Për pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, tregtia aktuale është shumë më poshtë potencialit. Tregtia brenda rajonit nuk ka gjasa të ndihmojë në ngushtimin e këtij hendeku. Eksportet janë zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, por vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të integruara dobët në tregtinë botërore.
Maqedonia dhe Serbia janë më të integruara në këtë drejtim. Megjithatë, në një krahasim me vendet e BE 11 (shtetet europianelindore që janë anëtare në BE), pesha e tregtisë (tregtia si përqindje e PBB-së) dhe tregtia për frymë (në dollar amerikan) është shumë më e lartë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia janë anëtare të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), por anëtarësimi nuk e ka rritur peshën e tregtisë brenda rajonit ndaj totalit për këto vende. Tregtia rajonale mbetet e ulët, pavarësisht afërsisë gjeografike dhe në shumicën e rasteve të lidhjeve kulturore dhe gjuhësore dhe kjo nuk ka gjasa të ndryshojë ndjeshëm gjatë periudhës afatmesme.
BE është tregu dominues i tregjeve të eksportit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria, Bosnjë – Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia varen nga BE-ja për rreth 60-70% të eksporteve të tyre. Në të kundërt, tregtia brenda rajonit përbën vetëm 10% të totalit. Mali i Zi dhe Kosova dërgojnë rreth 30% të eksporteve të tyre në vendet e CEFTA-s dhe 40% në BE. Eksportet e mallrave hyjnë në vendet e CEFTA-s dhe të BE-së pa tarifa, por eksportet e shërbimeve ende përballen me barriera tarifore.
“The Economist” ka hartuar një regresion që shpjegoi rreth 94% të variacionit mes shteteve në eksportet e mallrave dhe shërbimeve në vitin 2015 për 155 shtete. Variablat shpjeguese, të cilat ishin të gjitha statistikisht të rëndësishme, përfshinin logaritmin natyror të PBB-së për frymë në dollarë amerikanë, sipas paritetit të fuqisë blerëse (PPP); logaritmin natyror të madhësisë së popullsisë; një variabël që merr vlerën 1 për vendet e BE dhe 0 përndryshe; si dhe logaritmin natyror të distancës së vendit nga qendrat rajonale (Gjermania, Japonia ose SHBA). Të gjitha variablat kishin shenjën e pritshme-negative për madhësinë e vendit (popullsisë) dhe për masën e distancës, dhe pozitive për të tjerët.
Gjetjet sipas kësaj përllogaritje ishin se, tregtia e Ballkanit Perëndimor është poshtë potencialit; eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë thuajse 40% nën mesataren e eksporteve potenciale (bazuar në rezultatet e regresionit). Krejt ndryshe është situata për BE 11, për të cilën eksportet potenciale të vlerësuara janë pothuajse të barabarta me eksportet aktuale (një hendek mesatarisht vetëm 2 pikë përqindjeje).
Serbia është një përjashtim nga rregulli i Ballkanit Perëndimor
Serbia është një përjashtim. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve (të shprehura si në përqindje të PBB-së ashtu edhe në raportin e eksporteve për frymë) janë përgjithësisht në përputhje me atë që mund të pritet në bazë të nxitësve kryesorë të potencialit tregtar, që janë niveli i zhvillimit të Serbisë, madhësia e saj dhe distanca e saj nga tregjet kryesore. Ndryshon situata në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Jo shumë kohë më parë, rezultati i njëjtë do të ishte gjetur edhe për Serbinë. Megjithatë, vitet e fundit, eksportet e Serbisë kanë arritur të jenë në potencial, si rezultat i rritjes së shpejtë të tyre. Zgjerimi i eksporteve ka qenë si rezultat i rritjes së fortë të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) dhe kursit fleksibël të këmbimit të Serbisë (ndryshe nga normat fikse që kanë dëmtuar konkurrueshmërinë në shumë vende të rajonit).
Tregtia brenda rajonit
Pesha e tregtisë brenda Ballkanit ka qenë në stanjacion që nga kriza e vitit 2008. Serbia është vendi i vetëm për të cilin pjesa e tregtisë së Ballkanit Perëndimor ishte dukshëm më e lartë në vitin 2017 se në vitin 2008. Rreth gjysma e eksporteve të mallrave brenda rajonit në Ballkanin Perëndimor kanë origjinën nga Serbia. Maqedonia ka tregtinë më të lartë rajonale si pjesë e tregtisë totale; eksportet në rajon përfaqësojnë 12% të PBB-së së vendit. Serbia vjen pas saj, ku eksportet në rajon përbëjnë rreth 8% të PBB-së; për BiH është 5%. Eksportet ndër-rajonale kanë pjesën më të ulët në Kosovë, ku ato përfaqësojnë 2% të PBB-së.
Një raport i fundit nga Komisioni Europian shqyrton modelet e tregtisë në Ballkanin Perëndimor, bazuar në një model të ashtuquajtur të gravitetit (në të cilin tregtia është një funksion i të ardhurave, madhësisë dhe distancave). Raporti tregon se tregtia brenda rajonit është nxitur pozitivisht nga niveli i aktivitetit ekonomik, dhe në njëfarë mase, nga faktorë kulturorë, si ngjashmëria e gjuhës. Megjithatë, barrierat jo-tarifore zvogëlojnë ndjeshëm tregtinë midis vendeve të rajonit.
Infrastruktura e dobët në rajon është gjithashtu një pengesë e madhe. Nevoja për të nxitur tregtinë brenda rajonit po merr vëmendje gjithnjë e më të madhe, duke përfshirë edhe atë të BE-së, por kjo nuk ka gjasa të rezultojë në rritje të konsiderueshme të tregtisë rajonale së shpejti, apo të ngushtojë hendekun ndërmjet tregtisë aktuale dhe potenciale të këtyre vendeve. Një arsye për këtë është dyshimi i përhapur në rajon se BE po promovon tregtinë brenda rajonit, si një zëvendësim për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.