Veprat penale të mashtrimit me kreditë dhe mashtrimit në sigurime pësuan rënie të ndjeshme vitin e kaluar.
Sipas informacionit nga Prokuroria e Përgjithshme, në vitin 2023, numri i procedimeve për këtë vepër penale zbriti në 13 raste, nga 33 raste që ishin regjistruar në vitin 2022. Procedimet për këtë vepër penale kanë rënë për të dytin vit radhazi dhe janë në nivelin më të ulët të pesë viteve të fundit.
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale kundër mashtrimit për vitin 2023 është 2,25%, ndërsa në vitin 2022 ka qenë 5,43%.
Edhe numri i të pandehurve të dënuar për këtë vepër penale vitin e kaluar pësoi rënie në 9, nga 13 që ishin dënuar për këtë vepër penale një vit më parë.
Neni 146 i Kodit Penal e përkufizon mashtrimin në kredi si “mashtrimi në dokumentet e paraqitura, duke përfituar padrejtësisht kredi, duke regjistruar në mënyrë fiktive në hipotekë objekte që nuk ekzistojnë, ose tej vlerës së tyre reale, ose në pronësi të një tjetri, të bëra me qëllim për të mos kthyer më kredinë e marrë”. Sipas Kodit Penal, kjo vepër dënohet me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.
Forma më e përhapur e këtij mashtrimi në vitet e fundit ka qenë marrja e kredive bankare me dokumente të falsifikuara ose duke përdorur mjete identifikimi të personave të tjerë. Këto vepra penale janë bërë shqetësim për disa institucione financiare në vitet e fundit, duke i ekspozuar edhe ndaj dëmit reputacional.
Personat e tretë që kanë rënë viktimë e mashtrimit nëpërmjet përdorimit të dokumenteve dhe firmës të tyre për përfitimin e kredisë në disa raste i kanë denoncuar ngjarjet në media.
Gjithmonë sipas Prokurorisë së Përgjithshme, vitin e kaluar u regjistruan 13 procedime për veprën penale të “mashtrimit në sigurime”, nga 19 që kishin qenë në vitin 2022.
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Mashtrimet” është 2,25 % për vitin 2023, ndërkohë që në vitin 2022 ka qenë 3,13 %. gjashtë individë u dënuan nga gjykata për këtë vepër penale, nga pesë individë që ishin dënuar gjatë vitit 2022.
Neni 145 i Kodit Penal e përkufizon mashtrimin në sigurime si “paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet, ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime”. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Mashtrimi në sigurime lidhet kryesisht me inskenimin e ngjarjeve të sigurimit ose falsifikimin e rrethanave të tyre, me qëllim përfitimin e dëmshpërblimit nga kompanitë e sigurimeve./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.