Ekspertët nuk janë shumë optimist për një rritje të shpejtë të ekonomisë në afati e shkurtër e të mesëm. Pengesa të shumta pritet të dalin përpara, si zgjedhjet e përgjithshme në qershor, situate e paqartë ndërkombëtare, mungesa e politikave të qarta zhvillimore. Mungesa e investimeve të dukshme nuk premton shumë për zgjerimin e punësimit
Eksperti i Ekonomisë, Selami Xhepa, pohon se viti 2017 do të vijë me risqe të shtuara si në ambientin e brendshëm dhe atë të jashtëm të ekonomisë. Ai pohon se politikat populiste në programet e partive kryesore në vend, në prag të zgjedhjeve, mund të dëmtojnë zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë.
Si i parashikoni zhvillimet ekonomike të 2017-s?
Viti 2017 mendoj se do të vazhdojë të jetë një vit sërish me plot rreziqe, të brendshme dhe të jashtme. Në goditjet e jashtme nënvizojmë se në tregjet e lëndëve të para, edhe pse me përmirësime të lehta të pritshme në mallrat energjetike, sërish çmimet do të mbeten të dobëta, duke ndikuar negativisht në eksportet e vendit. Po ashtu, edhe rimëkëmbja ekonomike e Europës, veçanërisht dy ekonomive të vendeve fqinj, Italisë dhe Greqisë, do të vazhdojë të jetë një burim shqetësimi. Në veçanti, gjendja e rënduar e sistemit bankar italian, me portofolin e saj të kredisë problematike, rrezikojnë të rikthejnë situatat e jashtëzakonshme në tregjet financiare të Europës njësoj si në rastin e Greqisë. Në këto rrethana, risqet e realizimit të programit ekonomik dhe financiar me rritjen ekonomike mbi 3.5% dhe të ardhurat e buxhetit me rreth 6.7%, duken të vështira.
Si do të ndikojnë zgjedhjet e përgjithshme elektorale në performancën ekonomike tërësi?
Viti 2017 është një vit zgjedhor në Shqipëri, por dhe në një numër të rëndësishëm vendesh europiane. Zgjedhjet e brendshme politike mendoj se do të ruajnë të njëjtën shkallë ndikimi si dhe më parë: me rritje të pasigurive për investime, me ndonjë shthurje të mundshme të disiplinës fiskale dhe për pasojë, edhe me rrezikimin e planit të të ardhurave, me neglizhimin e rregullave të prudencës në menaxhimin buxhetor, duke ndikuar në cilësinë e investimeve publike, etj. Ndërsa zgjedhjet në kontinentin europian pritet të japin një efekt të rëndësishëm dhe afatgjatë në perspektivën e integrimit të vendit. Duke parë edhe hezitimet dhe rezistencën e fortë të grupeve të caktuara të interesit, nga politika dhe jashtë saj, lidhur me reformën e drejtësisë, një kusht kyç ky nga BE, lidhur me progresin e vendit tonë drejt anëtarësimit, lidershipi i ri europian, i dalë nga zgjedhjet e reja, do të ketë argumente të mjaftueshme mbështetëse për ta mbajtur Shqipërinë në paradhomën e BE-së edhe për një kohë relativisht të gjatë.
Ky kompleksitet zhvillimesh të brendshme dhe të jashtme, politike dhe ekonomike, mendoj se do të bëjnë që viti 2017 të jetë një sfidë reale për qeverisjen e re që do të dalë nga zgjedhjet e 18 qershorit.
Çfarë politikash u sugjeroni palëve konkurrente për qeverisjen për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në afat të gjatë?
Rreziqet më serioze të shoqërisë së sotme janë politikat populiste, siç e provuan edhe një sërë zhvillimesh tronditëse në Europë dhe SHBA. Në rastin e vendit tonë, populizmi merr tipare të një karakteri tjetër, por që duke mbetur një burim frymëzimi për programet elektorale, ato rrezikojnë të dëmtojnë interesat e zhvillimit afatgjatë të vendit. Mendoj se do të ishte një gjest maturie politike që opozita të pohonte se disa reforma janë pozitive dhe se ajo mund të ndërtojë mbi to për ta përmirësuar dhe më tej arkitekturën e ekonomisë dhe shoqërisë sonë. Për shembull, duke ruajtur sistemin fiskal ekzistues, opozita mund të ndërtojë politika sociale dhe zhvillimore duke kaluar drejt instrumenteve moderne të deklaratës tatimore për qëllime kreditimi të taksave për grupet sociale apo njohjen e shpenzimeve të caktuara për përmbushjen e objektivave të zhvillimit të familjes; duhen konsoliduar lufta ndaj evazionit fiskal, mbrojtjes së territorit, situata financiare e kompanive energjetike, etj. Mbi këto suksese duhen gjetur politika alternative stimuluese zhvillimore dhe sociale. Politikat e opozitës nuk duhet të ndërtohen thjesht në zhbërjen e gjithçkaje që realizon sot qeveria. Sigurisht që ka disa politika që PD dhe opozita do të duan t’i ndryshojnë dhe këto është e nevojshme të bëhen të qarta, jo thjesht si lista dëshirash, por si qasje realiste dhe të mirëstudiuara e të mbështetura me financime të mjaftueshme. Nga ana tjetër, qeveria duhet të ruajë disiplinën ekonomike e fiskale, në mënyrë që të mos rrezikohen financat publike. Të bëjë më shumë punë dhe më pak retorika politike.
Në analizë të fundit, rezultat i zgjedhjeve më shumë se nga alternativat ekonomike, mendoj se sërish do të përcaktohen nga zgjidhjet që forcat politike do të japin për mirëqeverisjen: si do ta luftojnë korrupsionin endemik, si do të vënë nën kontroll ekonominë kriminale të trafiqeve, si do të garantojnë transparencën dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje, si do të arrijnë të ndërtojnë një administratë publike profesionale dhe shërbyese ndaj qytetarëve, etj. Janë çështjet e keqqeverisjes që mbajnë peng dhe larg interesat e investitorëve të huaj, që pengojnë investitorët shqiptar të realizojnë më shumë investime dhe punësim. Qeverisja e ndërmarrjeve dhe bankave gjithashtu duhet të fuqizohet – duke mbrojtur interesat e aksionerëve të minorancës, interesat e qytetarit dhe të konsumatorit. Konsensusi trepalësh: punëdhënës-punëmarrës-qeveri mbi sfidat e vendit është pika e nisjes për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme dhe kohezive, brenda sistemit tonë ekonomik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.