Qeveria britanike ka nënshkruar një marrëveshje furnizimi për të siguruar deri në 60 milionë doza të një vaksine të mundshme të koronavirusit që aktualisht po zhvillohet nga gjigantët farmaceutikë Sanofi dhe GlaxoSmithKline.
“Një marrëveshje për të siguruar një qasje të hershme në një vaksinë të re premtuese të koronavirusit për të mbrojtur qytetarët dhe për të shpëtuar jetë,”tha në një deklaratë departamenti për Biznes, Energji dhe Strategjia Industriale (BEIS).
“Marrëveshja me GSK dhe Sanofi Pasteur, të cilat së bashku kanë aftësinë më të madhe të prodhimit të vaksinave në botë, do të furnizojnë Mbretërinë e Bashkuar me 60 milionë doza të vaksinës së tyre COVID-19, e cila bazohet në teknologjinë ekzistuese të bazuar në ADN, e përdorur për prodhimin e vaksinës anti-gripale nga Sanofi”.
Sipas qeverisë, kjo marrëveshje e fundit mund të lejojë që grupet prioritare të vaksinohen që në verën e vitit 2021, nëse vaksina potenciale nga Sanofi dhe GSK rezulton efektive në studimet njerëzore.
“Shkencëtarët dhe studiuesit tanë po garojnë për të gjetur një vaksinë të sigurt dhe efektive me një shpejtësi dhe shkallë që nuk është parë kurrë më parë. Ndërsa ky përparim është me të vërtetë i jashtëzakonshëm, mbetet fakti se nuk ka garanci, “tha sekretari i biznesit Alok Sharma.
Qeveria britanike ka nënshkruar marrëveshje për katër vaksina të mundshme për të patur një qasje të hershme, ku deri më tani ka arritur në 250 milionë doza.
“Kjo llojshmëri e vaksinave është e rëndësishme sepse ne ende nuk e dimë se cila, nëse ka, nga llojet e ndryshme të vaksinave do të dëshmojë se gjeneron një përgjigje të sigurt dhe mbrojtëse ndaj Covid-19,” tha kryetarja e grupit të punës për vaksinat, Kate Bingham, duke paralajmëruar se Britania e Madhe nuk duhet të jetë e vetëkënaqur ose tepër optimiste./CNN