Flet Prof. Dr. Lindita Milo (Lati), kryetare e Autoritetit të Konkurrencës
Në ditët e sotme, tregu i sigurimeve vuan mungesën e konkurrencës, si shkak i moszbatimit të rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës të adresuara në mënyrë sistematike për disa vite me radhë, si dhe rrëzimi i gjobave të vendosura nga Komisioni i Konkurrencës nga ana e gjykatave.
Ka pak më shumë se një dekadë që problemet me tregun e sigurimit të detyrueshëm përsëriten dhe nuk po gjejnë zgjidhje?
Problemet me tregun e sigurimeve, duke iu referuar edhe ndërhyrjeve të Autoritetit të Konkurrencës kanë më shumë se 10 vjet. Vendimi i parë i Autoritetit daton në dhjetor të vitit 2005, ku Komisioni i Konkurrencës i kërkonte Ministrisë së Financës dhe Byrosë Shqiptare të Sigurimeve ndërprerjen e marrëveshjes për përcaktimin dhe shitjen e policës së sigurimit kufitar, e cila përcaktonte tarifën e shitjes si dhe ndante tregun midis shoqërive të sigurimit. Më pas, në janar të vitit 2007, duke marrë në konsideratë të gjitha shqetësimet, për të gjitha llojet e produkteve të sigurimeve, përfshi këtu edhe policën e MTPL-së së brendshme, Komisioni i Konkurrencës vendosi të hapte hetim të thelluar. Shoqëritë e sigurimit e ankimuan këtë vendim të Komisionit në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, e cila u shpreh se Autoriteti i Konkurrencës nuk kishte të drejtë të realizonte procedura hetimore në këtë treg. Ndërkohë, Komisioni i Konkurrencës nxori vendimin në lidhje me rregullimet që duhet të ndodhnin ose që duhet të bashkëshoqëronin shitjen e produktit të policës kufitare. Si rrjedhojë, në zbatim të vendimit të gjykatës, Autoriteti i pezulloi procedurat e tij, duke ngritur shqetësimin në të gjithë piramidën e sistemit të drejtësisë.
Në mënyrë të vazhdueshme, Autoriteti i Konkurrencës ka realizuar disa tryeza diskutimi me Bordin e AMF-së, në të cilat janë diskutuar mbi instrumentet që duhet të përdoreshin për mirëfunksionin e këtij tregu, si dhe të mund të gjeneronin një konkurrencë qoftë edhe minimale për produktin e MTPL-së së brendshme dhe që do t’i jepnin disi një frymëmarrje tregut. Thuhet minimale, sepse dihet që tarifa fundore e sigurimit bëhet kryesisht nga primi bazë i rrezikut (i cili miratohet nga AMF-ja) plus shpenzimet operative që zënë 18-20% të çmimit. Kjo do të thotë se në rreth 80%, tarifa fundore e primit të sigurimit përbëhet nga një pjesë e ‘ngurtësuar’ e cila përcaktohet nga AMF-ja. Primi bazë i rrezikut i përllogaritur dhe që duhej zbatuar nga të gjitha shoqëritë e sigurimit ishte i njëjtë për të gjitha shoqëritë.
Në takimet që ne kemi pasur në atë kohë (2008–2010) ne jemi vënë në dijeni për projektin e Bankës Botërore, e cila parashikonte që konkurrenca edhe në produktin e sigurimeve do të mundësohej nga sistemi Bonus–Malus.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Komisioni i Konkurrencës, në pritje të vendimit final mbi atë që kishte marrë Shkalla e Parë e Tiranës, kërkonte që ky sistem të vihej sa më shpejt në funksion.
Bazuar në amendimet e ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që u miratuan në vitin 2011, tregu i liberalizua dhe u konstatua se shoqëritë realizonin aplikime individuale për përllogaritjen e primit të rrezikut pranë AMF-së.
Por, sërish shqetësimet që erdhën nga media identifikuan faktin se shoqëritë e sigurimit vepruan në ‘bllok’ duke caktuar tarifa të unifikuara të sigurimit për secilën kategori të automjeteve. Komisioni i Konkurrencës, bazuar në të gjitha këto informacione, hapi procedurat hetimore në fillim të muajit shkurt 2012. Në përfundim të procedurave të hetimit paraprak dhe atij të thelluar gjykoi se shoqëritë ishin në shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe ato kishin vepruar në bazë të një marrëveshjeje duke fiksuar çmimin në treg.
Argumentimi i Komisionit të Konkurrencës bazohej në faktin se qoftë edhe për 18-20% të tarifës fundore të policës shoqëritë duhet të konkurronin me njëra–tjetrën. Kjo diferencë krijonte mundësi që secila prej shoqërive të zbatonte një politikë individuale në përcaktimin e tarifës fundore. Pra Komisioni i Konkurrencës vendosi penalitete ndaj shoqërive të sigurimit.
Gjithashtu, me vendim, Komisioni i Konkurrencës kërkonte zbatimin e sistemit Bonus–Malus, i cili do të gjeneronte konkurrencë në treg.
Eficienca e ndërhyrjes së Autoritetit të Konkurrencës në lidhje me këtë produkt shkoi pothuajse në ‘nul’ sepse, Gjykata e Apelit (këtë herë) vendosi rrëzimin e vendimit të Komisionit të Konkurrencës duke u dhënë të drejtë shoqërive të sigurimit, pra vendimi me penalitete u zhvleftësua.
Gjatë kësaj periudhe, ne zhvilluan takime shumë intensive me AMF-në për të përçuar logjikën se shoqëritë për këtë produkt, qoftë edhe në mënyrë minimale, duhet të konkurronin me njëra – tjetrën. Rregullatori ngrinte shqetësimin e informalitetit në këtë treg.
Komisioni i Konkurrencës në mënyrë të vazhdueshme është shprehur se informaliteti nuk mund të luftohet kurrsesi duke shkelur konkurrencën, por duke marrë masa për të rritur nivelin mbikëqyrës në zbatim të ligjeve respektive. Kjo logjikë vlen për të gjitha tregjet e rregulluara. Shoqëritë që operojnë në këto tregje kanë detyrime, për të cilat kanë marrë edhe licenca.
Nisur nga kjo, Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë rekomandime edhe për rregullime ligjore.
Situata, edhe pas kësaj, ka vazhduar të jetë e luhatshme.
Në janar të vitit 2014, disa shoqëri filluan të tregtonin polica nën vlerën e primit të rrezikut. Për këtë patëm ankesa të shumta. Por, në çdo rast, Komisioni i Konkurrencës ka theksuar se garantimi i konkurrencës, dhe mirëfunksionimi i tregut realizohet përmes sistemit Bonus–Malus.
Në fakt, instrumentet e matjes së primeve bazë të rrezikut, ku karakteristikat e shoqërive janë të dukshme, duhet të gjeneronin në parim tarifa të ndryshme. Në këto kushte, vetë rregullatorët do të ishin më të konsoliduar për t’u ballafaquar me sjelljen në treg.
As masat ndëshkuese që janë rekomanduar nga ju nuk kanë dhënë efekt…
Në funksion të eficiencës së ndërhyrjes në treg, Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të ligjit dhe të gjithë doktrinës europiane të konkurrencës ka dy instrumente: penalitet ndaj firmave dhe rekomandime për rregullime ligjore apo nënligjore të cilat synojnë të nxisin dhe të mbrojnë konkurrencën. Prandaj edhe Autoriteti i Konkurrencës i ka përdorur të dyja këto instrumente, duke kërkuar krijimin e një mjedisi pro konkurrues, pasi në këtë mënyrë mund të evidentohen dhe të provohen veprimet antikonkurrese të shoqërive në treg e për rrjedhojë, edhe vendimmarrja e Komisionit me penalitete është më e argumentuar.
Fakti i rrëzimit të vendimeve të Komisionit të Konkurrencës me gjoba nga gjykatat ka qenë pjesë e informimit të institucioneve, në të cilat ne raportojmë si dhe të publikut nëpërmjet bashkëpunimit me mediat.
Në thelb, rekomandimet kërkojnë vetëm zbatimin dhe përmirësimin e ligjeve specifike dhe të akteve nënligjore, në mënyrë që të zbatohen parimet bazë të një ekonomie tregu, e cila është e shprehur qartë edhe në Kushtetutë. Zbatimi i rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës është detyrim ligjor. E nëse ato nuk zbatohen, atëherë tregu nuk mund të rregullohet vetvetiu, pasi është një treg i rregulluar.
Tregu, së fundmi, shfaqi sërish të njëjtin problem, cili është opinioni i Konkurrencës?
Në fakt, më duhet të nënvizoj disa momente të rëndësishme të vitit 2014. Gjatë këtij viti, situata me tarifat e MTPL-së u shfaq sërish. Ato u rritën në mënyrë të menjëhershme dhe të koordinuar.
Në përgjigje të hetimit të hapur nga Autoriteti i Konkurrencës, shoqëritë u shfaqën më të ndërgjegjësuara dhe u paraqitën me angazhime konkrete për një bashkëpunim konkret me AMF-në, në lidhje me rregullimet ligjore dhe nënligjore që do të krijonin mundësinë për nxitjen e konkurrencës në tregun e sigurimeve.
Gjithashtu, gjatë verës së këtij viti, u bë testimi i sistemit Bonus–Malus, si një garanci se zbatimi i tij nuk do të vononte dhe do të realizohej në janar 2015.
Në këtë procedurë hetimore u konstatua se Autoriteti Mbikëqyrës, duke dashur që të ushtronte kontroll mbi raportimet online të shitjeve të policave të sigurimit pati ndërtuar një sistem, tek i cili gjenerohej i gjithë informacioni. Ky sistem u konsiderua si një mundësi që kishin shoqëritë të ndanin informacione mbi shitjet dhe për të kontrolluar pjesët e tregut të njëra-tjetrës. Prandaj edhe ky shqetësim është adresuar në vendimmarrjen e Komisionit të Konkurrencës.
Vendimet nr. 324 dhe 325, datë 30.07.2014, shprehin qartë të gjitha detyrimet e shoqërive të sigurimeve, si dhe rekomandimet e adresuara ndaj AMF-së si autoriteti rregullues.
Pra, Komisioni i Konkurrencës, nëpërmjet vendimmarrjeve ka përdorur të dy instrumentet që ia jep ligji: penalizuese dhe rekomanduese, zbatimi i të cilave do të mundësonte që sot tregu të ishte më eficient.
Në vitin 2015, u realizuan amendimet e ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm”, për të cilin na u kërkua opinion, në zbatim të nenit 69 të ligjit. Gjatë vlerësimit të draftligjit u konstatua se ishin reflektuar rekomandimet kryesore të Komisionit të Konkurrencës, të cilat do t’i shërbenin rritjes së konkurrencës për këtë produkt në treg. Më konkretisht, rekomandimi që lidhej pikërisht me pagesën e dëmit nga ana e siguruesit të drejtpërdrejtë ishte marrë në konsideratë, si dhe sigurohej i gjithë kuadri ligjor që vendoste në eficiencë sistemin Bonus-Malus. Ne kërkuam reflektimin edhe të angazhimeve të tjera, për të cilat ishte shprehur Komisioni i Konkurrencës në vendimin e tij të fundit të korrikut 2014. Por, ky projektligj, nuk ka shkuar ende në Kuvend. Është pikërisht ky ligj që do të lehtësonte dhe do të përmbushte gjithë kuadrin ligjor për zbatimin e sistemit Bonus–Malus. Në ditët e sotme, tregu vuan mungesën e konkurrencës, për shkak të moszbatimit të rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës, nga mbikëqyrësi i tregut dhe nga ulja e eficiencës së ndërhyrjeve nga Autoriteti nga zhbërja e penaliteteve nga gjykata.
A kemi të bëjmë me një situatë monopol?
Ne kemi të bëjmë me një situatë ku shoqëritë e sigurimit, bazuar në një prim minimal me bazë rreziku, që është i njëjtë për të gjithë, caktojnë çmime që ndryshojnë shumë pak me njëra–tjetrën.
Nisur edhe nga e gjithë përvoja e ndërhyrjeve në treg të Autoritetit në lidhje me këtë produkt, konstatojmë se instrumenti që do ta bënte tregun të funksiononte është sistemi Bonus–Malus. Aplikimi i këtij sistemi do të krijonte mundësinë që Autoriteti i Konkurrencës të mund të identifikonte dhe të provonte qartazi sjelljen antikonkurruese të shoqërive në treg dhe kjo do të ulte mundësinë e interpretimeve të ndryshme nga ana e Gjykatës së Faktit e të provës për sjelljen e koordinuara midis shoqërive.
Në kushtet kur 90% e tarifës fundore ‘ngurtësohet’, mënyra sesi përcaktohet primi minimal i rrezikut lë shumë pak hapësira për të identifikuar politikat individuale në përcaktimin e tarifave.
Si do të procedohet në lidhje me hetimin për tarifat e MTPL-së që u rritën së fundmi?
Aktualisht, Autoriteti i Konkurrencës po monitoron tregun dhe do të përdorë instrumentet ligjore, si dhe do të bashkëpunojë më ngushtë me AMF-në dhe Kuvendin e Shqipërisë, që të krijojë mundësinë e nxitjes së alternativave për sa i përket sistemit të raportimit online.
Ne konstatojmë sot disa ‘lëvizje’ nga ana e operatorëve për të krijuar mundësi në ofrimin e produkteve të tyre. Kjo do të thotë se nëse kjo politikë individuale do të zbatohet edhe nga të gjitha shoqëritë, do të krijojë më shumë pavarësi dhe fleksibilitet në treg.
Megjithatë, për ne shkaqet që kanë sjellë në këtë gjendje ku është ky treg i rregulluar janë të identifikuara. Për ne, zgjidhja është zbatimi i sistemit Bonus–Malus që është sistemi që do të gjenerojë konkurrencë mes operatorëve dhe një “lojë” më transparente në këndvështrimin e “watchdogut” shqiptar.
Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të ligjit në mënyrë konsistente, është shprehur se në mënyrë absolute, shoqëritë shkelin ligjin për mbrojtjen e konkurrencës nëse nuk vendosin tarifa bazuar në politikat e tyre individuale.
————-
Si ndryshuan tarifat
Sigurimi i detyrueshëm i makinave, TPL duke filluar nga data 24 gusht kushton deri në 25% më shtrenjtë. Shoqëritë e sigurimeve i shesin policat TPL me një çmim të ri, mesatarisht në 18,500 lekë.
Kjo rritje e çmimeve, sipas drejtuesve të kompanisë së Jo-Jetës, erdhi për disa arsye.
E para ka të bëjë me reflektimin e vendimit të AMF-së, se primi i riskut nuk duhet të jetë më i ulët se 100 euro, çka do të thotë se nuk mund të shiten polica nën këtë vlerë. Sipas shoqërive të sigurimit, nga bilanci i të dhënave të gjashtëmujorit rezultoi se primi i riskut ishte mbi 100 euro.
E dyta, sipas drejtuesve të shoqërive të sigurimit, shkak për rritjen e tarifave janë aksidentet e shumta automobilistike që kanë ndodhur kohët e fundit e që kanë bërë që të rritet ekspozimi kundrejt këtyre rreziqeve.
E treta, sipas tyre, tarifa e re reflekton edhe rritjen e taksës së sigurimeve që hyri në fuqi në janar të 2016-s.
Në paketën e re fiskale 2016, taksa kombëtare nga 3% u rrit në 10%. Shoqëritë e sigurimit shpjeguan se nuk e reflektuan këtë ndryshim te primi i shkruar bruto për produktet TPL në 6-mujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave të AMF-së, produkti TPL e brendshme, në periudhën janar– qershor 2016, pati një rritje prej 4.10% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.20% krahasuar me periudhën janar–qershor 2016.
Ja ndryshimet kryesore të tarifave TPL:
Kategoria Ishte Bëhet
A1/1 (Motoçikleta nën 150 cm³) 5,660 lekë 6,804 lekë
A1/2 (Motoçikleta mbi 150 cm³) 8,660 lekë 10,405 lekë
Autovetura
Deri 1,600 cm³: Ishte Bëhet
B1/1.1 (Mjete të prodhuara para 2006-s) 15,260 lekë 17,724 lekë
B1/ 1.2 (Mjete të prodhuara pas 2006-s) 14,760 lekë 18,324 lekë
1,600 deri 2,500 cm³
Ishte Bëhet
B1/2.1 (Mjete të prodhuara para 2006-s) 15,860 lekë 19,044 lekë
B1/2.2 (Mjete të prodhuara pas 2006-s) 15,360 lekë 18,460 lekë
Burimi: Shoqëritë e sigurimeve
—————
Post-liberalizimi, çfarë ndodhi me MTPL-në
Në Shqipëri, tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga portofoli i MTPL së brendshme. Gjatë vitit 2015, ai rezultoi portofoli me rritjen më të madhe prej 27.52%, krahasuar me 2014-n. Primi mesatar për sigurimin e detyrueshëm motorik në Shqipëri është afërsisht 109 euro, nga 94 euro që ishte ky nivel primi në vitin 2014. Duke u krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka një nivel primi më të lartë se Maqedonia (88 euro) dhe Kroacia (102 euro), por më të ulët se Kosova (137 euro) dhe Bosnja dhe Hercegovina (145 euro).
Në Shqipëri, tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik, në elementin e përcaktimit të çmimeve për policat e sigurimit, është liberalizuar prej muajit gusht të vitit 2011, me miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të ligjit Nr. 10455, datë 21.07.2011 “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 10076,
datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Në nenin 10 të këtij ligji parashikohet që “… shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut, ….”. Pra, tarifat e sigurimit të detyrueshëm janë të liberalizuara, duke u
dhënë të drejtën shoqërive të sigurimit t’i përcaktojnë vetë ato, sipas kushteve të tregut
Menjëherë pas liberalizimit, pati një reduktim të ndjeshëm të çmimeve dhe luhatje të tyre, fenomen i cili vazhdon dhe sot. Tregu u gjet i papërgatitur përpara liberalizimit, ndërkohë që konkurrenca e ashpër, pesha dominuese e këtij portofoli në treg dhe ndjeshmëria e lartë e tij ndaj çmimit kanë bërë që kushtet aktuale të tregut të paraqiten të paqëndrueshme në drejtim të tarifimit dhe kanë krijuar një presion të tillë që çon në luhatje të vazhdueshme të çmimeve të sigurimit të detyrueshëm motorik.
Në vitin 2014, AMF argumentonte se: “Një çmim orientues në nivel tregu, nisur nga situata në treg, do të luhatej në nivelet prej të paktën 14.4 mijë lekë dhe 21 mijë lekë përkatësisht për kategoritë me B1/1 (kubikazhi nën 1,600 ç) dhe B1/2 (kubikazhi mbi 1,600 ç) për automjetet private, që shoqëritë e sigurimit të jenë në gjendje të ruajnë ekuilibrat ekonomikë. Këto nivele çmimesh bazohen në primin orientues për rrezikun dhe janë të mjaftueshme vetëm për mbulimin e pagesës së dëmeve dhe shpenzimeve operative. Nëse do të futej dhe marzhi i fitimit apo elementet fiskalë, çmimi minimal që do të duhej të paguante konsumatori do të ishte edhe më i lartë”.
Rreth 5 vjet pas liberalizimit tregu vazhdon të shfaqë mungesë konkurrence në këtë produkt dhe çmimet shpesh diktohen nga marrëveshjet e shoqërive me njëra-tjetrën.
Individualizimi i tarifave sipas profilit të riskut është e vetmja mënyrë për të ulur kostot e sigurimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.