejt Gjermanisë në këtë sektor janë modeste, pasi përmirësimet teknologjike të industrive tona janë të vogla (kalimi nga fasoni me çdo gjë nga porositësi në një produkt më të plotë të realizuar në vend).
Kriza ekonomike ka ndikuar padyshim gjithashtu. Një përpjekje tjetër është bërë edhe me një delegacion gjerman biznesi në fushën e turizmit, përsëri jo me suksesin e pritshëm, pasi asnjë projekt i madh i turizmit në rivierën shqiptare nuk u identifikua.
Ndërkohë që ka edhe një aspekt tjetër që e vështirëson akoma më shumë rritjen e eksporteve dhe gjetjen e partnerëve të biznesit: mungesa e pjesëmarrjes sistematike në panairet më të rëndësishme që zhvillohen në Gjermani,
që janë dhe më të mëdhatë në nivel europian dhe botëror. Shqipëria është prezente në mënyrë të rregullt vetëm në panairin e turizmit në Berlin, atë të librit dhe prej disa vitesh në Biofach (panairi i prodhimeve bio).
Por, nuk merr pjesë në panaire të rëndësishme të ushqimeve (Anuga, panairi më i madh ushqimor në botë), Fruit Logistik (më i rëndësishmi për fruta perime), Eurofish, panairet e tekstileve dhe modës atj.
Që të fitosh partnerë tregtarë dhe investitorë seriozë gjermanë, duhet marrë në konsideratë edhe konkurrenca midis shumë vendeve të tjera në rajon, që kanë të njëjtat prioritete zhvillimi.
Këtu vijmë përsëri tek çështja standarde, që janë tashmë të shprehur qartë në çdo raport dhe nuk ka të bëjë vetëm me politikë, por edhe me përmirësime më të rëndësishme në çështje të tilla si prona,
funksionaliteti i institucioneve dhe lufta ndaj korrupsionit, që janë të lidhura drejtpërdrejt me klimën e biznesit dhe me rritjen e konkurrueshmërisë së vendit.
Shumë njerëz presin çudinë nga një konsensus në parlament për një muaj, për të miratuar ato që kanë mbetur pezull e presin edhe votat e opozitës, por kjo nuk mjafton për të krijuar shanse që të vijë një investitor serioz.
Një qasje tjetër për të përfituar investitorë të mëdhenj dhe të rëndësishëm është edhe prezantimi i projekteve të investimeve rajonale (pasi Ballkani Perëndimor do të ishte shumë më atraktiv në dimension rajonal se sa të një vendi të veçantë të vogël).
Ky ishte apeli i drejtuar edhe në Konferencën rajonale ekonomike për Ballkanin të mbajtur në Berlin në muajin maj 2011 kur para politikanëve dhe përfaqësuesve të biznesit të vendeve të Ballkanit u shtrua një propozim i tillë.
Alban Zusi
Nëse kërkohet që të diversifikohen eksportet shqiptare dhe të orientohen drejt shteteve të fuqishme si Gjermania, qeveria shqiptare duhet të ndërhyjë për lehtësimin e transportit,
së pari duke vendosur vinça për kontenierë në hekurudhë dhe së dyti, të rishikohen tarifat e kontenierëve, sepse aktualisht tarifat janë mjaft të larta
Flamur Hoxha
Absolutisht që ka ardhur momenti të shikojmë jashtë Italisë duke përfshirë edhe veten. Synimi është orientimi drejt tregjeve të Gjermanisë dhe Francës dhe besoj se edhe interesi do të vijë në rritje nga 2012.
Kriza italiane do të sjellë më shumë lëvizje në “kampin” e partnerëve gjermanë
Produktet potenciale për eksport në Gjermani:
-Tekstilet
-Fruta-Perime
-Konservat
-Zorrë salami
-Bimë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.